Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha në raportin e saj përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit në Gjeorgji se shumë çështje “ndikuan negativisht” në zgjedhje dhe gërryen besimin e publikut.
Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) publikoi raportin përfundimtar më 20 dhjetor.
OSBE-ja tha menjëherë pas zgjedhjeve të 26 tetorit se kishte regjistruar raste të blerjes së votave, votimit të dyfishtë, dhunës fizike dhe frikësimit. Raporti përfundimtar përsërit shqetësimet e organizatës dhe ofron rekomandime për të përmirësuar zgjedhjet në Gjeorgji.
“Çështje të shumta të vërejtura në raportin tonë përfundimtar ndikuan negativisht në integritetin e këtyre zgjedhjeve dhe gërryen besimin e publikut në proces,” tha Eoghan Murphy, i cili drejtoi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të 2024 të ODIHR në Gjeorgji.
Murphy u kërkoi autoriteteve në Gjeorgji që të adresojnë urgjentisht të gjitha shqetësimet rreth zgjedhjeve, të cilat i dhanë partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” më shumë se 54 përqind të votave, të mjaftueshme për të mbajtur kontrollin e qeverisë.
Kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze pranoi se raporti përfundimtar përmban “vërejtje kritike”, duke përfshirë shtypjen e votave.
“Në 76 për qind të vendvotimeve ku ka vëzhguar, OSBE/ODIHR nuk ka identifikuar fare parregullsi”, tha ai në një konferencë, duke shtuar se në raste të tjera ka pasur “parregullsi të izoluara” që janë identifikuar. “Këto kishin të bënin me futjen e gabuar të fletëvotimeve, rregullimin jo të duhur të qendrës së votimit, të ashtuquajturat rrjedhje, video incizim etj.
Sipas Kobakhidze, qeveria e “Ëndrrës Gjeorgjiane” është e gatshme të bashkëpunojë me OSBE-në për të zbatuar rekomandimet e saj.
Raporti i referohet miratimit të një ligji për “agjentët e huaj” të modeluar sipas një ligji të ngjashëm rus, në fillim të vitit, duke thënë se zgjedhjet u zhvilluan mes “shqetësimeve serioze për ndikimin e legjislacionit të miratuar së fundmi mbi liritë themelore dhe shoqërinë civile”.
Ligji, i cili urdhëron që organizatat që marrin fonde të konsiderueshme të huaja të regjistrohen si “agjentë të huaj”, hyri në fuqi më 1 gusht, duke shkaktuar reagime të rëndësishme nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas.
Raporti përfundimtar citon gjithashtu presionin ndaj votuesve dhe praktikat e ditës së zgjedhjeve që “kompromentuan aftësinë e disa votuesve për të votuar pa frikën e ndëshkimit”.
Përveç kësaj, ka pasur një mungesë të përgjithshme të përgjigjes ndaj ankesave në periudhën paszgjedhore, thuhet në raport, duke thënë se ODIHR-i “ka gjetur se rastet nuk janë shqyrtuar mjaftueshëm, duke kufizuar mjetet juridike”.
Raporti përsërit ndikimin negativ të “medias së polarizuar dhe të instrumentalizuar” dhe mbikëqyrjes së kufizuar të financimit të fushatës. Ai vë në dukje se kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe kandidatët në 18 lista partiake konkurruan, por “një çekuilibër i rëndësishëm në burimet financiare kontribuoi në fushën e pabarabartë të lojës”.
Demonstruesit filluan të mblidhen në qendër të Tbilisit menjëherë pas zgjedhjeve ndërsa kritikat u shtuan për parregullsitë e votimit. Protestat u intensifikuan pasi Kobakhidze njoftoi se Tbilisi do të pezullonte deri në vitin 2028 bisedimet me Brukselin mbi ofertën e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
ODIHR vëren se disa protesta u shpërndanë me dhunë, duke rezultuar në arrestime të shumta dhe akuza për brutalitet ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
ODIHR tha se shtypja e protestave me forcë dhe arrestimet e shumta “shkaktuan shqetësime të mëdha në lidhje me respektimin e angazhimeve ndërkombëtare për lirinë e tubimit paqësor”.