Mijëra protestuan të dielën në kryeqytetin e Serbisë, Beograd për të kërkuar që udhëheqësit të marrin përgjegjësinë për shembjen e çatisë së një stacioni treni që vrau 15 njerëz muajin e kaluar.
Për më shumë se shtatë javë, qeveria serbe ka qenë nën presionin e demonstratave mbarëkombëtare pas vdekjeve në qytetin verior të Novi Sadit, me shumë protestues që akuzojnë autoritetet për korrupsion dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme.
Protesta e së dielës e organizuar nga studentët e universitetit nisi me 15 minuta heshtje si nderim për 15 viktimat e incidentit.
Demonstrata pushtoi sheshin Slavija, një rrethrrotullim kyç, duke rënduar trafikun në qendër të qytetit.
“Shteti është pronë e fëmijëve” dhe “Protestat janë provime” shkruhej në disa nga pankartat e demonstruesve të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kryetarit të Novi Sadit dhe ndjekjen penale të fajtorëve.
Fermerë, aktorë dhe qytetarë të tjerë nga e gjithë Serbia kanë ardhur në mbështetje të studentëve.
Studentët kanë kërkuar gjithashtu heqjen e procedimeve ligjore ndaj demonstruesve dhe ndjekjen penale të sulmuesve që kanë sulmuar protestuesit.
Në përpjekje për të zbutur zemërimin dhe për të qetësuar protestat, autoritetet gjatë javëve të fundit kanë premtuar subvencione të ndryshme për të rinjtë.
Të premten, qeveria njoftoi planet për të mbyllur shkollat herët për pushimet dimërore.
Studentët vazhduan të protestojnë duke thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar vetëm pjesërisht.
Katërmbëdhjetë njerëz, të moshës nga gjashtë deri në 74 vjeç, u vranë më 1 nëntor kur çatia u shemb pas punimeve të mëdha rinovuese në stacion.
Viktima e 15-të vdiq në spital disa javë më vonë./VOA/

Nga Millosheviqi te Vuçiqi – Stradner: E njëjta strategji, propagandë për ta paraqitur veten si viktimë
Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga
“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës
Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën
Serbia dhe Uzbekistani paralajmërojnë bashkëpunim për raketa, analisti ngre pikëpyetje për interesat ruse
Von der Leyen pas varrimit të Mlladiqit: Vendet që lavdërojnë kriminelët e luftës nuk kanë vend në BE