Shkruan: Prof. Ibrahim Gashi
Agresioni i hapur i Federatës Ruse mbi shtetin e pavarur të Ukrainës dhe pozicionimet e qarta të një pjese të botës demokratike përballë situatës së re të krijuar kanë rritur shqetësimet mbi rikthimin e një rendi botëror të dominuar nga kërcënimi, pasiguria dhe nga një paqe e brishtë dhe e rrezikuar në çdo çast.
Që në vitet e para të këtij shekulli tensionet për paqen dhe sigurinë, botërore, që shpresohej se morën fund më mbarimin e luftës së ftohtë, filluan të rishfaqen njëra pas tjetrës. Terrorizmi që u mendua se do të jetë forma e luftërave të reja dhe kërcënimi i vetëm për vendet demokratike dhe të zhvilluara të botës, shpejt u pasua me luftime ndërmjet forcave autoritare dhe atyre reformatore si dhe shumë fraksioneve të brendshme sektare në vendet e Lindjes së Mesme, e njohur si “pranvera arabe”. Në vitin 2008 u rikthyen edhe invadimet ushtarake dhe ndërhyrjet e në sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti më të fortë ndaj një shteti më të dobët. Promotore e kësaj forme klasike të luftës ishte pikërisht Federata Ruse dhe udhëheqësi i saj autoritar Vladimir Putin, kur dha urdhrin për ndërhyrje ushtarake kundër shtetit të Gjeorgjisë (2008), duke i shkëputur atij dy krahina të banuara më përqindje më të madhe ruse, (Osetinë Jugore dhe Abkhazinë) dhe duke i njohur ato njëanshëm si shtetet të pavarura.
Federata Ruse do të vazhdoj politikën e saj agresive edhe ndaj ish republikave tjera të BRSS, parasë gjithash ndaj Ukrainës, si një nga shtetet më të mëdha që nuk ishte përfshirë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por që një pjesë e popullsisë dhe e lidershipit të saj po e manifestonte një afiliencë të tillë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Ukrainës, si nga aspekti ekonomik po ashtu edhe nga pozita e saj gjeostrategjike Kremlini filloi të paralajmëronte Kievin se nuk e dëshironte një Ukrainë në NATO as në BE, madje as një Ukrainë të pavarur dhe neutrale, por një Ukrainë ruse. Për të arritur këtë synim në politikën e tij ta jashtme agresive lideri më autoritar i kohës sonë, Vladimir Putin, duke ndjekur skenarin e Gjeorgjisë, vendosi ta godiste Ukrainën në pikën më neuralgjike por edhe më të dobët të saj, në atë të gadishullit të Krimesë. Në fakt fati i Krimesë por edhe i gjithë Ukrainës, siç e kemi parë, ishte i lidhur më preferencat e ndryshme te dy rrymave kryesore politike ne vend, njërës properëndimore dhe tjetrës pro ruse. Pasojë e drejtpërdrejtë e politikës pro ruse të Presidentit Yanukovich, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale te vitit 2010, është kriza e Krimesë, e cila filloi në nëntor të vitit 1913, në një kohë kur Presidenti Yanukovich abrogoi marrëveshjen e asociimit më BE-në dhe forcoi lidhjet më Moskën zyrtare. Një pjesë e ukrainasve filluan protestat në rrugë më kërkesë forcimin e lidhjeve me Evropën. Kësisoj edhe një herë po testohej disponimi dual i ukrainasve. Një pjesë e tyre me përkatësi etnike ruse ose me afiliencë politike pro ruse mbështetnin Presidentin Yanukovich, derisa pjesa tjetër me afiliencë politike pro evropiane mbështesnin opozitën e udhëhequr dhe kërkonin lirimin e ish-kryeministres Yulia Timoschenko të cilën regjimi i Yanukovich-it e kishte hedhur ne burg me akuzën për korrupsion. Situata eskaloi. Protestat e opozitës morën përmasa të mëdha gjatë dimrit 2013/2014. Ndërhyrja e autoriteteve ishte brutale. Rrugët e Kievit u mbushën me protestues dhe barrikada. Me urdhrin e presidentit prorus u përdorën armët dhe ranë viktimat e para. Demonstruesit antiqeveritarë zunë ndërtesa në qendër të Kievit, përfshirë ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë. Trazirat lanë 98 të vdekur, rreth pesëmbëdhjetë mijë të plagosur dhe 100 konsiderohen të zhdukur. Autoriteti i Presidentit Yanukovich filloi të lëkundej. Por largimi i tij nuk shënoi triumfin e opozitës. Në situatën shumë të nderë të krijuar në gadishullin e Krimesë, i cili dominohej numerikisht nga banorët më përkatësi ruse, shpërthyen trazirat dhe rebelim qytetar. Qytetarët rusë të Krimesë filluan ta sfidojnë rendin kushtetues duke i bërë thirrje Kremlinit zyrtar për ndërhyrje. Ky i fundit në mënyrë shumë të koordinuar, duke shfrytëzuar prezencën e madhe ushtarake në gadishull (një pjesë e flotës ruse ishte e stacionuar në ujërat e Krimesë për arsye strategjike, sipas marrëveshjes për pavarësinë e Ukrainës të vitit 1990). Më 18 mars 2014 Rusia dhe Krimea nënshkruan një traktat të aderimit të Republikës së Krimesë dhe Sevastopol-it në Federatën Ruse, edhe pse Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi në favor të një deklarate jodetyruese për të kundërshtuar aneksimin rus të gadishullit.
