Ndërkohë që Bullgaria tenton që nëpërmjet vetos për nisjen e bisedimeve euro-integruese të ndikojë te maqedonasit etnikë, Serbia duket se zgjodhi një metodë tjetër më efikase: Kisha Ortodokse Serbe (KOS) njohu autoqefalinë apo pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe fitoi zemrat e pjesës më të madhe të këtij populli. Edhe pse në shikim të parë duket si një problem thjesht kishtar, megjithatë ka rrënjë të thella në gjeopolitikën e rajonit.
Etnia maqedonase është e bazuar në tri shtylla identitare: gjuha maqedonase, historia e përbashkët dhe Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM). Të tre këto shtylla me dekada kanë qenë të kontestuara nga fqinjët, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi pretendojnë se nuk ka një etni të tillë. Greqia kontestoi emrin deri në vitin 2018, kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës që riemëroi vendin në “Maqedoni e Veriut”, kurse Bullgaria konteston gjuhën dhe historinë e popullit maqedonas. Në rastin e parë kemi ridefinim të kombit, në të dytin – tentim për ridefinim të etnisë.
Serbia, ndërkaq, nuk e njohu shtyllën e tretë identitare – Kishën maqedonase. Identiteti etnik është përkufizim i një grupi të njerëzve në bazë të veçorive të përbashkëta kulturore, të cilat e bëjnë të dallueshëm nga grupet tjera. Nëse identiteti kombëtar krijohet nga shteti, ai etnik është prodhim i kulturës.
Problemi me Serbinë ekziston që nga viti 1967, kur mitropolitët maqedonas vendosën njëanshëm të shkëputeshin nga KOS. Pra, KOS duket se i vuri pikë një kontesti 50-vjeçar të mosnjohjes së KOM. Më 19 maj kreu i KOS, Patriarku Porfir, qëndroi në Shkup ku ka mbajtur një liturgji të përbashkët me homologun e tij maqedonas, kryepeshkopin Stefan. Pikërisht në këtë eveniment kishtar u bë me dije se akti i pranimit të pavarësisë.
Ky vendim i KOS erdhi pasi Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, njohu pavarësinë e KOM-it. Ai kishte kohë që ishte angazhuar për të gjetur një zgjidhje, me të cilën KOM do të fitonte pavarësi nga KOS, si një proces i logjikshëm pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 1991. Në vitin 2020 Bartolomeu kishte ftuar në një takim në Stamboll kryeministrin e atëhershëm Zoran Zaev, i cili dy vite më parë kishte nënshkruar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, ku një ndër kushtet mësohet të ketë qenë edhe njohja e KOM nga Patriarkana e Kostandinopojës. Patriarku Bartolomeu është grek etnik dhe një mbështetës i Perëndimit. Në vitin 2018 ai pranoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse Ukrainase, gjë që shkaktoi një reagim të ashpër nga sinodi i Kishës Ortodokse Ruse, duke ndërprerë çdo kontakt me Kostandinopojën.
Rusia ka përdorur një kohë të gjatë përçarjen kishtare midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të shtrirë ndikimin në të dyja vendet paralelisht. Për të joshur zyrtarët e Shkupit, Moska në disa raste ka siguruar se do ta detyrojë KOS-in ta njohë autoqefalinë e KOM-it. Kisha Ruse madje ka luajtur rolin e ndërmjetësit në këtë kontest, por nuk ka arritur të zgjidhë këtë çështje.
Me pranimin e pavarësisë nga Bartolomeu, i ndjekur nga KOS-i, duket se Rusia po humbet një aset në Maqedoninë e Veriut që i siguron ndikim të madh me një kosto të ulët. Zyrtarisht kisha ruse ka përshëndetur pajtimin historik midis dy kishave të Ballkanit, duke mos treguar mllef si në rastin e njohjes së kishës ukrainase. Ky qëndrim ka ngjallur dilema nëse KOS po largohet nga Patriarkati i Moskës dhe afrohet me atë të Kostandinopojës, apo me këtë vetëm dëshirojë të forcojë ndikimin në Maqedoninë e Veriut, duke i krijuar kështu më shumë hapësirë edhe Rusisë.
Sidoqoftë, akti i pranimit të autoqefalisë së KOM-it nga ana e KOS-it ka rritur goxha simpatinë e opinionit maqedonas për Serbinë. Ky akt vjen në një kohë kur Bullgaria ka bllokuar procesin euro-integrues të Shkupit, duke e kushtëzuar të pranojë një kompromis që prek rëndë identitetin etnik të maqedonasve. Në këtë moment Serbia po shfaqet si shpëtimtare e këtij identiteti, gjë që krijon hapësirë për rritjen e ndikimit serb.
Shkruan: Xhelal Neziri, bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut