Eurodeputeti kroat Tonino Picula vlerësoi në Zagreb se negociatat e mëtejshme me Serbinë nuk duhet të vazhdojnë nëse ky vend nuk përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe vendos sanksione ndaj Rusisë.
“Vuçiq do të duhet të zgjidhë problemin se ku i takon në të vërtetë Serbia. Ajo nuk duhet t’i kthejë shpinën Perëndimit, por t’i bashkohet atij”, tha Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për rekomandimet për strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai tha këtë në një panel të organizuar nga Zyra e BE-së për ndikimin e situatës gjeopolitike në politikën e zgjerimit, strategjinë e re dhe ndryshimet e propozuara nga PE në procesin e anëtarësimit, transmeton agjencia Hina.
“Ne do të donim që negociatat e mëtejshme me Serbinë të vazhdojnë vetëm nëse ai vend përputhet me politikën e jashtme evropiane dhe vendos sanksione ndaj Federatës Ruse”, theksoi Picula, i cili prezantoi një strategji të re që duhet të miratohet nga PE në nëntor.
Ish-ministrja e Jashtme kroate, Vesna Pusiç, tha se mendon se Serbia përfundimisht do të përfundojë në mesin e vendeve të BE-së. Megjithatë, ajo shtoi se pyetja është se sa do të zgjasë dhe sa probleme dhe kërcënime të mundshme të sigurisë do të krijohen ndërkohë nga një politikë e tillë aktuale.
Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Pusiç vlerësoi se liderët aktualë politikë në atë vend kanë “frikë vdekjeje” nga BE-ja, sepse do të përfundonin në burg për shkak të korrupsionit, nëse hyjnë në BE.
“Prandaj janë kundër BE-së. Me liderët politikë Çoviq, Izetbegoviq dhe Dodik, Bosnja dhe Hercegovina nuk do të përparojë kurrë drejt BE-së”, tha ish-ministrja e jashtme kroate.
Eurodeputeti kroat Tomislav Sokol (HDZ) vlerësoi se Serbia është burim i destabilitetit në këtë pjesë të Evropës, e ndërthurur me shërbimin sekret rus.
Ai tha se Serbia ka një politikë ekspansioniste që është më e dukshme në Mal të Zi, si dhe se presidenti i Serbisë “ulet në dy karrige” dhe shikon BE-në me “gishtat e kryqëzuar në xhep”.
Duke folur për Bosnjën dhe Hercegovinën, Sokol tha se kroatët në atë vend janë të vetmit që duan realisht të anëtarësohen në BE./Beta

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
Mali i Zi dëbon drejtuesin e rrjetit rus ‘Ribar’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i përcjell drejt Beogradit
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan
Goditje ndaj rrjetit hibrid rus “Rybar”: Në Mal të Zi arrestohen Mihail dhe Valeria Zvinçuk
Të dërguarit e BE-së miratojnë listat e reja të sanksioneve ndaj Rusisë