Epilogu i tillë i Krizës së Krimesë shërbeu si uverturë multiplikuese e këtij skenari edhe në pjesët tjera të Ukrainës, veçmas të Ukrainës Lindore të dominuar nga popullata me përkatësi etnike ruse. Në disa qytete në rajonet Donetsk dhe Lugansk, burra të armatosu, që e deklarojnë veten e tyre si milicia lokale, kishin konfiskuar ndërtesat qeveritare dhe stacionet e policisë. Bisedimet në Gjenevë mes BE-së, Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara rezultuan me një deklaratë të përbashkët diplomatike të referuar si Pakti i Gjenevës 2014, me të cilën kërkohej nga grupet e jashtëligjshme paramilitare të hiqnin dorë nga armët, të lironin ndërtesat qeveritare dhe t’i ktheheshin një dialogu politik që do të qonte në më shumë autonomi për rajonet e rebeluar. Bisedimet e Gjenevës nuk sollën pothuaj asnjë efekt të pritur. Zgjedhja e presidentit të ri ukrainas Poroshenko (i cili nuk njihet nga ekstremistët rusë, rrjedhimisht as nga vetë Rusia) dhe veçmas deklarata e tij në mbrëmjen e zgjedhjeve të datës 25 maj 2014 se “udhëtimi im i parë presidencial do të jetë për në Donbas dhe se “operacioni anti-terrorist i forcave qeveritare nuk do të zgjasë dy-tre muaj, por vetëm disa orë” shërbeu si impuls i ri për kryengritësit pro ruse, të cilët tashmë kishin shpallur autonominë e krahinave Donetsk dhe Lugansk. Në këso rrethanash Poroshenko iu drejtua Moskës për bisedime më ndërmjetësimin ndërkombëtar, kërkesë që u hodh poshtë nga Kremlini zyrtar me arsyetimin se Rusia nuk do të bisedojë asnjëherë për Ukrainën më ndërmjetës ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Presidenti Poroshenko ka deklaruar se sovraniteti i Ukrainës do të ruhet, madje duke premtuar se ka për të ndjekur deri në fund kthimin e Krimesë nën sovranitetin e Ukrainës.
Fundi i vitit 2021 dhe veçmas muajt e parë të këtij viti shpërfaqen planet agresive që Putin kishte ndaj shtetit fqinj të Ukrainës. Tani në kulmin e dimrit në kufirin ruso-ukrainas, Kremlini dërgoi rreth 150.000 trupa në një stërvitje ushtarake që mund të cilësohet si kërcënimi më i hapur dhe i drejtpërdrejtë ndaj territorit të Ukrainës. Trajektorja e zhvillimeve nga gjysma e muajit shkurt filloi të dinamizohet. Sipas një plani të mirë përgatitur Putin dhe aparati i tij ushtarak, nxiten popullsinë e dy regjioneve të banuara me shumicë ruse, Lugansk dhe Donetsk, që të shpallin pavarësinë nga Kievi. Sigurisht që ky skenar i Putinit tashmë lexohej lehtë. Siç edhe pritej Moska nxitoi që të njohë sovranitetin e shpallur të këtyre regjioneve dhe për të qene ironia e plotë e kësaj loje, Putin deklaroi që atje do të nisë një kontingjent ushtarak “paqeruajtës: për të mbrojtur këto dy entitete të vetshpallura si sovrane. Ky skenar në fakt përbente “pretekstin” e Putinit për të filluar agresionin ushtarak total mbi gjithë Ukrainën, me destinacion nënshtrimin e Kievit dhe kapjen ose vrasjen e kreut politik te pabindur, presidentit V. Zelenskit.
Tani kur nga data 24 shkurt, dita e fillimit të agresionit rus, edhe në ditën e pestë, Ukraina nuk po dorëzohet, përball një stuhie të paparë sulmesh raketore dhe artilerike ruse në të gjitha qytetet e mëdha pa zgjedhur fare caqet, në skenë ka dalur një heroizëm i paparë njerëzor i popullit dhe udhëheqjes atdhedashëse ukrainase në krye me presidentin Zelenski, duke ngjallur admirimin dhe simpatinë më të madhe të botës liridashëse anë e kënd globit. Këto akte të rezistencës heroike të popullit të Ukrainës kanë bërë që vendet e fuqishme të Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të ndjehen keq për injorimin që i kanë bërë seriozitetit të situatës duke reaguar fillimisht në mënyrë fare indolente dhe të fragmentarizuar.
