Gazetarja investigative finlandeze Jessikka Aro ka thënë se humbja e kandidatit pro-rus në zgjedhjet e fundit në Hungari nuk nënkupton domosdoshmërisht dështimin e propagandës ruse, por është tregues se një pjesë e audiencave po bëhen më të vetëdijshme dhe po krijojnë rezistencë ndaj manipulimit online.
Në emisionin “The Geotalks”, Aro tha se sot ka ende “shumë shpresë”, pasi njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se ekzistojnë trollë rusë në platforma si TikTok dhe Facebook, megjithatë paralajmëroi se ka ende “popullata të mëdha” që mbesin të cenueshme ndaj dezinformimit.
Sipas saj, këto grupe shpesh shfaqen si “xhepa” apo “sfera ndikimi”.
Ajo përmendi si shembull ish-Gjermaninë Lindore, ku – sipas sondazheve – rreth gjysma e të anketuarve besojnë se NATO është përgjegjëse për luftën në Ukrainë, një narrativë që Aro e cilësoi si teori konspirative dhe dezinformim të shtyrë nga Kremlini.
“Ne ende kemi shumë për të bërë. Dhe në luftën e informacionit, ka fitore për Kremlinin, dhe pastaj ka humbje masive, si rasti në Hungari”, u shpreh Aro.
Aro tha se një nga rreziqet më të mëdha të dezinformimit është se ai mund të “armatosë” njerëz realë, duke nxitur urrejtje dhe zemërim deri në përfshirje në konflikte.
Ajo deklaroi se që më shumë se një dekadë më parë kishte vërejtur se propaganda ruse po shpërndahej edhe në Finlandë, duke përhapur lajme të rreme dhe duke fajësuar Ukrainën për luftën, ndërsa – sipas saj – kishte raste kur individë finlandezë joshnin të merrnin pjesë në luftë në ushtrinë ruse.
Gazetarja përmendi gjithashtu zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016, ku tha se audienca reale amerikane ishte nxitur të dilte në protesta, disa prej të cilave të dhunshme, të organizuara përmes ftesave online nga trollë që pretendonin se ishin qytetarë amerikanë.
Aro tha se qytetarët duhet të fokusohen te përmbajtja dhe burimi i mesazhit: çfarë po thuhet realisht dhe a përsëriten narrativa tipike të Kremlinit.
Ajo përmendi si shembuj narrativash të rreme pretendime si: “SHBA, BE dhe NATO e shkaktuan luftën në Ukrainë”, “Rusia nuk dëshiron luftë”, apo se “lufta është konflikt i brendshëm/civil brenda Ukrainës”, duke theksuar se këto synojnë të zhvendosin fajin dhe të minimizojnë përgjegjësinë e Rusisë.
Po ashtu, ajo rekomandoi verifikimin e burimeve dhe kujdes ndaj mediave/faqeve të dyshimta, si dhe vigjilencë ndaj profileve me të cilat angazhohen përdoruesit në rrjete sociale.
Aro tha se modele të ngjashme propagande sheh edhe në Ballkan, duke përmendur se ka shqyrtuar luftën ruse të informacionit në Serbi, ku – sipas saj – studiues dhe gazetarë që publikojnë informacione mbi dezinformimin rus janë sulmuar ashpër, ndërsa narrativat e Kremlinit përhapen edhe nga media të njohura.
“Sulmet shpesh përfshijnë fushata shpifjesh, lajme të rreme dhe sulme të koordinuara troll, që ndonjëherë tejkalojnë internetin dhe kthehen në rrezik fizik”.
The Geopost

Nga propaganda te manipulimi: Rrëfimi i gazetares finlandeze që ekspozoi “fabrikat e trollëve” rusë dhe ndikimin e tyre global
Dodik ndjek retorikën e Vuçiqit, e quan “kërcënim” bashkëpunimin Kosovë–Shqipëri–Kroaci
Vuçiq del hapur pro Kremlinit, pajtohet me Lavrovin se BE-ja po e kthen Serbinë në “zonë tampon” kundër Rusisë
Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë”
Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë
Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së