Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

“Zgjedhjet, dhuna dhe liria e shprehjes”, Këshilli i Evropës alarmon për demokracinë në Serbi

The Geopost June 24, 2026 3 min read
Share the news

Asambleja Parlamentare e Këshilli i Evropës (PSSE) ka miratuar një rezolutë ku shpreh shqetësim për gjendjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore në Serbi, duke vënë në dukje polarizimin e thellë politik, tensionet mes pushtetit dhe opozitës, si dhe problemet në funksionimin e institucioneve demokratike.

Rezoluta u miratua me 89 vota pro, 13 kundër dhe katër abstenime. Dokumenti u prezantua nga raportuesit e Komitetit Monitorues të PSSE-së, Viktorija Tiblom dhe Yunus Emre, pas një vizite në Beograd ku zhvilluan takime me përfaqësues të qeverisë, gjyqësorit, prokurorisë dhe shoqërisë civile.

Sipas raportit, skena politike në Serbi karakterizohet nga një polarizim i theksuar dhe tensione të vazhdueshme mes autoriteteve të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vučić dhe Partisë Progresive Serbe, në njërën anë, dhe opozitës, lëvizjes studentore dhe organizatave të shoqërisë civile, në anën tjetër.

Shqetësime për proceset zgjedhore

Raporti vlerëson se disa rekomandime të mëparshme të organizatave ndërkombëtare ende nuk janë zbatuar, veçanërisht ato që lidhen me parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike gjatë fushatave dhe përmirësimin e listave të votuesve.

PSSE shprehu gjithashtu shqetësim për parregullsitë dhe incidentet e raportuara gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura më 29 mars të këtij viti.

Megjithëse zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë planifikuar për vitin 2027, raporti nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Protestat dhe akuzat për përdorim force

Një pjesë e rëndësishme e rezolutës i kushtohet protestave që pasuan tragjedinë në Novi Sad në vitin 2024.

Sipas dokumentit, protestat e organizuara nga studentët dhe grupet e shoqërisë civile ngritën çështje që lidhen me përgjegjësinë institucionale, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.

Raportuesit theksuan se gjatë protestave janë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës, arrestime dhe frikësim të demonstruesve. Në raport përmendet edhe debati rreth përdorimit të mundshëm të një arme akustike, të njohur si “top sonik”, gjatë protestës së 15 marsit 2025 në Beograd.

Yunus Emre deklaroi se kjo çështje është aktualisht objekt shqyrtimi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ndërsa autoritetet serbe vazhdojnë të mohojnë përdorimin e një pajisjeje të tillë.

Probleme me lirinë e medias dhe shoqërinë civile

Rezoluta ngre gjithashtu shqetësime serioze për gjendjen e lirisë së shprehjes dhe pavarësinë e mediave në Serbi.

Sipas raportit, Autoriteti Rregullator për Median Elektronike (REM) mbetet i bllokuar që prej nëntorit 2024, pasi përbërja e tij nuk është rinovuar plotësisht.

Raportuesit shprehën shqetësim edhe për presionet dhe përpjekjet për frikësim ndaj organizatave joqeveritare, aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Në dokument përmenden gjithashtu raportet e publikuara nga Amnesty International dhe Rrjeti i Kërkimeve Ballkanike (BIRN), të cilat kanë ngritur shqetësime për mbikëqyrjen e gazetarëve dhe aktivistëve në Serbi.

Megjithëse raporti vlerëson disa reforma të ndërmarra në sistemin gjyqësor, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, ai thekson se mbeten ende sfida të rëndësishme.

Në përfundim, PSSE u bëri thirrje autoriteteve serbe të intensifikojnë përpjekjet për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare njoftoi se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet politike dhe institucionale në vend.

The GeoPost

Tags: Këshilli i Evropës Serbia

Continue Reading

Previous: “Pa nënshkrim dhe vulë”: Si manipuloi regjimi i Vuçiqit raportin rus për “topin zanor”
Next: SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Profesorë të lidhur me fondin rus të sanksionuar mbajtën leksione rreth ‘botës serbe’ në Podgoricë 5 min read
  • Ballkan

Profesorë të lidhur me fondin rus të sanksionuar mbajtën leksione rreth ‘botës serbe’ në Podgoricë

The Geopost September 24, 2026
Vuçiq tentoi të përfitojë politikisht nga takimi me von der Leyen, reagon KE: Ishte spontan, i shkurtër dhe i paparalajmëruar 2 min read
  • Ballkan

Vuçiq tentoi të përfitojë politikisht nga takimi me von der Leyen, reagon KE: Ishte spontan, i shkurtër dhe i paparalajmëruar

The Geopost September 24, 2026
Dy fytyrat e Serbisë: Vuçiq tenton të promovohet në SHBA, në Beograd vazhdon glorifikimi i Mlladiqit 3 min read
  • Ballkan

Dy fytyrat e Serbisë: Vuçiq tenton të promovohet në SHBA, në Beograd vazhdon glorifikimi i Mlladiqit

The Geopost September 23, 2026
Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga 5 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga

The Geopost September 23, 2026
Kriza pengmarrjeje në Ballkanin Perëndimor: Si e ka zënë peng regjimi i Vuçiqit rrugën evropiane të Serbisë? 10 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Kriza pengmarrjeje në Ballkanin Perëndimor: Si e ka zënë peng regjimi i Vuçiqit rrugën evropiane të Serbisë?

The Geopost September 23, 2026
Kryetari i Presidencës së BiH në OKB: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia është i papranueshëm, Republika Srpska kërcënon paqen 3 min read
  • Ballkan

Kryetari i Presidencës së BiH në OKB: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia është i papranueshëm, Republika Srpska kërcënon paqen

The Geopost September 23, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.