
Përpjekja e liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për ndarje paraqet krizën më të thellë të Bosnjës dhe Hercegovinës që nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, vlerëson Reuf Bajroviq, Bashkëkryesues i US-Europe Alliance me seli në Uashington, në një intervistë për The Geopost.
Bajroviq thekson se burim i kësaj krize është përpjekja e Dodikut që me ndihmën e Moskës të përfundojë projektin gjenocidal të nisur nga ish lideri i serbëve të Bosnjës, krimineli i luftës Radovan Karaxhiqit në vitin 1992. Ai konsideron se intervenimi i vendosur diplomatik i perëndimit, e në vecanti i SHBA-ve është jetike për ta penguar një krizë më të thellë.
Sipas tij Kisha Serbe është mjeti kryesor i Rusisë në Ballkan. Së bashku me mediat kryesore të kontrolluara nga Moska, Kisha Orthodokse Serbe është një mjet që garanton ndikimin e Putinit mbi serbët në të gjithë Ballkanin. Këtu përfshihet edhe Serbia, ku Putini me siguri do të synonte të rrëzonte Vuçiqin nëse vlerëson se Vuçiq po i drejtohet Perëndimit për çështje që Moska i konsideron interesa kyçe.
Në planin ballkanik Bajroviq vlerëson se pasi elementët pro-rusë morën pushtetin në Mal të Zi, rënia e Zoran Zaevit në Maqedoninë e Veriut është fitorja e dytë e Rusisë në rajon. Kosova dhe BeH janë sigurisht objektivat kryesore të asaj që do të vijojë në muajt e ardhshëm, thotë Bajoviq.
Kjo është intervista e plotë:
THE GEOPOST: Si e vlerësoni situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë sot?
Bajroviq: Bosnja dhe Hercegovina është në krizën më të thellë politike që nga Dejtoni. Shkak i asaj krize është vendimi i Millorad Dodikut që me ndihmën e madhe të Rusisë po përpiqet të përfundojë projektin gjenocidal të Radovan Karaxhiqit. Nuk ka dyshim se Dodik do ta shtyjë Bosnjen, por edhe të gjithë rajonin, në konflikte lufte, nëse nuk ndalet para se të ketë një shans për të ripërtërirë kryengritjen e vitit 1992, duke ndjekur shembullin e drejtpërdrejtë të Karaxhiqit. Ai mbështetet me gjithë zemër nga pjesë të BE-së (Orban, Jansha, Millanoviq), ndërsa shërbimi diplomatik i BE-së në mënyrë perfide bën të njëjtat gjëra si forcat ultra të djathta nga BE, të cilat menaxhohen nga (Presidenti rus Vladimir) Putini.
THE GEOPOST: A mund ta transferojë Dodiku përgjegjësinë për ushtrinë në Republikën Serbe?
Bajroviq: Nuk mundet. Përpjekja në vetvete është përmbysja e rendit kushtetues dhe fillimi i rebelimit që ai do të udhëheqë. Sarajeva vazhdon të luajë rolin më të rëndësishëm në krizë, pavarësisht keqdashjes së hapur të Moskës, lojës perfide të BE-së dhe indiferencës së Uashingtonit. Jam i bindur se përgjigja negative nga Sarajeva ndaj kërcënimeve dhe ofertave që do të pasojnë është ende garancia më e mirë se Dodik do të mposhtet në fund. Është e rëndësishme që Dodiku të detyrohet të tërheqë të gjitha lëvizjet që premtoi se do t’i tërhiqte, sepse aty përfundon loja diplomatike e udhëhequr nga zyrtarët perëndimorë dhe kjo bëhet më pas një problem politik i klasit të parë për Biden, por edhe për Erdoganin pashpjegueshëm paqësor. Të dy do të dëmtohen politikisht nëse shikojnë pasivisht autostradën e ferrit që Dodik hap diku pas 9 janarit, sipas shembullit të Radovan Karaxhiqit. Mjeti kryesor i forcave pro-boshnjake është se nuk ka më JNA (Armata Jugosllave) dhe se publiku është shumë më i pjekur se në vitin 1991 kur Yutel qetësoi viktimat e ardhshme të gjenocidit për nevojat e atyre që e planifikuan atë në atë kohë. Në Sarajevë naivët thuajse janë zhdukur, kanë mbetur vetëm ata që me vetëdije gënjejnë publikun në shërbim të Dodikut dhe Çoviqit dhe kjo detyrë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta përmbushur.
THE GEOPOST: Cili është ndikimi i Rusisë tek Dodiku dhe ne Bosnje dhe Hercegovinë në përgjithësi?
Bajroviq: Fuqia më e madhe e Dodik është se ai e kupton kontekstin ndërkombëtar më mirë se pothuajse të gjithë politikanët në Ballkan. Kjo ndoshta për shkak se ai ka shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për ekspertët më të mirë juridikë dhe politikë në Uashington dhe Bruksel për pesëmbëdhjetë vjet, me të cilët është tallur me naivitet në Sarajevë dhe në Banja Llukë për vite me radhë. Konteksti ndërkombëtar është i tillë që disa vende të BE-së (Sllovenia, Hungaria, Kroacia, Qipro dhe Greqia) e mbështesin hapur Dodikun dhe kjo është më se e mjaftueshme për të paralizuar të gjithë BE-në në drejtim të reagimit ndaj krizës së BeH. Dodik është mëse i vetëdijshëm se BE-ja pa dhëmbë nuk mund dhe nuk dëshiron ta ndalojë, përkundrazi! Berlini dhe Parisi do të bëjnë gjithçka për të përdorur institucionet e BE-së për t’i dërguar një mesazh Vlladimir Putinit se nuk janë ata që do të qëndrojnë në përputhje me dëshirat e tij në Ballkan me shpresën se kjo do të thotë se Rusia nuk do t’i pështyjë si e bën tani në Poloni duke dërguar mijëra emigrantë në atë vend.
