
Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, tha në një konferencë sot se NATO kreu agresion kundër ish-Jugosllavisë në vitin 1999. Ai dezinformoi derisa tërhoqi edhe një paralele mes Kosovës dhe Ukrainës për të cilat tha se NATO punoi që Kosovën ta bëjë anti-serbe dhe Ukrainën anti-ruse.
Çka deklaroi Bochan-Kharchenko?
“Agresioni i NATO-s kundër RFJ-së (ish-federatës jugosllave) në vitin 1999 është një agresion i vërtetë në çdo kuptim të fjalës. Ishte një sulm ndaj një vendi që nuk ishte aspak një kërcënim për NATO-n dhe Amerikën si shtet anëtar. Dëshira është shpërbërja e Serbisë dhe shndërrimi i Kosovës në të ashtuquajturin shtet të pavarur.”
Ai tha se agresioni i NATO-s kundër RFJ-së ishte fillimi i shkatërrimit të së drejtës ndërkombëtare dhe tërhoqi një paralele midis Prishtinës dhe Kievit, duke deklaruar se NATO po punonte për të ashtuquajturën Kosova antiserbe, pasi Ukraina është antiruse.
Analiza:
NATO ndërhyri në Kosovë për të ndalur një agresion kundër shqiptarëve etnikë nga një regjim brutal i Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte përkrahje nga Rusia edhe në vitin 1999. Pra Bochan-Kharchenko po dezinformon kundër NATO-s kur thotë se kreu agresion, ndërsa arsyeja e ndërhyrjes ishte pikërisht për të ndalë një agresion.
Nga forcat e Millosheviqit u vranë mbi 13,500 njerëz, shumica shqiptarë dhe u zhvendosën 1.2 milionë shqiptarë të Kosovës. Kur Millosheviq refuzoi nënshkrimin e një marrëveshje në Rambuje, NATO u detyrua të ndërmarrë fushatën e bombardimeve për të ndalë krimet e regjimit serb që u intensifikuan. Sulmet ajrore zgjatën nga 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999 që rezultoi me tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova. Nga ajo kohë NATO në Kosovë ruan paqen për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie.
/G. Venhari, The Geopost