Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD) ka reaguar lidhur me raportimet e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov kinse se, “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin”.
MPJD ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se janë propaganduese dhe tendencioze për Kosovën.
“Bëjmë me dije ministrit rus [Sergei] Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky Ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Më tej thuhet se fushata e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë.
“MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre. Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme”, vijon reagimi.
“Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, përfundon MPJD. /The Geopost/