
Skena politike e Malit të Zi është e stuhishme këto ditë. Për vetëm tre ditë, ka rënë qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, është shkarkuar nga detyra kryetari i Kuvendit (Aleksa Beçiq) dhe u shpall formimi i qeverisë së pakicës. Beçiq, kreu i Partisë Demokratike të Malit të Zi, mbrëmë (e mërkurë) organizoi protesta para kishës së Ngjalljes së Krishtit në Podgoricë dhe kërkoi zgjedhje parlamentare. Me atë rast ai tha se nuk janë mbledhur për shkak të “luftës për ulëse”, por për shkak të mbrojtjes së “vullnetit të qytetarëve”.
Dritan Abazoviq, kreu i lëvizjes qytetare URA, i cili inicioi votimin e mosbesimit ndaj qeverisë, ka nisur tashmë konsultimet për formimin e një qeverie të pakicës, e cila do të mbështetet nga Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë, me 30 deputetë. 10 deputetët e tjerë të opozitës ende nuk kanë deklaruar mbështetjen e tyre për atë Qeveri, por në Kuvend kanë votuar për shkarkimin e qeverisë, si dhe për largimin e Beçiqit.
Presidenti i Malit të Zi dhe ai i DPS-së, Milo Gjukanoviq, deklaroi dje (e mërkurë) se ka përshtypjen se ka një dakordim të lartë se çfarë duhet bërë tani në Mal të Zi.
“Dhe është thelbësore që shpejt të formohet një qeveri e bazuar në një shumicë të qartë parlamentare të bazuar në politika qytetare dhe pro-evropiane, të zgjidhet një qeveri që do të fillojë aktivitetet sa më shpejt të jetë e mundur për të vazhduar negociatat cilësore me BE-në në mënyrë që të krijohen kushte për arritjen e një qëllim kryesor politik shtetëror në të ardhmen e afërt- anëtarësimi i Malit të Zi në BE “, tha Gjukanoviq.
Pas konsultimeve të Abazoviqit me të gjitha partitë politike, vijon propozimi i mandatarit të kryeministrit, i cili propozohet formalisht nga presidenti i shtetit. Në opinion po spekulohet se kryeministër do të jetë Dritan Abazoviq, i cili tashmë është shprehur se është gati të pranojë ta drejtojë qeverinë e pakicës. Nëse nuk arrihet marrëveshje, zgjedhjet janë të pashmangshme.
Vërejmë se, që nga votimi i mosbesimit të qeverisë (4 shkurt), në skenën politike është folur më shpesh fjala “Tradhëti”, e cila u drejtohej deputetëve të koalicionit “Bardh e Zi” (URA dhe CIVIS), për shkak të “Tradhtisë së Vullnetit të Popullit”.
Ai “vullnet i popullit”, i përfaqësuar nga 41 deputetë nga 13 parti të ndryshme politike, u mblodh në disa koalicione parazgjedhore, të bashkuar pas zgjedhjeve të vitit 2020, me synimin për ta rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve, me dëshirën dhe shpresën që DPS të të mos kthehet kurrë në pushtet. Megjithatë, që kur DPS njoftoi mbështetjen e saj për qeverinë e pakicës, shumë u “frikësuan” nga kthimi i DPS në pushtet. Dhe DPS është individualisht partia më e fortë politike në Mal të Zi, me 30 deputetë në Kuvend, ose rreth 35 për qind të numrit të përgjithshëm prej 81 deputetësh.
Kujtojmë se qeveria në largim zgjati vetëm 14 muaj. Ajo u mbështet nga 41 deputetë në Kuvend dhe mazhoranca e panatyrshme u bashkua, më së shumti, mund të thuhet, për urrejtjen që kishin ndaj DPS.
Sipas shumë analistëve, qeveria gjatë kësaj kohe i ka shkaktuar shumë dëme Malit të Zi. Pati një ngërç në negociatat me BE-në, por edhe një borxh prej 750 milionë eurosh.
