Washingtoni dhe Brukseli po paralajmërojnë një moment të ri në vitin 2024, që lidhet me zgjerimin e BE-së. Ky moment krahasohet me kohën e rënies së Murit të Berlinit, kur u ridefinuan kufijtë e Perëndimit. E gjithë çështja lidhet me Ukrainën. Agresioni rus në Ukrainë, i nisur më 24 shkurt të vitit 2022, e bëri integrimin evropian një “urgjencë gjeopolitike”.
Shkruan: Xhelal Neziri
Deklaratat e presidentit të Këshillit Evropian, Charls Michell, se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2030 mund të bëhet pjesë e BE-së, shkaktuan reagime të ndryshme në Bruksel, por edhe në kryeqendrat e vendeve aspirantë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se deklarata e Michel është thënë në samitin e Bledit në Slloveni pa konsultime me të, ndërkohë që presidenti francez, Emanuel Macron sërish riaktualizoi qëndrimin e tij të vjetër se “para zgjerimit, BE duhet të thellohet”.
Por, duket se diçka e madhe, historike po përgatitet lidhur me zgjerimin e BE-së. I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe ai gjerman – Manuel Sarazin, patën të njëjtat porosi për Shkupin, gjatë vizitave të tyre në gusht dhe shtator: tash është momentumi, bëni ndryshimet kushtetuese që të kapni trenin e shpejtë për në BE.
E gjithë çështja lidhet me Ukrainën. Agresioni rus në Ukrainë, i nisur më 24 shkurt të vitit 2022, e bëri integrimin evropian një “urgjencë gjeopolitike”. Tani Ukraina bashkë me Moldavinë janë vende kandidate për t’u bërë pjesë e Unionit. Gjashtë vendet e Ballkanit janë në faza të ndryshme të integrimit. Serbia dhe Mali i Zi, që nga 2012, i kanë nisur negociatat, por shumë pak kanë përparuar në këto dhjetë vjet. Mali i Zi fillimisht lëvizi më shpejtë drejt integrimit në BE: në 2006 shpalli pavarësinë, në 2010 mori statusin e vendit kandidat, në 2011 Komisioni Evropian i rekomandoi nisjen e negociatave dhe në 2012 u realizua mbledhja e parë ndërqeveritare Bruksel-Podgoricë. Bosnja e Hercegovina së fundmi mori statusin e vendit kandidat pasi pranoi një listë me 14 prioritete, që nënkuptojnë reforma për funksionalizimin e shtetit. Maqedonia e Veriut e para nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Associimit në vitin 2001 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005, kur Serbia dhe Mali i Zi ende ishin një federatë. Në vitin 2009 mori rekomandimin e parë të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave. Megjithatë, negociatat u pamundësuan shkaku i vetos nga Greqia për emrin, nga Franca për Metodologjinë e re dhe së fundmi nga Bullgaria. Shqipëria ka fituar statusin kandidat nëntë vite pas Maqedonisë së Veriut – në 2014. Rekomandimin e parë nga Komisioni Evropian për hapje të negociatave e ka marrë në vitin 2018. Që atëherë, edhe Shqipëria ka qenë në pritje të nisjes së negociatave fillimisht shkaku i bllokadës franceze, e më pastaj të asaj bullgare. Vonesa e Shqipërisë ishte si rezultat i të qenurit në një pako me Maqedoninë e Veriut. Kosova është në fazën më të vonshme të integrimit evropian. Shteti më i ri në Evropë në vitin 2016 arrin Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, kurse në vitin 2012 nis bisedimet për liberalizim të vizave. Përparim i vetëm ka qenë vendimi i Komisionit Evropian në vitin 2018 se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, vendim që do të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Washingtoni dhe Bruksli po paralajmërojnë një moment të ri në vitin 2024, që lidhet me zgjerimin e BE-së. Ky moment krahasohet me kohën e rënies së Murit të Berlinit, kur u ridefinuan kufijtë e Perëndimit.
“Ka një zgjim të vërtetë që ne jemi në prag të një momenti historik, të ngjashëm me Rënien e Murit të Berlinit, me një valë të re të zgjerimit të BE-së … e cila do të ndihmojë në stabilizimin e kontinentit”, ka thënë për Politico-n, Benjamin Haddad, një deputet i partisë së Macron-it.
“Doja të vij të bisedojmë sërish këtu në Shkup. Kam qenë këtu para verës dhe jam këtu sërish për ndryshimet kushtetuese. Mendoj se muaji i ardhshëm do të hyjë në histori si fillimi i një kapitulli të ri në historinë evropiane, sepse do të fillojë një trend i ri zgjerimi. Siç e thashë edhe para verës, ndryshimet duhet të ndodhin, mos humbasim kohë më kot”, tha të hënën i dërguari gjerman për Ballkanin, Manual Sarazin, pas përfundimit të vizitës së tij në Shkup.
I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, ishte më i drejtpërdrejtë: Ky vit është një shans i rrallë për integrimin evropian të Ballkanit që rëndë se mund të përsëritet.
Përveç momentumit, këto mobilizime të diplomacisë euroamrikane që të zgjidhin nyjën ballkanike dhe të integrojnë këtë rajon 18-milionë banorësh në BE lidhen edhe me rreziqet që sjell vitit 2024.
Rreziku i parë është kolapsi i mundshëm i Rusisë, i cili mund të sjellë shpërbërjen e një shteti të madh 180 milionësh. Anarkia në Rusi do të sillte shumë sfida të sigurisë në Evropë, të cilat mund të thellonin dallimet brenda BE-së dhe NATO-s.
I dyti – rreziku nga epilogu i zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së dhe për president të SHBA-ve. Në rast të fitores së partive të ekstremit të djathtë në këto vende padyshim se kjo do të reflektohet edhe në qasjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj Rusisë.
I treti – recesioni në dukje i BE-së mund të reflektohet në zhvendosjen e prioriteteve të Brukselit për mbështetje të projekteve zhvillimore në Ballkanin Perëndimor, por edhe në uljen drastike të fondeve evropiane për kapërcimin e krizave të njëpasnjëshme ekonomike në rajon.
Dhe rreziku i katërt lidhet me krizën ekonomike në Kinë, që ka filluar në formë të një ngërçi në sektorin e patundshmërive, por që mund të prodhojë pasoja edhe në Evropë.
A do të arrijë ta kuptojë si duhet këtë moment historik Ballkani Perëndimor? Konstruktiviteti i treguar ditë më parë nga presidentët e rajonit të tubuar në Shkup, ku u mbajt Samiti Bërdo-Briuni, jep optimizëm se ky rast nuk do të lëshohet.
Geopost/

Zbulohen investimet e elitës së partisë në pushtet SNS në fondin “Vista Rica”: Pastrim të parave dhe favorizim në kontrata shtetërore
Shtetet baltike forcojnë mbrojtjen mes rritjes së kërcënimeve hibride ruse
“Vullnetarët” rusë financojnë manastiret serbe në Kosovë
Ukraina çon në ajër një cisternë nafte të flotës ruse në Detin e Zi
Fëmijët e burgosur të Putinit: Si Rusia shkatërron të rinjtë që guxojnë të flasin
Regjimi i Vuçiqit në krizë të thellë: Protestat masive të studentëve, tirania e jo-shtetësisë dhe çmenduria pro-regjim