
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një takimi me ambasadoren e Kubës në Beograd, dezinformoi për gjoja “spastrimin etnik të serbëve në Kosovë” dhe “terrorin” e kryeministrit Albin Kurti.
Çfarë tha Vuçeviq:
“Kryeministri shprehu shqetësimin e tij për situatën në Kosovë dhe terrorin ndaj të cilit po ekspozohet çdo ditë populli serb, për shkak të përpjekjeve të Albin Kurtit për spastrimin etnik të krahinës jugore serbe. Ai theksoi se është e nevojshme të vendoset presion ndërkombëtar mbi Prishtinën që të mund të vazhdojë dialogu me Beogradin dhe të ndalet terrori mbi popullin serb, Vuçeviq në mënyrë të veçantë falënderoi Kubën që nuk e mbështeti Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila, sipas tij, nuk kontribuoi në stabilizimin e situatës në rajon dhe as përmirësimi i marrëdhënieve mes popullit serb dhe boshnjak”, thuhet në deklaratën e qeverisë së Serbisë, siç raportojnë mediat serbe.
Analiza:
Nuk ka asnjë fushatë të organizuar të spastrimit etnik të serbëve në Kosovë. Komuniteti serb gëzon mbrojtjen e misioneve ndërkombëtare si KFOR-i dhe EULEX-i, dhe autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje për integrimin e serbëve në sistemin politik dhe shoqëror të Kosovës.
Vuçeviq bën thirrje për presion ndaj Prishtinës për të vazhduar dialogun me Beogradin, por nuk përmend se autoritetet serbe, me mbështetjen e strukturave paralele serbe në Kosovë, shpesh kanë bllokuar përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova vazhdimisht e ka theksuar nevojën për dialog, ndërsa Beogradi e ka përdorur shpesh këtë temë si mjet për të fituar pikë politike në vend.
Gjithashtu, Beogradi përdor rregullisht narrativat politike për kërcënimin e serbëve si mjet për të ruajtur ndikimin e tij në veri të Kosovës.
Në fjalën e tij, Vuçeviq falënderoi Kubën për mosnjohjen e Rezolutës për Srebrenicën, e cila është gjithashtu pjesë e një politike më të gjerë të manipulimit të fakteve historike./The Geopost/