THE GEOPOST: Në cilën pjesë të Ballkanit Rusia ka ndikimin më të madh?
Bajroviq: Kisha Serbe është mjeti kryesor i Rusisë në Ballkan. Së bashku me mediat kryesore të kontrolluara nga Moska, Kisha Orthodokse Serbe është një mjet që garanton ndikimin e Putinit mbi serbët në të gjithë Ballkanin. Këtu përfshihet edhe Serbia, ku Putini me siguri do të synonte të rrëzonte Vuçiqin nëse vlerëson se Vuçiq po i drejtohet Perëndimit për çështje që Moska i konsideron interesa kyçe. Njohja e pavarësisë së Kosovës është sigurisht në ballë.
THE GEOPOST: A mund ta zgjedhë Ballkani dhe BeH këtë agresion të Rusisë pa Amerikën?
Bajroviq: Ndoshta administrata e Biden do të ndërhyjë me masa të forta për të mbështetur integritetin e BeH në minutën e fundit – dhe ka njoftime të tilla pas dyerve të mbyllura – por është shumë më e përgjegjshme të jesh gati me të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur atë që duhet mbrojtur. Shtetet e Bashkuara do të jenë në anën e BeH dhe Kosovës në të gjitha debatet ndërkombëtare kur Dodik – ndoshta edhe Vuçiq – të fillojë dhunën. Pyetja e vetme është nëse mjafton kjo? Prandaj është e rëndësishme të jemi gati për një mundësi të tillë, sepse ne zgjedhim nëse do ta mbrojmë shtetin e BeH, pa të cilin boshnjakët bëhen palestinezë. Pra, në fund, varet nga ne!
THE GEOPOST: A e keni vënë re ndikimin e Kinës në Ballkan dhe mënyrat se si ajo vepron?
Bajroviq: Kina dhe Rusia kanë interesa të ndryshme në Ballkan. Kinezët janë të interesuar për ndikimin afatgjatë ekonomik, Rusia dëshiron të shkaktojë nivelin maksimal të paqëndrueshmërisë.
THE GEOPOST: Si e përdor Rusia Serbinë për të destabilizuar rajonin?
Bajroviq: Putini ka ndërtuar një pozicion kaq të fortë brenda vetë Serbisë, saqë ndonjëherë merr vendime në emër të autoriteteve në Serbi dhe pa pëlqimin e tyre. Dërgimi i ambasadorit rus Bocan Kharchenko në kufirin me Kosovën është një shembull i mirë i kësaj. Ministri Stefanoviq është padyshim në konflikt me Vuçiqin dhe fakti që ai shkoi në kufirin me Kharchenkon është më shumë se një sinjal i qartë për Vuçiqin se ai nuk po përpiqet t’i rezistojë urdhrave të Putinit. Rusët besojnë se veriu i Kosovës është një territor që ata mund ta përdorin përfundimisht për një zgjidhje të madhe me Shtetet e Bashkuara për ndryshimin e kufijve në Gjeorgji, Ukrainë, Kosovë dhe BeH. Nuk ka dyshim se BE-ja përfundimisht do të pajtohej me një gjë të tillë, sepse ajo vetë është nën një sulm hibrid nga Rusia në formën e një vale emigrantësh drejt Polonisë dhe kërcënimit të ndërprerjes së furnizimit me gaz nëse Nord Stream 2 nuk merr leje operimi.
Destabilizimi i Ballkanit është pjesë e strategjisë shumë më të gjerë të Rusisë por e cila inkuadron përgatitjet për një pushtim të ri të Ukrainës, kërcënimet ndaj shteteve baltike, përdorimin e operacioneve hibride brenda vetë BE-së dhe një rrjet të madh lobimi të përbërë nga oligarkë të afërt me Putinin, të cilët janë të përkushtuar të korruptojnë elitën politike në të gjithë Perëndimin. Gerhard Schroeder është shembulli më i mirë i asaj që Putini mund të arrijë duke shpenzuar para që synojnë blerjen e elitës politike dhe të biznesit në Perëndim.
THE GEOPOST: Si e shihni vizitën e Vuçiqit te Putini?
Bajroviq: Vuçiq po përpiqet të ulet në të paktën tre karrige dhe kjo është padyshim gjithnjë e më e vështirë të raportohet. Nga njëra anë Putini po e detyron t’i japë mbështetje të plotë çmendurisë së Dodikut, nga ana tjetër Amerika dhe BE-ja po e shpërblejnë me bollëk për ruajtjen e status quo-së. Himnet e Angela Merkelit drejtuar Vuçiqit në mes të Beogradit janë treguesi më i mirë i synimeve të gjithë BE-së.
THE GEOPOST: Po rënia e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut?
Bajroviq: Pasi elementët pro-rusë morën pushtetin në Mal të Zi, rënia e Zoran Zaev është fitorja e dytë e Rusisë në rajon. Kosova dhe BeH janë sigurisht objektivat kryesore të asaj që do të vijojë në muajt e ardhshëm. Mbetet të shpresojmë që kjo të bëhet e qartë për autoritetet në Tiranë. Edi Rama duhet të kuptojë se iluzioni që krijoi, të cilin po e mposhtin me Ballkanin e Hapur, është vetëm një mbulesë për agresionin e aleatëve të Putinit ndaj pjesës tjetër të rajonit.