
Ministria e Drejtësisë e Serbisë foli pas një kohe të gjatë, jo për shkak të padrejtësisë ndaj viktimave të krimeve të luftës, jo për shkak të së vërtetës, jo për shkak të ligjit – por ekskluzivisht për të mbrojtur Milan Radoiçiqin, njeriun që pranoi publikisht se organizoi një sulm të armatosur në Kosovë. Ndërsa qindra familje ende kërkojnë drejtësi për të vrarët dhe të zhdukurit e tyre, ndërsa Serbia ende refuzon të hapë varret masive, Beogradi aktivizon aparatin e tij gjyqësor vetëm kur duhet të mbrojë një kriminel që është i lidhur drejtpërdrejt dhe që pranoi se ka organizuar sulmin terrorist në Banjskë.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit, trajtohet si hero në Serbi, pavarësisht se mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur terrorist në Banjskë.
Megjithatë, vetëm pasi u lëshua urdhërarresti për Radoiçiqin, Ministria e Drejtësisë e Serbisë vendosi të fliste – jo për të dënuar sulmin në Banjska, por për të sulmuar institucionet e Kosovës dhe për t’i akuzuar ato për “persekutimin e turpshëm” të serbëve. Kjo nuk është rastësi, por një tregues tjetër se Serbia jo vetëm që nuk bashkëpunon me drejtësinë ndërkombëtare, por mbron hapur njerëzit me të dhëna kriminale dhe terroriste.
Në të kaluarën, Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesave të Prishtinës për të ekstraduar qytetarët e Kosovës të arrestuar nga autoritetet serbe me akuzën për krime lufte. Për shembull, në janar 2024, Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me kërkesat e Prishtines për ekstradimin e qytetarëve të saj dhe bashkëpunimin me Kosovën bazuar në Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike të vitit 2013.
Ky reagim selektiv i Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, veçanërisht në rastin e Milan Radoiçiq, tregon politizimin e proceseve gjyqësore.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk i njoftoi rastet e shumta kur institucionet e Kosovës ngritën padi për krime lufte kundër të dyshuarve serbë. Ata nuk folën as kur autoritetet serbe qëllimisht injoruan kërkesat për ekstradimin e kriminelëve të luftës. Ata heshtën edhe kur organizatat ndërkombëtare theksuan mosndjekjen penale të krimeve kundër shqiptarëve. Por tani, kur urdhërarresti arriti te një njeri nga maja e strukturës politiko-kriminale të Listës Serbe – ata reaguan me shpejtësi rrufeje./The Geopost/