Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar se Beogradi mund të ndërhyjë në rrjedhën e lumit Ibër, pas prishjes së disa objekteve pa leje ndërtimi në zonën e Ujmanit.
Vuçiq tha se autoritetet serbe tashmë kanë angazhuar ekspertë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
“Ne tashmë i kemi ftuar ekspertët që merren me këtë, sektorin e ndërtimit, inxhinierët dhe të tjerët. Kur ata tashmë po i ngacmojnë kaq shumë njerëzit tanë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Deklarata e tij ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje nëse një ndërhyrje e tillë është teknikisht e realizueshme dhe çfarë pasojash do të kishte për furnizimin me ujë, energjinë dhe popullsinë përgjatë rrjedhës së lumit.
Inxhinieri civil dhe profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Civile, Jovan Despotoviq, e ka cilësuar idenë si të pakuptimtë nga pikëpamja hidroteknike.
“Kjo do të ishte absolutisht e papranueshme nga pikëpamja e ligjit të ujit të Bashkimit Evropian në nivelin e pellgut të Danubit, të cilit i përket Ibri. Nuk ka të bëjë fare me logjikën e shëndoshë. Çfarëdo që mund të thuhet është pak, pasi është e pakuptimtë në kuptimin hidroteknik ose të menaxhimit të ujit”, ka thënë Despotoviq për “Vreme”.
Sipas tij, një projekt i tillë do të ishte një ndërmarrje inxhinierike jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe me pasoja të mëdha.
Despotoviq ka vlerësuar se deklarata e Vuçiqit mund të jetë bërë në mënyrë metaforike, si pjesë e retorikës politike dhe reagimit ndaj zhvillimeve në Kosovë.
Ibri buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në territorin e Kosovës. Në pjesën veriore të Kosovës, lumi është bllokuar nga diga, e cila ka krijuar liqenin artificial të Ujmanit.
Liqeni dhe infrastruktura e lidhur me të kanë rëndësi strategjike për furnizimin me ujë dhe sistemin energjetik të Kosovës.
Sistemi Ibër-Lepenc furnizon me ujë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe ekonomisë së Kosovës, ndërsa infrastruktura hidroenergjetike në zonën e Ujmanit është pjesë e rëndësishme e sistemit të ujit dhe energjisë.
Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e madhe në rrjedhën e Ibrit do të mund të kishte pasoja përtej një zone të caktuar dhe do të prekte komunitete të ndryshme që varen nga këto burime ujore.
“Vendimi për të zhvendosur rrjedhën e lumit do të ndikonte në mënyrë të pashmangshme në të gjithë popullsinë vendase në Kosovë, jo vetëm te shqiptarët”, ka thënë Despotoviq.
Ai ka theksuar se Serbia përballet me probleme të tjera në sektorin e ujërave dhe energjisë që, sipas tij, do të kërkonin investime dhe planifikim më serioz.
Pengesat ligjore
Përveç vështirësive teknike, ndryshimi i rrjedhës së një lumi ndërkufitar do të përballej edhe me kufizime dhe detyrime nga e drejta ndërkombëtare.
Ibri është lumë ndërkufitar dhe rrjedha e tij prek territorin e disa shteteve.
Serbia dhe Mali i Zi janë palë në Konventën e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, e cila përcakton parime për përdorimin e arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve.
Ndërhyrjet që do të ndryshonin ndjeshëm regjimin e rrjedhës së ujit do të kërkonin vlerësim të ndikimit dhe marrjen parasysh të pasojave për territoret dhe komunitetet në rrjedhën e poshtme.
Megjithatë, Vuçiq nuk ka dhënë detaje konkrete se ku, si dhe në çfarë forme do të mund të realizohej një ndërhyrje e tillë.
Nga Prishtina, deklaratat e Vuçiqit janë cilësuar si shqetësuese dhe të papranueshme.
Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është hera e parë që një ide e tillë përmendet nga presidenti serb. Ai e kishte ngritur këtë çështje edhe në vitin 2024, por më pas ishte distancuar nga ideja, duke thënë se nuk dëshironte që natyra të përdorej për qëllime politike.
Këtë herë, megjithatë, Vuçiq ka thënë se ekspertët tashmë janë angazhuar për të shqyrtuar çështjen, pa dhënë detaje mbi ndonjë projekt konkret.
Ndërsa për ekspertët, një ndërhyrje e tillë nuk paraqet vetëm një sfidë të jashtëzakonshme teknike, por do të kishte potencialin të shkaktonte pasoja serioze për menaxhimin e ujërave dhe marrëdhëniet ndërkufitare.
The GeoPost

Reagimi i Shqipërisë për Ibrin e irriton Vuçiqin, presidenti serb sulmon Kosovën me akuza të pabaza
Nga “The Kyiv Independent” te “Ukrainska Pravda”: Si e raportuan mediat ukrainase reagimin e Kosovës ndaj Zelenskyt
Deputeti ukrainas: Njohja e Kosovës mund të rikthehet në agjendën e Kievit pas luftës
Regjisori serb akuzon Vuçiqin pas dhunës fizike ndaj tij: Ai kontrollon gjithçka që ndodh në Serbi
Deklarata e Zelenskyt, reagon deputeti Goncharenko: Është gabim diplomatik, ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës
Stojkoviq godet Vuçiqin: Gati të shkatërrojë lumin dhe jetën e njerëzve vetëm për hakmarrje