Tani, në ditën e katërt, kur rezistenca dhe lufta dhëmb për dhemb në mbrojtje të Kievit, por mbi të gjitha fushata e sulmeve raketore, artilerike dhe ajrore ruse, kryesisht mbi caqe civile, duke lenë qindra civil të vrarë, si dhe një valë e madhe e refugjatëve ukrainas që po largohen në drejtim të vendeve fqinje, si duket kanë prekur ndërgjegjen por edhe sigurinë e vendeve demokratike të BE-së dhe të NATO-s. Reagimet e fundit të Shtëpisë së Bardhë, të NATO-s dhe të BE-së, janë në një sintoni të plotë dhe në përmbajtjen e tyre janë masat e duhura sa i takon ashpërsisë së tyre, por sigurisht relative sa i takon efekteve të shpejta që do të mund të prodhojnë. Si përgjigje ndaj këtyre masave, dhe veçmas vendimit të vendeve të BE-së për ta furnizuar Ukrainën, (si shtet nën sulm), më armë dhe masa e largimit të Federatës Ruse nga sistemi i SWIFT-it Putin ka dhënë urdhër ngritjen e shkallës më të lartë të alarmit dhe të gatishmërisë së armatimit bërthamor.
Në këtë situatë të re të krijuar shtrohet pashmangshëm pyetja kah po ecën rendi botëror? Një gjë tashme mund të pohohet më saktësi se agresioni ushtarak i Putinit në Ukrainë ka shënuar një ndryshim tektonik në politikën botërore dhe ka rrit rrezikun e konfrontimit të superfuqive dhe militarizimit të Evropës. Po ashtu, nëse ju referohemi deklaratës së presidentit francez E. Macron se “Bota duhet të përgatitet për një luftë të gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës pasi Moska filloi një pushtim të fqinjit të saj properëndimor”, apo deklaratës së djeshme të kongresistit demokrat nga Kalifornia Ro Khana sipas të cilit, “…Ukraina mund të përfundojë si Afganistani i Rusisë. Kjo me të vërtetë i lëndoi ata në Luftën e Ftohtë. Në planin afatgjatë, kjo do të jetë shumë e kushtueshme për Putinin, kështu që unë jam për sanksione dhe jam i hapur ndaj asaj që propozon administrata për atë që ne duhet të bëjmë për të ndihmuar ukrainasit nga perspektiva e mbrojtjes”. Edhe vendimi i djeshëm i kancelarit gjerman, në një seancë të jashtëzakonshme, të parën të mbajtur ditën e diel, për rritjen e buxhetit për ngritje të kapaciteteve ushtarake në 100 miliard euro dhe fjalimi i tij para Bundestagut ku Scholz e përshkroi sulmin rus në Ukrainë si një “pikë kthese” që kërkonte një përpjekje kombëtare gjermane për të ruajtur rendin politik dhe të sigurisë në Evropë. Në këtë linjë duhet parë edhe vendimin e djeshëm të BE-së që siç thuhet ‘për herë të parë ndonjëherë, Bashkimi Evropian do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera në një vend që është nën sulm”. Deklarata kryeministrit britanik B. Johnson,e dhënë me rastin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, “Jam i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë dhe kam folur me Presidentin Zelenskiy për të diskutuar hapat e ardhshëm. Presidenti Putin ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të përgjigjen me vendosmëri.”
Këto reagime të perëndimit të dhëna brenda katër ditëve të para nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe masat sanksionuese qe po pasojnë këto deklarata, veçmas ato ekonomike po e shpien rendin botëror drejtë një konfrontimi të ri, të një shtrirje dhe shkalle shumë të madhe, çfarë nuk e kemi parë që nga Lufta e Ftohtë. Është akoma herët të konstatojmë se bota po rrëshqet drejt një lufte te re te ftohtë, por sigurisht se kjo mund të diskutohet në nivel të analizës. Herët sepse ende nuk kemi parë pozicionim të pjesën tjetër të botës, përkatësisht fuqive të mëdha aziatike si Kina. Indiferenca e saj në këtë tensionim të ri nuk do të jetë e gjatë. Konsideroj se efektet që mund të ketë largimi i Rusisë nga SWIFT dhe ngrirja e aseteve të saj në botë do ta godisni drejtpërdrejtë marrëdhëniet tregtare të Rusisë më Kinën dhe kjo do ta shtyjë Kinën të qartësoj qëndrimin e saj. Pamja mbi të ardhmen e rendit botëror mund të qartësohet akoma më shumë, varësisht nga rrjedha dhe epilogu që mund të ketë lufta në Ukrainë.

Novosti dezinformon për takimin trilateral në Shkodër
Lista Serbe dhe Simiq dezinformojnë sërish për Ligjin për të Huajt, ndonëse i njëjti ligj ekziston edhe në Serbi
Zaharova përhap narrativë të rreme për “shpalljen e serbëve të huaj” në Kosovë
Fakte kundër propagandës: Si Petar Petkoviq manipulon lidhur me marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci
RT Balkan dezinformon në rastin e dënimit të Lazoviqit për krime lufte
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë shpërndan dezinformata rreth Kosovës