
Gjersa vaksinimi kundër pandemisë COVID-19 po vazhdon në Kosovë, në mënyrë paralele po vazhdojnë përpjekjet për të minuar rëndësinë e marrjes së vaksinës. Llogari të ndryshme e me autorësi të dyshimtë vazhdojnë të jenë aktive me dezinformata rreth efekteve të vaksinimit.
Këto faqe po shërbejnë si qendër akumuluese dhe publikim të komenteve negative kudo që bëhen kundër vaksinimit nga qytetarët nëpër rrjete sociale nga e mbarë bota. Kohëve të fundit ato po shfaqin protestat kundër vaksinimit që ndodhin nëpër botë, duke manipuluar me pamje vizuele apo fotografi.
Organizata GeoPost që merret me hulumtimin e ndikimit të huaj në Ballkanin Perëndimor, ka zbuluar se në kuadër të fushatës dezinformuese kundër vaksinimit COVID-19, fushatë e cila burim të propagandës e ka Rusinë, si shumë vende të tjera perëndimore, nuk ka mbetur pa u prekur dhe ndikuar edhe Kosova.
Burimi i shumicës së dezinformatave në lidhje me vaksinat vjen nga aparati propagandistik i qeverisë ruse, e cila kultivon dhe shfrytëzon të ashtuquajturit ‘idiotë të dobishëm’ të huaj kundër vaksinave, duke shkaktuar dëm të dukshëm për qytetarët e vendeve perëndimore.
Megjithëse në Kosovë nuk ka influencues pro-rusë, së paku nga shqiptarët, kjo nuk do të thotë se te ne nuk ka profile të rreme në rrjetet sociale, veçmas në Facebook, të cilët e kryejnë këtë mision.
Një nga to është grupi “Stop Vaksinës“, një profil i rrejshëm që provon ta përçajë shoqërinë kosovare në raport me vaksinimin, kur dihet mirëfilli se vaksinimi është në dobi të shëndet publik.
Këto grupe, të cilat janë të krijuara për interes të akterëve shtetërorë ose jo shtetërorë rusë, e shfrytëzojnë atë që njihet si Coordinated Inauthentic Behavior (CIB) apo Sjellje e Koordinuar Joautentike në rrjete sociale dhe e rrisin audiencën për qëllime të tyre dhe në dëm të shoqërive të palës së kundërt”, ka shtuar ai.
Si formë tjetër e manipulimit dhe organizimit kundër vaksinimit paraqitet grumbullimi i individëve në faqe të përbashkëta, ku më pas të gjithë kontribuojnë me lajme të rreme, komente, informata në shërbim të dezinformimit e ekzagjerimit të dyshimit mbi vërtetësinë e vaksinave. Një nga to është grupi “Diskutime rreth vaksinës” në Facebook që numëron mbi 2,100 anëtarë. Përmbajtja e materialeve është e qartë, gjithcka kundër vaksinimit, ndërsa publikohen komente që gjenden kudo nëpër platformat onlinë nëpër botë.
Një grup tjetër i ngjashëm është faqja “Studentët kundër vaksinimit të detyrueshëm” ndonëse këta janë grup i mbyllur dhe më i vogël në numër. Një faqe tjetër e kësaj natyre është emërtuar Kundër vaksinave, ndonëse është e vogël me ndjekës, por që qëllimin e ka të njejtë,ndërsa këtë e bën duke publikuar komente negative që gjenden nëpër internet, në gjuhë shqipe e angleze.
Kohën e fundit, shumë studime shkencore kanë zbuluar me mijëra llogari ruse nëpër rrjetet sociale të cilat janë duke përhapur mesazhe kundër vaksinës. Madje mediet shtetërore ruse dhe llogaritë e Qeverisë ruse në Twitter, kanë bërë përpjekje të dukshme për të ngritur shqetësimet në lidhje me koston dhe sigurinë e vaksinës Pfizer, e cila shihet si një përpjekje për të promovuar shitjen e vaksinës ruse Sputnik V.
Lidhur me këtë, Facebook ka mbyllur qindra llogari për të cilat tha se “ishin pjesë e një fushate dezinformomi të drejtuar nga Rusia, e cila përdori influencer të rrjeteve sociale për të shpërndarë pretendime të rreme në lidhje me vaksinat kundër Coronavirusit”. Më 10 gusht Facebook ka larguar një rrjet të llogarive nga Rusia që ishin të lidhura me një kompani marketing që synonte të krijonte një grup personash me ndikim që do të publikonin përmbajtje negative për vaksinat anti COVID-19.
Hetuesit e kësaj çështje e quajtën këtë fushatë si një “fabrikë e dezinformimit”, duke krijuar kështu artikuj dhe peticione mashtruese në forume si Reddit, Medium dhe Change, dhe duke përdorur llogari të rreme në platforma si Facebook dhe Instagram për të amplifikuar përmbajtjen.
Studiues të ndryshëm, “fact checkers”, reporter të lajmeve, vende perëndimore, e konsiderojnë televizionin shtetëror rus “RT” si një prizë të madhe propagandistike për qeverinë ruse dhe politikën e saj të jashtme, si dhe një furnizuese e madhe e dezinformatave dhe teorive konspirative.
Venhari thekson se këto “grupe” apo “faqe” në Facebook, pastaj në të ardhmen mund ta ndryshojnë destinimin dhe vet emrin dhe të kthehen nga STOP VAKSINËS, në STOP PAVARËSISË SË KOSOVËS apo STOP NATO-s.