
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka deklaruar se SHBA-ja nuk ka aleat më të madh sesa Kosovën në Ballkan. Në të njëjtën kohë, ai tha se Serbia qëndron për të kundërtën e asaj që përfaqëson Kosova dhe se nuk do të hiqet nga ndikimi rus. Derisa foli për ndikimin rus në Serbi, ai tha se Vladimir Putin është figura më e dashur në Serbi, shkruan The Geopost.
“Mund të ketë disa politikbërës që thonë se Serbia, por unë jam skeptik, mund të largohet nga ndikimi rus por dhe kjo nuk mund të jetë reale”, ka thënë ai.
Torres ka folur edhe për tendencën e Rusisë që nëpërmjet Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.
“Presidenti Joe Biden ka folur për demokracinë dhe tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pjesë e kësaj politike. Kosova është një demokraci, një storie demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia është një vend autokrat, përderisa Kosova është një aleate e SHBA-së. Kosova ishte e para që pranoi refugjatë, derisa Serbia është satelit i Rusisë dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj saj, por në të kundërtën ka importuar armë nga ajo. Presidenti rus, Vladimir Putin, është figura më e çmuar në Serbi”, ka thënë ai për Radio Kosovën.
Kongresmeni amerikan foli edhe për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, BE-ja duhet të sillet më me respekt për Kosovën si aleate.
Ai ka potencuar se Serbia dëshiron të destabilizojë Kosovën me sulme të tilla sikurse ai i 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Bashkimi Evropian ka qenë më i ashpër ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. Derisa Kosova është e radhitur në krah të BE-së, Serbia është më afër Rusisë. Sjellja e BE-së është një storie më vete dhe nuk mund ta shpjegoj. Por Kosova duhet të trajtohet me më shumë respekt, sepse është një aleat më i mirë. Serbia ka treguar se përzihet në punë të brendshme të Kosovës duke bashkëpunuar me njerëz që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës”, ka thënë Torres.
Torres tha se derisa Kosova është e radhitur krah BE-së, Serbia është radhitur në krah me Rusinë.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë për një botë të lirë dhe me këtë qasje e shohin edhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Unë vërtet besoj që SHBA-ja është udhëheqëse e botës së lirë dhe ka një rol aktiv në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dialogu është esencial dhe që duhet të vazhdojë dhe duhet të udhëhiqet nga SHBA-ja”.
Kongresisti amerikan tha se Kosova duhet të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.
Siç ka thënë ai, Kosova së pari duhet të njihet si shtet dhe të përfshihet në institucionet evropiane, siç është anëtarësimi në BE, në OKB dhe INTERPOL, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Kosova është një vend sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë”, theksoi ai.
/ The Geopost