Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke vlerësuar se deklarata të tilla nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Annita Hipper, gjatë konferencës për media të mërkurën, tha se çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen përmes dialogut.
“Do të nis me çështjen kryesore, e cila është deklarata e bërë, përfshirë edhe atë për ndryshimin e rrjedhës së lumit. Këto veprime nuk e mbështesin qëllimin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut”, tha Hipper.
Ajo rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i lidhur me procesin e integrimit evropian.
“Po ashtu, rikujtojmë se progresi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për avancim në rrugëtimin evropian”, shtoi zëdhënësja e BE-së.
Deklaratat e Hipperit erdhën pas kërcënimit të Vuçiqit se Serbia mund të shqyrtojë ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, në një reagim ndaj zhvillimeve në zonën e Gazivodës.
Presidenti serb tha se autoritetet në Beograd kanë angazhuar ekspertë për të shqyrtuar këtë çështje, pa dhënë detaje konkrete se si do të realizohej një ndërhyrje e tillë.
Gjatë konferencës, një gazetar e pyeti zëdhënësen e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, nëse çështja e Ibrit mund të lidhet me një rast në Shqipëri, për të cilin është thënë se një projekt në Zvërnec mund të ketë pasoja për procesin e integrimit evropian nëse vazhdon.
Podesta tha se Komisioni Evropian nuk dëshiron të spekulojë për ndikimin e rasteve të veçanta në procesin e zgjerimit, duke theksuar se situatat nuk janë të njëjta.
“Në përgjithësi, ne nuk spekulojmë për procesin e anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë se, vetëm pse themi diçka në një rast, duhet ta themi gjithmonë. Situatat janë të ndryshme”, tha Podesta.
Reagimi i BE-së vjen në një kohë kur tensionet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të larta, ndërsa dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas BE-së, përparimi në këtë dialog mbetet një element i rëndësishëm edhe për avancimin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
The GeoPost

I dyshuari për spiunazh në Kosovë i ka kërkuar BIA-s që të përdorë “dajakun” për të siguruar votat për Vuçiqin
Këta janë 35 të pandehurit për krime lufte ndaj Jasharëve në Prekaz
Aktakuzë ndaj 35 personave për masakrën në Prekaz
BE: Spiunimi i paligjshëm në Serb është i papranueshëm
Kryeterroristi Milan Radoiçiq bëhet pronar i pesë parcelave në Novi Pazar
Aktakuza për plagosjen e Vukashinoviqit: Familja përmend lidhjet e të dyshuarit me Milan Radoiçiqin