Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Paraqitet kallëzimi penal kundër MUP-it serb, ushtrisë dhe Milan Radoiçiqit në rastin Vukashinoviq

The Geopost November 7, 2025 5 min read
Share the news

 

Avokati Ivan Niniq, në emër të Dragana Vukashinoviqit, nënës së Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, për të cilin autoritetet kosovare dyshojnë se u plagos dhe u kidnapua nga Xhandarmëria serbe, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokupje për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Kallëzimi penal është paraqitur kundër personave të panjohur (NN) anëtarë të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë ose Milan Radoiçiqit – ish-nënkryetar i Listës Serbe i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në veri të Kosovës në shtator 2023.

Incidenti në fshatin Jelakce afër Leposaviqit, në të cilin, sipas pretendimeve të avokatit Ivan Niniq, Milan Vukašinoviq u plagos nga persona të maskuar dhe më pas u transportua në spitalin në Prokupje dhe më pas në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, ka ndodhur më 1 nëntor.

Në kallëzimin penal, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, shkruhet se Vukashinoviq ka pasur një “traditë të gjatë të konflikteve personale me Milan Radoiçiqin, dhe se kanë ekzistuar arsye të justifikuara që pala e dëmtuar të kidnapohet dhe t’i merret jeta në rrethana të pazbardhura”.

Më 4 nëntor, Niniq i tha REL-së se nëpërmjet kanaleve të tij kishte ardhur deri te informacioni se Milan Vukashinoviq pas plagosjes fillimisht ishte transportuar në spitalin në Prokupje, se në atë aksion kishin marrë pjesë tre xhipa pa targa dhe se më vonë ishte konstatuar se ato automjete me shumë gjasa i përkisnin Armatës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë. Një automjet i katërt kishte targa. Personat që morën pjesë në të gjithë aksionin ishin me uniforma maskuese të zeza dhe të gjelbërta të errët, nuk kishin shenja të Ushtrisë apo Xhandarmërisë dhe kishin fantomka (maska) në kokë.

Ai tha gjithashtu se personat që përmendi ishin vërejtur edhe nga qytetarët në Prokupje dhe punëtorët në spitalin në Prokupje.

Policia e Kosovës u shpreh për këtë rast më 3 nëntor, duke theksuar se kishte intervistuar dëshmitarët okularë dhe kishte marrë informacione nga ta se “persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, e kanë lënduar dhe rrëmbyer viktimën, e më pas e kanë dërguar në territorin e Serbisë”.

Organet serbe, nga ana tjetër, ende nuk janë shprehur për këtë rast.

REL iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, por nuk ka marrë përgjigje.

Milan Vukashinoviq ishte i punësuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve në pikën kufitare Jarinje në veri të Kosovës.

REL, bazuar në mjetet forenzike për njohjen e fytyrës, konstatoi se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti foli publikisht për presionin që po përjetonte në një bisedë me gazetarin dhe ish-deputetin në Kuvendin e Serbisë, Nemanja Sharoviq, nga televizioni KTV i Serbisë.

Në atë kohë, ai tha se serbët kishin lëshuar institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe dhe pohoi se edhe ai personalisht kishte vuajtur nga presionet dhe se nuk ndihej i sigurt të shkonte në Serbi sepse nuk kishte dashur të jepte dorëheqje.

“Më kanë shpikur gjithfarë gjërash, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi, jam vetëm këtu në Kosovë, e shmang Serbinë”, tha ai ndër të tjera.

Niniq më herët i tha REL-së se, si avokat i familjes Vukashinoviq, ai ishte i shqetësuar se organet serbe nuk ishin shprehur dhe se ende nuk e dinte nëse Vukashinoviq dyshohej për ndonjë vepër penale, nëse ishte urdhëruar masa e paraburgimit apo cila prokurori po merrej me rastin.

Ai specifikoi se nuk dihet nëse Prokuroria e Lartë Publike në Prokupje ka kryer hetim, kush ka marrë pjesë në aksion, cili ka qenë qëllimi i aksionit, nëse aksioni ishte pasojë e një vendimi shtetëror apo nëse kanë marrë pjesë persona të tretë të paautorizuar.

“Ka shumë pyetje dhe pak përgjigje, do të insistojmë për përgjigje. Unë si avokat nuk kam një institucion të cilit mund t’i drejtohem dhe të komunikoj,” tha ai.

REL iu drejtua Prokurorisë së Lartë Publike në Prokupje, por nuk ka marrë përgjigje.

Në kallëzimin penal, avokati Niniq i propozon kësaj prokurorie, ndër të tjera, të intervistojë Milan Vukashinoviqin në Qendrën Klinike në Nish, të kryejë këqyrjen e vendit të ngjarjes, të kërkojë identifikimin e automjetit të markës Lada Niva me të cilin Vukashinoviq kishte arritur në fshatin Jelakce, si dhe të marrë videoregjistrimet nga institucioni shëndetësor në Prokupje dhe nga kamerat e mbikëqyrjes publike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se bota demokratike duhet të reagojë dhe të ndalojë “sulmet” e Serbisë që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se aksioni në rastin Vukashinoviq është pjesë e politikës së Serbisë e bazuar në frikësimin dhe persekutimin e qytetarëve që nuk i nënshtrohen regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), i cili është përgjegjës për zonën kufitare, i kishte thënë më herët REL-së se ishte në dijeni të raportit të Policisë së Kosovës në lidhje me dyshimin se Xhandarmëria serbe ka lënduar dhe rrëmbyer një serb të Kosovës, duke shtuar se situata e sigurisë në kufi është e qetë.

REL gjithashtu kontaktoi Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për më shumë detaje, por nuk mori përgjigje.

 

/www.slobodnaevropa.org

Continue Reading

Previous: Trump pret liderët e Azisë Qendrore për më shumë diplomaci të mineraleve në një samit të profilit të lartë
Next: Ukraina dënon ushtarin rus me burgim të përjetshëm për vrasjen e një të burgosuri lufte

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit 3 min read
  • Lajme
  • Siguri

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit

The Geopost April 5, 2026
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë 11 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë

The Geopost March 27, 2026
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit 3 min read
  • Lajme

Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

The Geopost March 26, 2026
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

The Geopost January 30, 2026
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi 3 min read
  • Botë
  • Lajme

Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi

The Geopost January 28, 2026
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999

The Geopost January 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.