Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, ka marrë informacione të klasifikuara nga Aleanca që në 5 nëntor të vitit të kaluar, të cilat kanë sugjeruar përgatitjet e nevojshme për ballafaqim me krizën që po sjell kjo luftë. Këto informacione kanë parashikuar me saktësi periudhën kur Rusia do të nisë operacionin e gjerë luftarak për pushtimin e Ukrainës, andaj janë marrë të gjitha masat që kjo krizë të mos godasë ekonominë e vendit. Të njëjtat informacione janë ndarë edhe me Shqipërinë dhe Mali e Zi, si anëtarë të NATO-s nga Ballkani Perëndimor, një rajon ky i cenueshëm nga ndikimi keqdashës i Rusisë.
Duke theksuar rëndësinë e të qenit anëtar i NATO-s, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se pikërisht këto informacione kanë bërë që vendi tash të mos ballafaqohet me mungesë prodhimesh bazike në treg. Ai ka qetësuar opinionin se sanksionet e Shkupit ndaj Moskës, megjithatë, nuk do të kenë efekt të rëndësishëm mbi ekonominë e vendit. “Mund të kemi probleme të caktuara, nëse lufta zgjat muaj dhe muaj. Këtë do ta kenë të gjithë. Nëse zgjat disa javë ne nuk do të kemi problem me furnizimin me produkte bazike, që nga ato ushqimore jetësore deri në karburante”, ka deklaruar ai.
Në bazë të statistikave zyrtare, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Maqedonisë së Veriut me Federatën Ruse është vetëm 200 milionë dollarë në vit. Në krahasim me Gjermaninë, Rusia është larg të qenit partner i rëndësishëm tregtar. Eksporti në Gjermani është 3.5 miliardë euro në vit, ndërkaq importi është 1.5 miliardë euro.
Për dallim nga Gjermania, me Rusinë Maqedonia e Veriut ka edhe deficit të madh në shkëmbimin tregtar. Pra, më shumë blen sesa shet në tregun e Rusisë. Të dhënat thonë se kompanitë maqedonase në tregun rus vitin e kaluar kanë eksportuar mallra në vlerë prej 57,1 milionë dollarë, kurse kanë importuar në tregun e vendit mallra në vlerë prej 176.3 milionë dollarësh. Maqedonia e Veriut nga Rusia më së shumti importon energji, disa lëndë të para dhe metale dhe eksporton kryesisht prodhime agro-ushqimore.
Në opinionin e Maqedonisë së Veriut ka frikë se sanksionet ndaj Rusisë do të kenë pasoja për trafikun ajror në vend, e rrjedhimisht për turizmin. Qeveria në Shkup tashmë ka njoftuar se aeroplanët rusë do të ndalohen të aterojnë në vend, gjë që do të thotë se linja e vetme ajrore Shkup-Moskë është mbyllur. Kompania ruse “Nordvind Airlines”, e cila fluturon nga aeroporti i Moskës për në Shkup, gjatë vitit të kaluar ka sjellë 309 turistë që kanë ndenjur afër 587 net. Ky numër është i parëndësishëm nëse merret parasysh numri i përgjithshëm i turistëve, i cili ka qenë 18.419, të cilët kanë shpenzuar 36.842 net në Maqedoninë e Veriut. Gati trefish më shumë turistë se Rusia në vitin 2021 ka pasur nga Shqipëria, të cilët kanë paguar gjithsej 2.166 net.
Megjithatë, analizat e qeverisë tregojnë se lufta ruso-ukrainase do të ndikojë indirekt në ekonominë vendase, duke pasur parasysh krizën energjetikë që ka shkaktuar kjo luftë.
“Kriza mund të ndikojë në mënyrë indirekte, sidomos në fushën e energjisë sepse ne jemi të lidhur drejtpërdrejt me mbi 70% të tregtisë me BE-në. Por, ne marrim të gjitha masat e duhura në baza ditore për të shmangur goditjet e çmimeve”, tha ka thënë Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.