Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • ENG
  • ALB
  • SRB
  • UKR
  • RRETH NESH
  • Lajme

Iluzioni evropian i Serbisë dhe realiteti autoritar i Vuçiqit-it

The Geopost September 14, 2025 4 min read
Share the news

 

Ndërkohë që ushtarët dhe civilët ukrainas po japin jetën me guxim, duke luftuar për të drejtën e tyre për një të ardhme evropiane dhe kundër përpjekjeve të dhunshme për t’i rikthyer në errësirën e totalitarizmit rus, udhëheqësi i regjimit të korruptuar në Serbi vepron në drejtim krejtësisht të kundërt. Pavarësisht gjeografisë së pamëshirshme dhe faktit se e vetmja e ardhme e mundshme për Serbinë është ajo që ofron anëtarësimi në BE dhe NATO, Aleksandar Vučić me ngulm sfidon gravitetin e interesave gjeostrategjike dhe kombëtare të vetë kombit të tij.

I vetëdijshëm se në familjen evropiane të kombeve nuk ka vend për regjime autoritare dhe të korruptuara, Vuçiq ka bërë gjithçka për ta ruajtur iluzionin e rrugëtimit evropian të Serbisë, duke u përpjekur që vendi të mbetet përgjithmonë në atë rrugë pa një cak dhe destinacion përfundimtar. Duke e menduar veten si një Moisi modern serb që do ta udhëheqë popullin e tij 40 vjet nëpër shkretëtirë, vetëm që të shtyjë sa më gjatë arritjen në “tokën e premtuar” ku për të dhe pushtetin e tij nuk do të ketë vend, Vuçiq e ka luajtur me sukses këtë lojë deri në momentin kur BE-ja tregoi vendosmërinë e pakundërshtueshme për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030. Prej atij momenti, rezistenca e regjimit të Vučić-it ndaj integrimeve evropiane u bë e hapur, ndërsa flirtimi me regjimet autoritare renegate nga Lindja u kthye në boshtin kryesor të neutralitetit të rremë dhe politikës shizofrene të katër shtyllave.

Ky përcaktim i Vučićit të riradikalizuar shoqërohet me propagandë të gjithanshme të regjimit kundër BE-së dhe vlerave demokratike evropiane. Një shtysë të rëndësishme në këtë drejtim regjimit të Vuçiqit ia dha fitorja e Donald Trump-it dhe vënia në dyshim e përkushtimit deri atëherë të pakontestueshëm të SHBA-së për ndërtimin dhe ruajtjen e demokracisë në botë. Duke shpresuar se në zhurmën e krijuar mes aleatëve transatlantikë do të gjente hapësirë për të vazhduar politikën e tij strategjikisht të paorientuar, Vuçiq iu drejtua Pekinit dhe Moskës, duke injoruar plotësisht faktin se mbi 80% e ekonomisë serbe varet nga bashkëpunimi me BE-në, si dhe se pjesa dërrmuese e pensioneve dhe pagave të gjithsecilit në Serbi buron pikërisht nga këto aktivitete ekonomike.

Sa jetike janë marrëdhëniet me BE-në për Serbinë e vogël tregon edhe fakti se, në mungesë të investimeve evropiane, rritja ekonomike aq e lëvduar e Serbisë është shkrirë tërësisht; inflacioni ka barazuar pothuajse çmimet vendore me ato evropiane, ndërsa pagat dhe fuqia blerëse e popullsisë kanë mbetur në fundin evropian. Njëkohësisht, për shkak të korrupsionit të gjithanshëm, shtypjes së lirisë së medias dhe obstruksionit të vazhdueshëm të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, Serbia është gjetur në një ngërç të rrugës së saj të rreme evropiane – pa hapjen e Klasterit 3, pa fonde nga plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor dhe pa avancim të mëtejshëm të dialogut politik me Brukselin.

I përballur me disonancën njohëse mes fantazive të tij radikale dhe realitetit, Vuçiq zgjodhi rikthimin në vitet ’90, periudhë në të cilën u formua nën hijen e atit të tij politik, Vojislav Sheshel. Duke sfiduar faktet e pamohueshme për të ardhmen e Serbisë, Vuçiq u gjend në panairin e diktatorëve në Pekin, ku iu rezervua një trajtim poshtërues, por që megjithatë i shërbeu për përdorim të brendshëm dhe përpjekjet e dëshpëruara për të ndalur kolapsin e plotë të regjimit të tij të lëkundur. E gjitha kjo, në kurriz të interesave kombëtare të Serbisë, të cilat ai nisi t’i shesë pa mëshirë në kërkim të mbështetjes së sundimtarëve rusë dhe kinezë. Me këtë, shahisti vetëlavdëruesnë thelb e ka bërë mat vetveten, duke vulosur përfundimisht edhe fatin e pushtetit të tij. Tani ka mbetur vetëm që ligji i hekurt i determinizmit ta çojë këtë proces të parashikueshëm deri në fundin e vetëm të mundshëm: në fundin e tij politik!

/The Geopost

Continue Reading

Previous: Aeroplanmbajtësja më e re e Kinës lundron nëpër Ngushticën e Tajvanit
Next: Rumania bëhet vendi i dytë i NATO-s që raporton një dron rus në hapësirën e saj ajrore, BE dënon ndërhyrjen

Publikohen pamjet, Stojkoviq: Vuçiq po e përdor Radoiçiqin për të siguruar tubimet politike 2 min read
  • Lajme

Publikohen pamjet, Stojkoviq: Vuçiq po e përdor Radoiçiqin për të siguruar tubimet politike

The Geopost September 15, 2025
Rumania bëhet vendi i dytë i NATO-s që raporton një dron rus në hapësirën e saj ajrore, BE dënon ndërhyrjen 2 min read
  • Lajme

Rumania bëhet vendi i dytë i NATO-s që raporton një dron rus në hapësirën e saj ajrore, BE dënon ndërhyrjen

The Geopost September 15, 2025
Aeroplanmbajtësja më e re e Kinës lundron nëpër Ngushticën e Tajvanit 2 min read
  • Lajme

Aeroplanmbajtësja më e re e Kinës lundron nëpër Ngushticën e Tajvanit

The Geopost September 13, 2025
Rusia dëshiron ta testojë NATO-n me lojërat luftarake Zapad. Ja çfarë duhet të dini 6 min read
  • Lajme

Rusia dëshiron ta testojë NATO-n me lojërat luftarake Zapad. Ja çfarë duhet të dini

The Geopost September 13, 2025
Kina miratoi ratifikimin e marrëveshjes së ekstradimit me Serbinë 2 min read
  • Lajme

Kina miratoi ratifikimin e marrëveshjes së ekstradimit me Serbinë

The Geopost September 13, 2025
NATO forcon mbrojtjen pas rrëzimit të dronëve ruse mbi Poloni 4 min read
  • Lajme

NATO forcon mbrojtjen pas rrëzimit të dronëve ruse mbi Poloni

The Geopost September 12, 2025

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.