Foto credit: Reuers
Kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër, deklaroi se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian.
“Rajoni (Ballkani Perëndimor) është përshkruar si një udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë edhe një poligon testimi për Evropën – vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë,” tha Starmer në fillim të samitit.
Në Londër, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe disa liderë të Bashkimit Evropian u takuan për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.
Starmer ishte nikoqir i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova – ndërsa Britania kërkon të bien dakord për masa të mëtejshme për të zvogëluar numrin e migrantëve që vijnë ilegalisht.
Mbretëria e Bashkuar është në negociata të vazhdueshme me disa nga vendet për të pritur të ashtuquajturat qendra të kthimit, ku Britania e Madhe mund të dërgojë azilkërkuesit e refuzuar para se të deportohen.
Bisedimet në samit u fokusuan në sigurinë, migracionin dhe rritjen ekonomike, dhe liderët diskutuan se si të përballen me “ndikimin dashakeq” të Rusisë, si dhe çrrënjosjen e korrupsionit dhe çështjet e përbashkëta të migracionit.
“Bosnja dhe Hercegovina shumë afër bisedimeve të anëtarësimit,” deklaroi Plenkoviç
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u tha gazetarëve në Londër se BE-ja është më e hapur ndaj zgjerimit se sa në vitet e mëparshme për shkak të sfidave të reja të sigurisë, transmetoi Radio Televizioni Kroat (HRT). Ai megjithatë tha se vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha reformat dhe të marrin përsipër legjislacionin e BE-së.
Bosnja dhe Hercegovina është shumë afër fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, u përgjigj kryeministri kroat kur u pyet se kur Bosnja dhe Hercegovina mund t’i hapë bisedimet që Këshilli Evropian i miratoi me kusht në mars të vitit të kaluar.
“Ka ende disa detaje të vogla, por mendoj se jemi shumë shpejt afër atij momenti. Pritet emërimi i kryenegociatorit dhe zëvendësve të tij të mundshëm, duke marrë parasysh strukturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe pas kësaj duhet të merren me reformat. Kroacia është më e angazhuara në mbështetje këtu dhe besoj se do të ndodhë shumë shpejt,” u përgjigj Plenkoviç.
Plenkoviç tha se kjo temë do të diskutohet në takimin e Këshillit Evropian më 23 tetor në Bruksel, nëse ka mundësi, por sigurisht në takimin e këtij organi në dhjetor, para të cilit është planifikuar një samit i ri BE – Ballkani Perëndimor.
Kurti kërkoi që Beogradit të mos i lejohet të veprojë ‘i pandëshkuar’
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur në një nga sesionet e samitit, tha se progresi i arritur në vendin e tij mbetet nën “hijën e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradit të mos i lejohet të veprojë “i pandëshkuar”.
Kurti theksoi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023 nuk duhet të injorohet. Ai kujtoi se Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore serbe në Kosovë që mbështetet nga Beogradi – mori përgjegjësinë për këtë sulm, por nuk po përballet me drejtësinë.
“Fqinji ynë armiqësor në veri nuk duhet të lejohet të veprojë i pandëshkuar, sepse kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të kalojnë pa u ndëshkuar,” tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia që të ekstradojë Radoiçiqin, ndërsa në vend po zhvillohet gjyqi kundër tre prej dhjetëra të akuzuarve në incidentin në Banjskë, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup serbësh të armatosur. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që përgjegjësit për Banjskën të përballen me drejtësinë.
Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, ndërkaq, deklaroi në Londër se Serbia duhet të dalë nga “rrethi vicioz i kushtëzimeve politike të papranueshme” që lidhen me statusin e Kosovës.
“Ne duhet të dalim nga ai rreth vicioz i kushtëzimeve të vazhdueshme politike, të cilat janë absolutisht të papranueshme për ne. Ne jemi vazhdimisht të kushtëzuar me hapa të caktuar drejt autoriteteve të përkohshme në Prishtinë,” tha Macut.
Ai theksoi se këto kushtëzime “nuk duhet të jenë gur pengese” për Serbinë.
Muaji i ardhshëm i rëndësishëm për integrimin evropian
Pasi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor javën e kaluar, muajin e ardhshëm komisionarja e Komisionit Evropian do të publikojë raportin e progresit për vendet e kësaj pjese të Evropës dhe do të mbahet një konferencë e posaçme për zgjerimin.
Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike e nisur në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, me qëllim që t’i afrojë vendet e rajonit me Bashkimin Evropian.
Ndër pjesëmarrësit e Samitit në Londër janë kryeministrat e Shqipërisë Edi Rama, kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH Borjana Krishto, i Malit të Zi Milojko Spajiç, i Kosovës Albin Kurti, i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe i Serbisë Gjuro Macut.
Kryeministri britanik Keir Starmer, përveç liderëve nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, priti në Samitin e Londrës edhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së, ndërsa Mbreti britanik Charles III shtroi një pritje për pjesëmarrësit.
Sipas njoftimit të mëparshëm të Ministrisë së Jashtme britanike, liderët do të diskutojnë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ndërsa si temë kyçe u theksua lufta kundër migracionit ilegal, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës.
Mbretëria e Bashkuar pret që samiti të forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të realizuar strategjinë e qeverisë për forcimin e kufijve, shkatërrimin e bandave dhe kthimin e atyre që nuk kanë të drejtë qëndrimi në vendet e tyre. U theksua gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar synon të rindërtojë marrëdhëniet me BE-në.
Deri më tani, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznań, Sofje dhe Tiranë.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit është një iniciativë ndërqeveritare që synon lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian dhe ndihmën për ndërtimin e marrëdhënieve të tyre reciproke bazuar në vlerat evropiane.
Është themeluar në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel.
Shërben si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë të zyrtarëve nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe fokusi është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, me rreth 18 milionë njerëz.
Qëllimi është që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në zhvillimin e infrastrukturës, uljen e papunësisë, rritjen e konkurrencës ekonomike, pajtimin reciprok, arsimin dhe ekologjinë.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, janë nënshkruar marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.
Gjithashtu, është rënë dakord për bashkëpunim në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, dixhitalizimit dhe romingut.
Samitet e Procesit të Berlinit mbahen një herë në vit, dhe i fundit ishte në tetor 2024 në Berlin./RSE/

Ukraina dhe Suedia nënshkruajnë kontratë afatgjatë për deri në 150 avionë luftarakë Gripen për Kievin
Parlamenti Evropian në projekt-rezolutën për Serbinë mbështet të drejtën e qytetarëve për protesta
Polonia arreston tetë persona për sabotim të dyshuar të lidhur me Rusinë, thotë Kryeministri Tusk
Asnjë takim Trump-Putin në të ardhmen e afërt – ja pse
BE-ja përgatit rrugë të reja tregtare — dhe një sfidë për Pekinin dhe Moskën — në Samitin e Luksemburgut
Zelensky i gatshëm t’i bashkohet bisedimeve Trump-Putin pas takimit ‘të sinqertë’ në Shtëpinë e Bardhë