Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Shqipëria hap shkollën e fluturimit, fton Kosovën që ta shfrytëzojë për stërvitje

The Geopost July 4, 2026 4 min read
Share the news

Shqipëria ka hapur Shkollën Kombëtare të Fluturimit, teksa kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se do ta ftojë edhe Kosovën nëse ka interesim që të stërvis ushtarakët e saj në këtë shkollë.

Në ceremoninë që u zhvillua në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, afër Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Rama tha se kjo shkollë do të shërbejë si qendër rajonale trajnimi.

“Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, nëse ka interes për të stërvitur këtu dhe për të certifikuar këtu dhe pilotët të ardhshëm të Republikës së Kosovës dhe po ashtu të njëjtën gjë, edhe për dy vendet e tjera fqinje që janë dhe anëtare të NATO-s”- u shpreh ai më 07.03.2026.

Ndonëse nuk ka fluturake ushtarake, sikurse aeroplanë apo helikopterë, Forca e Sigurisë së Kosovës i dërgon në trajnime ndërkombëtare për pilotë pjesëtarët e saj. Pilotët e FSK-së kanë kryer trajnime edhe në Shqipëri në të kaluarën.

Sipas Qeverisë shqiptare, hapja e kësaj shkolle është e rëndësishme në modernizimin e Forcës Ajrore dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se Shkolla do të përgatisë pilotë dhe kontrollorë fluturimi sipas metodologjive më të avancuara të NATO-s – aleancë ku bën pjesë Shqipëria.

“Investimet në infrastrukturë, teknologji dhe mbi të gjitha, në zhvillimin e burimeve njerëzore janë pjesë e një strategjie afatgjatë, që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë, më të besueshme në kuadër të NATO-s”- tha Nufi.

25 kandidatët e parë do të ndjekin programin e formimit për pilotë dhe kontrollorë të fluturimit. Forca Ajrore Shqiptare do të ketë pesë pilotë të trajnuar në vit për secilin nga pesë vjetët e ardhshëm, si dhe personelin teknik mirëmbajtës të dy helikopterëve mësimorë, Bell 505.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se ky projekt do të ishte vështirë të realizohej pa përvojën e kompanisë izraelite “Elbit Systems”, që e cilësoi si një prej ekselencave globale të industrisë ushtarake.Rama tha se të rinjtë që do të certifikohen nga kjo shkollë nuk do të jenë thjesht pilotë të Shqipërisë, por të NATO-s, dhe do të fitojnë aftësitë për të shërbyer në çdo vend dhe për çdo trupë të forcave të NATO-s në rast nevoje.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se objektivi madhor i saj në fushën e mbrojtjes është që vendi të kthehet në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes.

Të mërkurën Qeveria shqiptare njoftoi se ka miratuar ndryshime në buxhetin për vitin 2026, sipas të cilit, rreth 110 milionë euro shtesë shkojnë për sektorin e mbrojtjes.Ministri i Financave, Petrit Malaj tha se, përmes ndryshimeve në buxhet, Qeveria do të përmbushë angazhimet që Shqipëria ka në raport me NATO-n.

“Për sektorin e mbrojtjes alokohen 10.3 miliardë lekë [rreth 110 milionë euro] shtesë duke garantuar që financimi i Mbrojtjes të shkojë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me objektivat dhe nevojat që ka ushtria për modernizim dhe rritje të kapaciteteve të saj”, tha ai.

Kryeministri tha të premten se me aktin e ri normativ të Qeverisë (ndryshimet në buxhet, që u miratuan më 30 qershor), një numër helikopterësh Black Hawk nga Shtetet e Bashkuara do t’i shtohen Forcave të Armatosura, pa specifikuar për sa helikopterë bëhet fjalë.

Shqipëria aktualisht ka dy helikopterë Black Hawk, të cilët mbërritën në janar 2024 si pjesë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ekip ushtarakësh amerikanë trajnoi tetë pilotë shqiptarë dhe në korrik të po atij viti dhe helikopterët Black Hawk fluturuan për herë të parë nën drejtimin e pilotëve shqiptarë. Objektivi afatgjatë i shpallur nga Ministria e Mbrojtjes është që deri rreth vitit 2030 Shqipëria të ketë një flotë prej gjashtë helikopterësh Black Hawk.

Rama njoftoi se do të bashkëpunohet sërish me kompaninë izraelite “Elbit Systems” për të hapur Shkollën Kombëtare të Forcave Speciale, e cila gjithashtu ka si synim të mirëpresë të interesuarit nga Kosova dhe vendet aleate të rajonit.

“Ambicia jonë është që të dyja këto pole të reja të edukimit edhe të transformimit të sistemit tonë të mbrojtjes, të kthehen në pole ekselence përtej kufijve të vendit tonë dhe garancia jonë për këtë janë miqtë dhe aleatët tanë të forcave të sigurisë, të forcave speciale, të forcave ajrore të Izraelit”- tha Rama.

Shqipëria synon që të zhvillojë industrinë ushtarake ‘Made in Albania’ për prodhimin e municioneve, armatimit të lehtë, mjeteve të blinduara, mjeteve të emergjencave civile dhe sistemeve civile pa pilot dhe sistemeve luftarake.

Shqipëria do ta rihapë Shkollën e Aviacionit në Vlorë, gati dy dekada pasi ishte mbyllur. Gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Italinë për prodhimin e anijeve luftarake në bazën detare të Pashalimanit në Vlorë si dhe do të fillojë prodhimin e dronëve luftarakë. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka theksuar gjithashtu se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore./REL

Tags: Edi Rama Kosova Shqipëria

Continue Reading

Previous: Margetiq ftohet të dëshmojë në Prokurorinë e Bosnjës në rastin “Safari i Sarajevës”: Do t’i dorëzoj të gjitha provat
Next: Vuçiq del sërish në mbrojtje të Radoiçiqit, ekspertët: Mesazh i rrezikshëm për rajonin

Demokratët Evropianë kundërshtojnë propozimin e Vuçiqit: Ballkani s’mund të anëtarësohet në BE si një bllok i vetëm 1 min read
  • Ballkan

Demokratët Evropianë kundërshtojnë propozimin e Vuçiqit: Ballkani s’mund të anëtarësohet në BE si një bllok i vetëm

The Geopost July 19, 2026
Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë 1 min read
  • Botë
  • News

Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë

The Geopost July 18, 2026
Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit 6 min read
  • Analiza
  • News

Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit

The Geopost July 18, 2026
Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor 3 min read
  • Botë
  • News

Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor

The Geopost July 18, 2026
BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes 2 min read
  • Botë
  • News

BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes

The Geopost July 18, 2026
Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve 3 min read
  • Botë
  • News

Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve

The Geopost July 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.