Ish-deputeti dhe i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli ka folur për ngjarjet në Masakrë së Dubravës, duke e cilësuar atë si një ekzekutim masiv ndaj të burgosurve shqiptarë.
Në emisionin “The Geotalks”, Dugolli tha se në burg ndodhi “ekzekutim masiv, masakër klasike ndaj të burgosurve të cilët ishin duarlidhur, pa asnjë mbrojtje”.
“Serbia po ekzekutonte një plan morbid për shfarosjen dhe zhdukjen me dhunë të burgosurve shqiptarë”, deklaroi ai.
Sipas tij, pas bombardimeve, forcat serbe nisën ekzekutimet direkte ndaj të burgosurve.
“Më vonë ata filluan të ekzekutojnë, të zbatojnë planin klasik, ekzekutimin nga duart e tyre, nga Karakolli, nga muret hynin të maskuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, njësi elitare kryenin ekzekutim”, tha Dugolli.
Ai tregoi se deri më tani janë konfirmuar 116 të vrarë dhe 184 të plagosur, ndërsa fati i Ukshin Hoti vazhdon të mbetet i pazbardhur.
“Deri tani kemi një numër që janë të identifikuar, por nuk është përfundimtar sepse mund të ketë edhe të tjerë, janë të konfirmuar 116 të vrarë, një është i zhdukur, Ukshin Hoti, ndërsa 184 janë të plagosur”, u shpreh ai.
Dugolli foli edhe për mënyrën se si kishte arritur të mbijetonte nga masakra.
“Është çështje fati, asgjë e veçantë, siç thotë populli Zoti ka dashur që dikush të shpëtojë dhe në mesin e tyre jam edhe unë, as sot nuk e kam idenë si kam shpëtuar”, deklaroi ai.
Ai kujtoi edhe takimin me Ukshin Hotin në burgje, duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike të tij.
“Jam takuar me të, është moment i veçantë takimi me Ukshin Hotin, jemi njohur në burgun e Esremit të Mitrovicës, atje na kanë bashkuar, një javë para se të na transferonin në Nish dhe më pas në burgun e Dubravës, sepse Ukshin Hotin e kanë mbajtur të veçuar nga ne të burgosurit tjerë shqiptarë, e kanë mbajtur të izoluar me të burgosur serbë, aty kemi biseduar me të, kemi parë një shqetësim tepër të madh të tij, ai nuk tregonte por tregonte sjellja e tij, fytyra e tij, mimikat e tij se ai njeri ka përjetuar diçka tepër të rëndë dhe të tmerrshme”, tha Dugolli.
Ai shtoi se Hoti ishte torturuar vazhdimisht edhe në burgun e Nishit.
“Edhe në burgun e Nishit ka pasur një trajtim çnjerëzor, të veçantë sa herë e torturonin, ka qenë një torturë e porositur kryesisht ndaj tij, më pastaj në burgun e Dubravës një ditë para se t’i skadonte afati kur ai do të duhej të lirohej atë e nxorën në një ditë vikendi që ishte e pazakontë dhe nuk dihet më asgjë për fatin e tij”, deklaroi ai.
Dugolli kritikoi institucionet për mungesën e veprimeve konkrete për dokumentimin dhe trajtimin institucional të Masakrës së Dubravës.
“E vërteta për masakrën e burgut të Dubravës është e vërtetë e pamohueshme, tash kur gati po bëhen 3 dekada ne ende sillemi në vorbullën e narrativës dhe nuk kemi arritur ende të bëjmë një padi institucionale për këtë masakër dhe masakra të tjera, nuk kemi bërë një libër ku do të dëshmohen për ato vuajtje apo një film ku përmes artit do të depërtonte e vërteta e të prekte ndërgjegjen jo vetëm të shqiptarëve por edhe popujve të tjerë”, tha ai.
Në fund, ai theksoi nevojën që historia e luftës dhe vuajtjeve të shqiptarëve të përfshihet më shumë në sistemin arsimor.
“Mendoj që kemi shumë punë dhe borxh gjeneratave dhe atyre që nuk janë sot, që të vërtetën ta memorizojmë dhe ta kanalizojmë ashtu siç duhet, duhet të punojmë me kurrikulat shkollore që fëmijët tanë të mësojnë për historinë tonë të dhimbshme, për përpjekjet tona për t’u çliruar, për vuajtjet që kemi pasur, është e pafalshme që fëmijët tonë nuk dinë asgjë për atë periudhë, apo dinë vetëm sipërfaqësisht”, përfundoi Dugolli.
The GeoPost

Jason Steinhauer në The Geotalks: Beteja për të vërtetën në epokën e algoritmeve
Gazetarja zvicerane: Edhe Zvicra përballet me dezinformimin dhe propagandën
Dubrava mes kujtesës dhe harresës
Dugolli për Ukshin Hotin: E mbanin të izoluar… fytyra e tij tregonte se kishte përjetuar tmerr
Aro: Humbja e kandidatit pro-rus në Hungari nuk nënkupton dështimin e propagandës së Kremlinit
Nga propaganda te manipulimi: Rrëfimi i gazetares finlandeze që ekspozoi “fabrikat e trollëve” rusë dhe ndikimin e tyre global