Përhapja e dezinformatave dhe përmbajtjeve të manipuluara në rrjetet sociale po shënon rritje të ndjeshme edhe në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e publikut për zhvillimet vendore dhe ndërkombëtare.
Hulumtuesi i platformës verifikuese Hibrid.info, Festim Rizanaj, në një intervistë për emisionin “The Geotalks”, tha se konfliktet ndërkombëtare, veçanërisht ato në Lindjen e Mesme, janë shfrytëzuar gjerësisht për shpërndarjen e lajmeve të rreme.
Sipas tij, në rrjetet sociale kanë qarkulluar video të manipuluara, përfshirë materiale të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe madje edhe pamje nga videolojërat, të paraqitura si reale nga sulmet me raketa mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
“Janë publikuar edhe imazhe të rreme që pretendohej se paraqesin ngjarje të mëdha, si vrasja e liderëve botërorë, por që në fakt rezultojnë të jenë të gjeneruara me AI,” theksoi Rizanaj.
Një nga rastet më të përhapura së fundmi ishte pretendimi për një sulm të mundshëm ndaj kampit ushtarak amerikan Bondsteel në Kosovë. Sipas hulumtimit të Hibrid.info, ky lajm u ndërtua mbi dy elemente: publikimin e koordinatave të kampit në kanale në gjuhën serbe në Telegram dhe përdorimin e një harte të vjetër për rrezen e raketave balistike, e cila u paraqit gabimisht si plan sulmi nga Irani.
Rizanaj thekson se gjurmimi i burimit të dezinformatave mbetet sfidë, pasi rrjetet sociale u mundësojnë individëve anonimë të krijojnë dhe shpërndajnë përmbajtje pa kontroll editorial.
“Çdokush mund të hapë një faqe dhe të publikojë çfarë të dojë. Shpesh këto faqe përdorin prapashtesa si ‘news’ apo ‘info’ për të krijuar besueshmëri të rreme,” tha ai.
Sipas tij, motivet kryesore të këtyre përmbajtjeve janë përfitimi financiar përmes klikimeve dhe ndikimi politik, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Ai përmendi edhe përhapjen e sondazheve të rreme dhe deklaratave të pavërteta lidhur me postin e presidentit në Kosovë.
Një tjetër shqetësim mbetet përdorimi i përmbajtjeve emocionale të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të njohura si “engagement bait”, që synojnë të rrisin ndërveprimin dhe më pas të shfrytëzohen për qëllime të tjera.
Në këtë kontekst, Rizanaj vlerëson se mungesa e edukimit medial dhe digjital është një nga arsyet kryesore pse qytetarët bien pre e dezinformatave.
“Është krijuar perceptimi se çdo gjë që publikohet në internet është e vërtetë. Pa një edukim të mirëfilltë medial, audienca mbetet e pambrojtur ndaj manipulimeve,” u shpreh ai.
Ai rekomandon që qytetarët të ndjekin vetëm mediat kredibile dhe të verifikuara, si dhe të përdorin platforma të verifikimit të fakteve si Hibrid.info për të kontrolluar vërtetësinë e lajmeve.
Rizanaj paralajmëroi gjithashtu për përpjekjet e propagandës së huaj, veçanërisht asaj ruse, për të depërtuar në hapësirën digjitale shqiptare përmes platformave të automatizuara dhe përmbajtjeve në gjuhën shqipe.
Sipas tij, këto narrativa shpesh paraqesin Kosovën si precedent negativ dhe synojnë të ndikojnë opinionin publik në rajon.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes mediave, platformave verifikuese dhe vetë qytetarëve në luftimin e dezinformatave, duke shtuar se raportimi i përmbajtjeve të dyshimta nga publiku është një hap i rëndësishëm drejt një informimi më të saktë.

Edukimi medial çelësi kundër lajmeve të rreme – përvoja zvicerane në krahasim me Kosovën, flet Prita Bytyqi
Profesori universitar flet për rrezikun e dezinformimit në epokën e AI dhe propagandën ruso-serbe
Besa Luci në The Geotalks: Si ndodh manipulimi përmes emocioneve, propaganda, AI dhe ndikimi në Kosovë
Nis “The Geotalks” në The Geopost: Besa Luci flet për propagandën dhe rrezikun e dezinformimit
Bursaç për Geopost: Vuçiq nuk do t’i kthejë kurrë shpinën Putinit – Ballkani rrezikon të mbetet peng i botës ruso-serbe
“Ballkani, peng i narrativave të vjetra historike”, historiani gjerman: Kosova shembull i transformimit të shpejtë