Politikologu dhe gazetari Boris Varga në një intervistë për The Geopost ka thënë se mediet në Serbi janë përgjegjëse për krijimin e idesë “Serbia e Madhe” dhe se me ardhjen në pushtet të Aleksandar Vuçiqit, ideja “Bota Serbe” po rinovohet sipas modelit të “Bota Ruse”.
Varga thekson se “Bota Serbe” është një eufemizëm politik që u pasua nga ndërhyrja e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
“Që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit, ideja e ‘Serbisë së Madhe’ si ‘Botë Serbe’ është rinovuar, e modeluar sipas një ideje të ngjashme në Rusi të quajtur ‘Bota Ruse’ e cila, së bashku me imperializmin euroaziatik, përdoret si ideologji nga Vladimir Putin”, thotë Varga.
Sipas tij, gjatë viteve ’80-ta, mediet në Serbi e kanë përgatitur opinionin për krimet më të rënda serbe në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
“Mediet në Serbi janë më përgjegjëse për krijimin e idesë së një ‘Serbie të Madhe’, por edhe të një ‘Bote Serbe’. Gjithçka me pretekstin e rrezikimit të popullit serb, në republikat fqinje në fund të viteve 1980, media përgatiti opinionin për krimet më të rënda në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë”, thekson ai.
Gazetari vojvodinas thotë se pavarësia e Kosovës ishte arsyeja e kthimit të politikës nacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë në rajon dhe kthimi i Beogradit drejt Rusisë.
“Gjatë viteve 2000, në Serbi nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën, lustrimin dhe përgjegjësinë e atyre që krijuan një realitet të ri në media dhe nxitën popullin serb në luftëra. Pavarësia e Kosovës ishte arsyeja e kthimit të politikës nacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë në rajon dhe kthimi i Beogradit drejt Rusisë. Pra, mediet e kontrolluara nga shteti, përkatësisht shërbimet publike shtetërore dhe tabloidët, u ngarkuan edhe një herë për të rikthyer ideologjinë e viteve ’90 në diskursin publik. Në këtë, merr pjesë aktive edhe Rusia, e cila përmes “fuqisë së butë” investon shumë në propagandë dhe ndikim në media”, thotë ai.
Në fund, Varga pohon se perëndimi duhet të kërkoj shfuqizimin e medieve ruse në Ballkan.
“Ashtu si BE-ja që vendosi të shfuqizojë kanalet ruse shtetërore dhe propaganduese në territorin e saj, ashtu edhe Perëndimi duhet të kërkojë shfuqizimin e mediave ruse luftnxitëse në Ballkan dhe të insistojë në medie të lira, veçanërisht në Serbi”, përfundon Varga.
Intervista e plotë
The Geopost: Si e komentoni pushtimin rus të Ukrainës?
Rusia e sulmoi Ukrainën për ta shkatërruar atë si shtet dhe për të aneksuar pjesë të territoreve të saj brenda Federatës Ruse. Agresioni ushtarak rus pasohet nga gjenocidi i popullit ukrainas, të cilin Vladimir Putini dhe teknologët e tij e shpallën në fjalimet dhe tekstet e tyre programore.
Nga të gjitha objektivat e shpallura nga Kremlini, asnjë i vetëm nuk është arritur deri më tani. Plani fillestar i “blitzkrieg” dhe okupimi i shpejtë i Kyivit dështoi. Plani “B” i depërtimit rus nga jugu dhe lindja u zhvillua gjatë verës.
Aktualisht, një kundërsulm nga forcat e armatosura ukrainase në rajonet Kharkiv dhe Kherson është duke u zhvilluar, e cila u mundësua nga armët, trajnimi dhe mbështetja e informacionit nga Perëndimi. Në dy javë, forcat e armatosura ukrainase kanë çliruar më shumë territor se sa kanë pushtuar rusët në të gjitha operacionet e tyre që nga muaji prill.
Kundërofensiva u përgatit me aleatët perëndimorë, veçanërisht me SHBA-në, dhe sipas vlerësimeve të tyre, po ecën më shpejt se sa ishte planifikuar. Përparimi në rajonin e Kharkiv është humbja e dytë e madhe e Rusisë, pas humbjes në Kyiv në muajin mars. Interneti është plot me video-mesazhe në të cilat ushtria ruse lenë mbrapa armët, pajisjet ushtarake, municionet dhe ikën nga fronti në mënyrë komike.
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë shkatërruar logjistikën ruse, depot e municionit dhe bazat komanduese për disa javë. Në jug dhe në Krime, diversionet po shkatërrojnë potencialin ushtarak të Rusisë dhe lëvizja partizane ukrainase është aktive në territoret e pushtuara. Një disfatë totale ushtarake e Rusisë në Ukrainë është tashmë mjaft e imagjinueshme.
The Geopost: Kriza ukrainase dhe ndikimi rus në Ballkan, si ndikon te ne?
Ka një ngjashmëri të madhe mes Serbisë dhe Rusisë. Në të dyja vendet, prej tre dekadash, mbizotëron ideja e shtetit të madh, e cila synon të mohojë ekzistencën e vendeve fqinje, si dhe të popujve në to.
Në vitet 1990, Serbia donte të krijonte një “Serbi të Madhe” duke shfarosur kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët me anë të gjenocidit dhe spastrimit etnik. Rusia po bën të njëjtën gjë sot në Ukrainë. Kyivi mund të ishte Sarajeva. Mariupoli është Vukovari, ku Butcha dhe Irpin janë Gjakova dhe Raçaku.
