Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Publikohet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran: Ja çfarë përmban dokumenti me 14 pika

The Geopost June 17, 2026 4 min read
Share the news

AL ARABIYA English ka siguruar një kopje të një marrëveshjeje me 14 pika, të cilën Uashingtoni dhe Teherani pritet ta nënshkruajnë të premten.

Sipas dokumentit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, do të shpallnin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Marrëveshja parashikon respektimin reciprok të sovranitetit, vazhdimin e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, heqjen e bllokadës detare amerikane, rikthimin e trafikut detar, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare, përjashtime për eksportin e naftës iraniane, lirimin e pasurive të ngrira të Iranit dhe një plan për rindërtimin ekonomik të Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë.

Në dokument, Irani do të përsëriste se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, ndërsa çështja e materialit të pasuruar dhe çështjet e tjera bërthamore do të zgjidheshin në marrëveshjen përfundimtare.

Deri atëherë, të dyja palët do të ruanin gjendjen ekzistuese: Irani programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja sanksionet dhe dislokimin ushtarak në rajon. Marrëveshja përfundimtare do të duhej të miratohej përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë formë, marrëveshja duket si një fitore e rëndësishme për Iranin. Teherani do të përfitonte nga heqja e bllokadës detare, rikthimi i eksporteve të naftës, qasja në pasuritë e ngrira, perspektiva e heqjes së sanksioneve dhe një plan ekonomik prej të paktën 300 miliardë dollarësh, ndërsa në këtë fazë prej tij kërkohet vetëm përsëritja e zotimit se nuk do të prodhojë armë bërthamore dhe ruajtja e gjendjes aktuale të programit bërthamor deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Marrëveshja në 14 pika:

Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, përmes nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi shpallin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Palët zotohen se nga ky moment nuk do të ndërmarrin veprime armiqësore ndaj njëra-tjetrës dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Marrëveshja përfundimtare do t’i konfirmojë këto dispozita.

Irani dhe SHBA-ja zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të palës tjetër.

Të dyja palët zotohen të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.

Menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit, SHBA-ja do të heqë bllokadën detare, do të ndalojë çdo pengesë ndaj Iranit dhe brenda 30 ditësh do të rikthejë trafikun detar në kapacitet të plotë. Trafiku do të jetë në nivelin e periudhës para luftës. SHBA-ja gjithashtu zotohen të tërheqë forcat e saj nga zonat përreth brenda 30 ditësh pas marrëveshjes përfundimtare.

Pas nënshkrimit të memorandumit, Irani do të ndërmarrë hapa për të rikthyer brenda 30 ditësh lëvizjen e anijeve tregtare nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas, në nivelin para luftës, duke përfshirë heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minave.

SHBA-ja, së bashku me partnerët rajonalë, do të hartojë një plan gjithëpërfshirës për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, me financim prej të paktën 300 miliardë dollarësh.

SHBA-ja do të heqë, sipas një afati të dakorduar në marrëveshjen përfundimtare, të gjitha llojet e sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë sanksionet e OKB-së, të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe masat e njëanshme amerikane.

Irani përsërit se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore. Çështja e materialit të pasuruar dhe çështjet e tjera të programit bërthamor do të zgjidhen në marrëveshjen përfundimtare.

Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, palët do të ruajnë gjendjen aktuale: Irani do të vazhdojë me statusin aktual të programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të forcojë praninë ushtarake në rajon.

SHBA-ja do të japë menjëherë përjashtime për eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve petrokimike dhe shërbimeve të lidhura me to, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin.

SHBA-ja do të lirojë fondet dhe pasuritë e ngrira ose të kufizuara të Iranit dhe do t’i vendosë ato në dispozicion të plotë.

Do të krijohet një mekanizëm zbatimi për të monitoruar zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe respektimin e detyrimeve.

Pas marrjes së garancive për fillimin e zbatimit të disa pikave të marrëveshjes, Irani dhe SHBA-ja do të hyjnë në negociata për marrëveshjen përfundimtare.

Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

The GeoPost

Tags: Irani SHBA

Continue Reading

Previous: Zelensky takohet me Trumpin në samitin e G7-ës, kërkon më shumë mbështetje për Ukrainën
Next: Si po shembet strategjia e Putinit për të formësuar politikën jashtë Rusisë?

Polonia mbyll përkohësisht aeroportet për shkak të operacioneve ushtarake 1 min read
  • Botë
  • News

Polonia mbyll përkohësisht aeroportet për shkak të operacioneve ushtarake

The Geopost September 18, 2026
Shaheen: Rusia po intensifikon luftën hibride, SHBA-ja duhet të godasë burimet e financimit të Kremlinit 2 min read
  • Botë
  • News

Shaheen: Rusia po intensifikon luftën hibride, SHBA-ja duhet të godasë burimet e financimit të Kremlinit

The Geopost September 18, 2026
Rusët pranojnë suksesin ukrainas: Debakël, situata është alarmante 4 min read
  • Botë
  • News

Rusët pranojnë suksesin ukrainas: Debakël, situata është alarmante

The Geopost September 18, 2026
A po përgatitet Polonia për luftë me Rusinë? 2 min read
  • Botë
  • News

A po përgatitet Polonia për luftë me Rusinë?

The Geopost September 18, 2026
Zelensky: Deri në 50 mijë trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi 2 min read
  • Botë
  • News

Zelensky: Deri në 50 mijë trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi

The Geopost September 18, 2026
Trump paralajmëron bazë të re amerikane në Poloni: Do të jetë hap historik 1 min read
  • Botë
  • News

Trump paralajmëron bazë të re amerikane në Poloni: Do të jetë hap historik

The Geopost September 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.