Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara kanë rikthyer në vëmendje komunikimet e ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, me pedofilin Jeffrey Epstein, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi natyrën e marrëdhënies së tyre.
Miroslav Lajçak, ishte Emisar i Bashkimit Evropian, në dialogun Kosovë-Serbi. Ai me 31 janar 2025 përfundoi mandatin e tij pesë vjeçar.
Sipas mediave sllovake, në vitin 2018 Lajçak i kishte dërguar Epsteinit një mesazh nga Kievi, ku shkruante: “Përshëndetje nga Kievi. Thjesht dua ta konfirmoj se vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë”.
Pak më vonë, ai i dërgoi edhe një tjetër “përshëndetje nga Kievi”, të shoqëruar me një fotografi, e cila sipas raportimeve ishte e censuruar.
Ky komunikim është pjesë e mbi tre milion faqeve dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epstein, të cilat u bënë publike të premten e kaluar nga autoritetet amerikane.
Mediat në Sllovaki raportojnë se emri i Lajçakut shfaqet plot 346 herë në këto dokumente. Ndërkohë, sipas portalit Politico, emri “Miro” – siç e thërriste shpesh Epstein Lajçakun – figuron mbi 700 herë në materialet e publikuara.
Dokumentet zbulojnë një seri takimesh mes Lajçakut dhe Epsteinit, si dhe biseda miqësore që përmbajnë referenca të përsëritura për “vajzat”. Këto zbulime bien ndesh me qëndrimet e mëhershme mbrojtëse të zyrtarëve sllovakë.
Në nëntor të vitit të kaluar, kur u publikua pjesa e parë e komunikimeve mes dyshes, këshilltari i kryeministrit sllovak, Robert Fico, doli në mbrojtje të Lajçakut, duke deklaruar se kontaktet me Epsteinin kishin qenë thjesht shoqërore dhe në kuadër të detyrave diplomatike. Megjithatë, dokumentet e reja sugjerojnë se komunikimi mes tyre ka qenë shumë më intensiv dhe me tone dukshëm miqësore.
Nga shtatori i vitit 2017 për një periudhë njëvjeçare, Miroslav Lajçak shërbeu si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rol që e mbajti për një kohë të gjatë në New York, qytet ku Epstein ishte gjithashtu aktiv.
Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, i cili më vonë shërbeu edhe si i deleguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, ka mohuar vazhdimisht dhe me vendosmëri se ka pasur komunikime me Epsteinin lidhur me vajza.
Megjithatë, dokumentet e reja tregojnë se gjatë një vizite zyrtare në Ukrainë, ku Lajçak po merrte pjesë në një takim në Kiev me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, ai i dërgoi Epsteinit mesazhin në të cilin shkruante se “vajzat këtu janë të mrekullueshme”.
Në komunikime të tjera, Lajçak i dërgoi Epsteinit një fotografi nga Moska, e cila sipas dokumenteve ishte e censuruar. Epstein iu përgjigj duke thënë se do të preferonte “një pamje nga brenda”. Lajçak më pas i shkroi se “vajzat janë të jashtëzakonshme”, ndërsa Epstein vazhdoi bisedën duke i cilësuar ato si “eksporti më i mirë rus”.
Në një tjetër shkëmbim mesazhesh, Lajçak i shkruan Epsteinit se në atë moment nuk kishte asnjë vajzë me vete. Epstein i përgjigjet se ai ishte në shoqërinë e dy vajzave, gjë që sipas dokumenteve Lajçakut i dukej “padrejtësi”.
“Por unë nuk do të jem president”, i shkruan më tej Epstein, në një bisedë që dokumentet e reja e paraqesin si pjesë të një komunikimi të gjatë dhe të afërt mes dy burrave.
Kryeministri sllovak Robert Fico pranoi dorëheqjen e këshilltarit të tij Miroslav Lajçak, pasi emri i tij u shfaq në dokumente që lidhen me pedofilin Jeffrey Epstein.
Lajçak kishte ofruar më parë dorëheqjen e tij, dhe Fico e pranoi atë, megjithëse këshilltari i tij i hodhi poshtë akuzat nga dokumentet.
Duke komentuar informacionin rreth emrit të Lajçakut në dokumentet e Epsteinit, Fico deklaroi: “Nuk kam parë kaq shumë hipokrizi për një kohë të gjatë.”
The Geo Post

EUROPOL shënjestron propagandën online të Gardës Revolucionare të Iranit
Rusia po i detyron ushtarët e plagosur të rikthehen në luftime edhe pse nuk janë shëruar plotësisht
Trump: SHBA-të përgatiten për ‘sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit’ nëse nuk arrihet marrëveshja
Teknolgjia Brave1, Ukraina prodhon bombë ajrore me kokë luftarake 250 kilogramëshe
NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë
Pesë mënyra se si lufta e Iranit do ta ndryshojë përgjithmonë Lindjen e Mesme