Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Polonia nis hetim për terrorizëm pas zjarrit në fabrikën e prodhimit të dronëve

The Geopost September 1, 2026 3 min read
Share the news

Prokurorët polakë kanë nisur një hetim për terrorizëm pas një zjarri të dyshimtë në fabrikën e kompanisë së mbrojtjes WB Electronics në qytetin Skarżysko-Kamienna.

Sipas prokurorisë, zjarri i 31 gushtit ishte shkaktuar qëllimisht, përmes vendosjes së një pajisjeje shpërthyese me materiale të ndezshme në ambientet e fabrikës.

Kamerat e sigurisë dyshohet se kanë regjistruar një person të paidentifikuar, i cili mbante maskë në fytyrë dhe kishte hyrë në objekt pasi kishte kaluar një gardh. Pranë vendit të ngjarjes u gjetën gjithashtu një çantë shpine dhe një bluzë.

Prokuroria polake ka hapur hetim për pjesëmarrje në aktivitetet e një shërbimi të huaj inteligjent kundër Republikës së Polonisë, si dhe për kryerjen e një vepre terroriste.

Nga zjarri u shkatërruan disa ambiente magazinimi, ndërsa dëmet paraprake vlerësohen në të paktën 15 milionë zlotë, rreth 3.5 milionë euro, transmeton Telegrafi.

Edhe pse rasti po trajtohet si i rëndë, shërbimi lokal zjarrfikës deklaroi se zjarri nuk ishte i përmasave të mëdha dhe u vu nën kontroll për më pak se dy orë.

Pas shuarjes së flakëve, policia rrethoi zonën dhe nisi ekzaminimin e detajuar të vendngjarjes. Në hetim është përfshirë edhe një ekspert i specializuar për zjarret.

WB Electronics është kompania më e madhe private e industrisë së armatimeve në Poloni dhe një prodhues i rëndësishëm i sistemeve pa pilot.

Dronët e saj të zbulimit dhe sulmit përdoren edhe nga forcat ukrainase, ndërsa fabrika në Skarżysko-Kamienna prodhon komponentë për sisteme pa pilot që i destinohen ushtrisë polake.

Përfaqësuesi i WB Group, Remigiusz Wilk, theksoi rëndësinë strategjike të kompanisë për sigurinë kombëtare të Polonisë.

Ai tha se kompania është pjesë e një rrjeti të gjerë industrial dhe bashkëpunon me mijëra kompani në të gjithë vendin, përfshirë edhe gjigantë të industrisë polake të mbrojtjes.

Sipas Wilk, incidenti nuk pritet të shkaktojë vonesa në furnizimet për ushtrinë polake dhe prodhimi mund të rifillojë sapo autoritetet të përfundojnë punën e tyre në objekt.

Ngjarja ka ngritur shqetësime edhe për shkak se ishte zjarri i dytë i ngjashëm brenda vetëm 24 orëve.

Një ditë më parë, zjarrfikësit u thirrën për një zjarr në një magazinë në Lublin, në pronësi të një kompanie që prodhon pjesë për avionë.

Autoritetet polake nuk kanë konfirmuar deri tani se dy incidentet janë të lidhura, por zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme dhe Administratës, Karolina Galecka, tha se do të hetohet çdo pistë e mundshme.

Incidenti vjen gjithashtu në një periudhë kur vendet evropiane kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut të sabotazhit të lidhur me luftën në Ukrainë.

Raportime të mëparshme, duke cituar burime të inteligjencës perëndimore, kanë ngritur dyshime për operacione të lidhura me Rusinë kundër fabrikave të armatimeve dhe kompanive evropiane që furnizojnë Ukrainën.

Sipas këtyre raportimeve, objektivi i operacioneve të dyshuara është të shkaktojnë dëme dhe ndërprerje në infrastrukturën kritike pa kaluar pragun që mund të aktivizojë Nenin 5 të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive të aleatëve në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar.

Megjithatë, autoritetet polake nuk kanë akuzuar publikisht Rusinë për zjarrin në fabrikën e WB Electronics dhe hetimi për rrethanat dhe autorët vazhdon.

The GeoPost

Tags: Dronët Polonia

Continue Reading

Previous: Presidenti i Finlandës: Rusia nuk do të rrezikonte të sulmonte NATO-n, aleancën më të fortë në botë
Next: Trump: SHBA-ja do ta godasë ashpër Iranin

BE-ja zotohet për 6,1 miliardë euro për Ukrainën – përfshirë edhe për blerje ushtarake 2 min read
  • Botë
  • News

BE-ja zotohet për 6,1 miliardë euro për Ukrainën – përfshirë edhe për blerje ushtarake

The Geopost September 11, 2026
Empatia strategjike: Ndërtimi i kohezionit politik në të gjitha krahët e NATO-s 13 min read
  • Botë
  • News

Empatia strategjike: Ndërtimi i kohezionit politik në të gjitha krahët e NATO-s

The Geopost September 11, 2026
Suedia paralajmëron se ushtria robotike e Putinit po synon zgjedhjet gjermane dhe franceze 5 min read
  • Botë
  • News

Suedia paralajmëron se ushtria robotike e Putinit po synon zgjedhjet gjermane dhe franceze

The Geopost September 11, 2026
Kosova nderon viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2 min read
  • Botë
  • News

Kosova nderon viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit

The Geopost September 11, 2026
Budanov: Evropa më në fund po vetëdijesohet për luftën hibride të Rusisë 3 min read
  • Botë
  • News

Budanov: Evropa më në fund po vetëdijesohet për luftën hibride të Rusisë

The Geopost September 11, 2026
Rutte: Rusia është kërcënim afatgjatë, Evropa duhet të forcojë mbrojtjen dhe të rrisë mbështetjen për Ukrainën 5 min read
  • Botë
  • News

Rutte: Rusia është kërcënim afatgjatë, Evropa duhet të forcojë mbrojtjen dhe të rrisë mbështetjen për Ukrainën

The Geopost September 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.