Qeveria e supozuar e ekspertëve u formua në manastirin e Ostrogut. Me rekomandimin e mitropolitit të ndjerë Amfilohije, në krye të saj u emërua profesor në Universitetin e Malit të Zi, që ishte edhe pedagog në Seminarin Teologjik të Cetinjes, Zdravko Krivokapiq.
U formuan 12 ministri dhe Krivokapiqi i quajti 12 ministra apostuj dhe ekspertë dhe pjesë e “ekspertizës” së tyre ishte përkushtimi ndaj Kishës së Serbisë.
Vladimir Leposaviq, këshilltar ligjor i Mitropolitit të Malit të Zi dhe Bregdetit, u emërua Ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
Brenda mazhorancës parlamentare u krijua një krizë dhe Fronti Demokratik bojkotoi për një kohë punën e parlamentit. Kriza dhe mosmarrëveshja brenda shumicës parlamentare dhe në mes të kryeministrit Krivokapiq dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq thelloi situatat dhe rrethanat në lidhje me kurorëzimin e Mitropolitit Joaniki në Cetinje në shtator të vitit të kaluar. Me atë rast, për shkak se kundërshtarët e fronëzimit në Cetinje e bllokuan rrugën, një helikopter i ushtrisë malazeze u (keq)përdor për të transportuar Mitropolitin dhe Patriarkun Porfirio, isiç kishte urdhëruar ilegalisht kryeministri Krivokapiq. Këtë e kanë kundërshtuar drejtuesit e Policisë dhe MPB-së së Malit të Zi, por edhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq.
Qeveria qysh në fillim ishte pro-ruse dhe pro-serbe, pra klerikale. Menjëherë në Kuvend u miratua Ligji i ndryshuar për Lirinë e Fesë, ku disa nene janë në dëm të Malit të Zi. URA, e cila votoi për miratimin e këtij ligji, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij dhe kjo nismë është në proces.
Nuk është e natyrshme apo normale që një qeveri dhe shumica parlamentare të udhëhiqen kryesisht nga interesat e një kishe me bazë në një vend tjetër dhe të insistojnë në nënshkrimin e një marrëveshjeje themelore me atë kishë, dmth. Kishën Ortodokse Serbe, dhe të promovojnë dhe mbështesin idenë e “botës serbe”, e cila rrezikoi në radhë të parë laicitetin dhe multietnicitetin e Malit të Zi.
Për përkushtimin ndaj kishës, serbëve, çetnikëve, mohimit të gjithçkaje malazeze dhe avokimit për futjen e arsimit fetar në shkolla, është shquar ministrja e Arsimit, Kulturës dhe Sportit Vesna Bratiq. Në bazë të apelit në Kuvend, asaj i ishte refuzuar edhe më herët mbështetja e deputetëve, gjë që kryeministri nuk e respektoi.
Në qeverinë e “kishës” ka gjetur vend edhe ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq, nusja e peshkopit Kiril, si dhe ministri i ekologjisë Ratko Mitroviq, vëllai i priftit të KOS-it Dragan Mitroviq.
Qeveria vazhdoi t’i bënte dëm shtetit edhe në momentet kur në Kuvend diskutohej sjkarkimi i saj. Përkatësisht, kryeministri Krivokapiq ka thirrur një seancë elektronike, në të cilën ilegalisht, pa dijeninë, e lëre më me pëlqimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ka marrë një vendim kontrovers që mundëson marrjen më të lehtë të shtetësisë malazeze, e cila do t’u mundësonte qytetarëve të shumtë të Serbisë dhe Rusisë për të marrë nënshtetësinë, e pastaj edhe të drejtën e votës, nga të cilët Krivokapiq do të kishte mbështetje kur do të formonte partinë e tij.
Në 14 muaj, qeveria e Krivokapiqit lëshoi 274 shtetësi nderi, nga të cilat 170 qytetarëve rusë.