Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, po organizon kremtimin e Ditës së Republikës Srpska, 9 janar, vetëm pak ditë pasi Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e futi atë në listën e zezë së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Dodik ka ftuar shumë personalitete për të festuar Ditën e Republikës Srpska, 9 janarin, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës e shpalli atë jokushtetuese. Ai vazhdon ta injorojë këtë vendim, përkundër kritikave të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare.
Çuditërisht, dy deputetë të krahut të djathtë të Parlamentit Evropian po marrin pjesë në kremtim. Thierry Mariani dhe Herve Juvin njoftuan në rrjetet sociale se tashmë janë në Banja Llukë, “kryeqyteti i Republikës Srpska”, për të marrë pjesë në kremtim.
“Të ftuar personalisht nga presidenti Millorad Dodik, ne do të marrim pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të Republikës Srpska”, shkroi në Twitter Thierry Mariani, një eurodeputet dhe anëtar i partisë së krahut të djathtë të udhëhequr nga Marie le Pen.
Juvin shkoi edhe më tej dhe bëri koment skandaloz për gjoja persekutim të të krishterëve në rajon dhe duke e përshkruar Kosovën si pjesë të Serbisë. “Në Evropë, në vitin 2022, të krishterët po persekutohen në tokën evropiane. Një mendim i veçantë për serbët e Kosovës Serbe”, ka shkruar ai në një postim në Twitter të shoqëruar me një foto kishtare.
Joyeux Noël à tous les Orthodoxes
En Europe, en 2022, des Chrétiens sont persécutés sur le sol européen. Une pensée particulière pour les Serbes du #Kosovo #Serbie pic.twitter.com/Aq36EDk3oR
— Hervé Juvin (@HerveJuvin) January 7, 2022
Përveç dy eurodeputetëve francezë, në kremtim do të marrin pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq. Janë të ftuar edhe shumë personalitete të tjera, duke përfshirë ambasadorët rus dhe kinez në Sarajevë.
Republika Srpska është një ent i cili, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, administron pothuajse gjysmën e territorit të Bosnjë dhe Hercegovinës. Presidenti ultranacionalist serb, Millorad Dodik, ka kërkuar vazhdimisht ndarjen e kësaj pjese nga Sarajeva për t’iu bashkuar Serbisë, madje duke përmendur opsionin e luftës. Megjithatë, në fillim të nëntorit ai e ndryshoi retorikën pas vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar në Sarajevë.
“Si ai dhe unë besojmë se tema e luftës nuk ka asnjë bazë reale,” pat thënë Dodik pas takimit me të.