Edhe pse ndryshimi është se Rusia është një fuqi bërthamore, dy disfatat e mëdha të ushtrisë së Vladimir Putinit tregojnë se lufta në Ukrainë mund të përfundojë fatalisht për Rusinë, siç ndodhi për Serbinë në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ngjashmëria mes Kosovës dhe Ukrainës është se ato u çliruan nga ndërhyrja perëndimore, veçanërisht nga përfshirja e SHBA-së.
Hezitimi i Brukselit në lidhje me integrimin e Malit të Zi në BE mund ta ekspozojë Podgoricën ndaj ndikimit më të madh nga Moska dhe Beogradi. Qeveritë malazeze do të jenë të paqëndrueshme dhe do të kalojnë nga duart e forcave pro-perëndimore dhe pro-pavarësisë në duart e forcave pro-serbe dhe rusofile.
Rusia ndërhyri dy herë në Mal të Zi: në vitin 2016, kur ishin planifikuar trazirat dhe në vitin 2020, kur u krye një ndryshim gjithëpërfshirës i qeverisë me ndihmën e “revolucionit të litiumit”.
The Geopost: Si po përhapet ndikimi rus në mediet në Ballkan, veçanërisht në Serbi?
Vetëm pas gjithë tmerreve të më shumë se 200 ditëve të agresionit rus kundër Ukrainës, është e qartë se Putini është përgatitur për këtë lloj lufte që nga “Revolucioni Maidan” në 2014. Projekti i “Serbisë së Madhe”, i mundur në bombardimet e NATO-s, ishte partneri ideal i Kremlinit për “frontin e dytë hibrid” në Evropë.
Që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit, ideja e “Serbisë së Madhe” si “Botë Serbe” është rinovuar, e modeluar sipas një ideje të ngjashme në Rusi të quajtur “Bota Ruse”, e cila, së bashku me imperializmin euroaziatik, përdoret si ideologji nga Vladimir Putin.
“Bota Serbe” është një eufemizëm politik për “Serbinë e Madhe”, e cila u pasua nga ndërhyrja e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995 dhe në Kosovë në vitin 1999.
Mediet në Serbi janë më përgjegjëse për krijimin e idesë së një “Serbie të Madhe”, por edhe të një “Bote Serbe”. Gjithçka me pretekstin e rrezikimit të popullit serb, në republikat fqinje në fund të viteve 1980, media përgatiti opinionin për krimet më të rënda në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët u dehumanizuan që pas paqes dhe prosperitetit në Jugosllavi, të gjitha këto krime masive të ishin të mundshme.
Gjatë viteve 2000, në Serbi nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën, lustrimin dhe përgjegjësinë e atyre që krijuan një realitet të ri në media dhe nxitën popullin serb në luftëra. Pavarësia e Kosovës ishte arsyeja e kthimit të politikës nacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë në rajon dhe kthimi i Beogradit drejt Rusisë.
Pra, mediet e kontrolluara nga shteti, përkatësisht shërbimet publike shtetërore dhe tabloidët, u ngarkuan edhe një herë për të rikthyer ideologjinë e viteve ’90 në diskursin publik. Në këtë, merr pjesë aktive edhe Rusia, e cila përmes “fuqisë së butë” investon shumë në propagandë dhe ndikim në media.
Ashtu si BE-ja që vendosi të shfuqizojë kanalet ruse shtetërore dhe propaganduese në territorin e saj, ashtu edhe Perëndimi duhet të kërkojë shfuqizimin e mediave ruse luftnxitëse në Ballkan dhe të insistojë në medie të lira, veçanërisht në Serbi.
The Geopost: A e përdor Serbia nga Rusia për të ndikuar në problemet me Kosovën dhe si?
Kosova është spiranca e pranisë ruse në Ballkanin Perëndimor, Serbia është një aleate e besueshme. Rusia përdor me mjeshtëri “konfliktet e ngrira” për të kontrolluar ish-aleatët sovjetikë dhe për të përcaktuar kufijtë e interesave të saj gjeopolitike nga Transnistria në Moldavi, përmes Krimesë dhe Donbasit në Ukrainë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji, Nagorno-Karabahut në Azerbajxhan, deri në Lugina e Ferganës në Azinë Qendrore.
Sipas këtij modeli, Rusia po përpiqet të ndikojë në Ballkan përmes çështjeve të pazgjidhura në BeH dhe Kosovë. Duke qenë se nuk ka më “republika separatiste” në Kroaci, Rusia sot inkurajon separatizmin etnik serb në Bosnjë e Hercegovinë përmes Republika Srpska dhe në Kosovë përmes territoreve në veri të vendit.
Kujtojmë se në vitin 1999, menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s, paqeruajtësit rusë tentuan të pushtonin Aeroportin e Sllatinës në Prishtinë, për të mundësuar ndarjen e Kosovës në pjesën ruse dhe perëndimore. Për fat të mirë, ai operacion dështoi. Rusia po punon që vendet të mos e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe të bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Siç u zgjua “Bota Serbe” nga ngritja ushtarake e Rusisë, ashtu do të mposhtet në Ballkanin Perëndimor nga disfata ushtarake e Putinit në Ukrainë. Do të jetë disfata e dytë e madhe e “Serbisë së Madhe”, këtë herë pa armë. Megjithatë, organizatat ekstremiste pro-ruse në Serbi, BeH dhe Kosovë mund të bëhen një problem potencial i destabilizimit dhe konflikteve lokale. /The Geopost/