Serbia shpall 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore në Kosovë, pak ditë para zgjedhjeve.
Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Serbisë ka shpallur konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet e saj shëndetësore që funksionojnë në zonat me shumicë serbe në Kosovë, vetëm tri ditë para zgjedhjeve parlamentare të parakohshme që mbahen më 28 dhjetor.
Ky është rasti i dytë brenda këtij viti që Beogradi shpall vende të reja pune në prag të zgjedhjeve, veprim që është kritikuar nga institucionet e Kosovës si ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në proceset zgjedhore.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, konkurset përfshijnë punësime gjashtëmujore në institucione shëndetësore në: Graçanicë, Shtërpcë, Mitrovicë të Veriut, Gjilan, Obiliq, Fushë Kosovë, Zubin Potok.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se janë në proces edhe 50 vende shtesë pune, të shpallura më 22 dhjetor.
Në njoftimin zyrtar thuhet se punësimet synojnë “përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore për serbët në Kosovë”, duke e paraqitur këtë si dëshmi të “kujdesit të shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.
Lidhje të drejtpërdrejta me Listën Serbe
Shpallja e konkurseve përkon me fushatën zgjedhore në Kosovë, ku merr pjesë edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi.
Zyrtarë të kësaj partie drejtojnë disa nga institucionet shëndetësore ku po hapen vendet e reja të punës.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Veriut, ndërsa kandidatja për deputete Mirjana Dimitrijeviq drejton Qendrën e Mjekësisë Familjare në Graçanicë.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë është kritikuar edhe nga parti të tjera serbe në Kosovë, të cilat e kanë cilësuar këtë veprim si manipulim të votuesve përmes premtimeve për punësim.
Ngjashëm, para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Serbia kishte shpallur një konkurs për institucionet shëndetësore në Kosovë, i cili u anulua pas protestave për mungesë transparence dhe punësime partiake.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë se po ndërhyn në proceset zgjedhore në Kosovë përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare.
Gara politike në komunitetin serb
Në zgjedhjet e së dielës, nga subjektet politike serbe garojnë:
Lista Serbe
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e drejtuar nga Nenad Rashiq
Aleanca Kosovare, e Goran Marinkoviqit
Shpallja e konkurseve për punësim nga Serbia, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, po shihet nga kritikët si një instrument politik që rrezikon integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Musliu: Konkursi i Serbisë ndërhyrje e qëllimshme në sovranitetin e Republikës së Kosovës
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, këtë e ka cilësuar si veprim si ndërhyrje të drejtpërdrejtë, të qëllimshme dhe shumë të ashpër në sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Sipas Musliut, kjo nuk është hera e parë që Serbia ushtron presion të tillë ndaj Kosovës.
Ai theksoi se thirrje të hapura dhe eksplicite janë bërë edhe më herët nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Marko Gjuriqi, e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë”, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë serbë.
Ai vlerësoi se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto deklarata dhe veprime janë bërë edhe në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sikur të ishin të pranueshme, duke shtuar se Serbia po tenton ta normalizojë ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Kosovës.
Musliu tha se qytetarët po kushtëzohen përmes mbështetjes financiare, ndalimeve në kufi, ushtrimit të presionit dhe shantazhit, si dhe përmes fushatave propaganduese dhe intimiduese, me qëllim të pengimit të pluralizmit politik dhe detyrimit të qytetarëve për të votuar Listën Serbe.
Sipas tij, presioni ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë qytetarëve serbë në Kosovë është rritur ndjeshëm.
Ai përmendi edhe Millan Radoiqiqin, për të cilin tha se ka urdhëruar kryesinë e Listës Serbe që të bëjë gjithçka për të siguruar dhjetë mandate, duke paralajmëruar pasoja në të kundërtën.
Eksperti i sigurisë theksoi se Kosova, me Kushtetutën dhe ligjet e saj, u garanton të drejta të plota serbëve lokalë dhe të gjitha pakicave, duke shtuar se askush nuk po ua mohon këto të drejta.
“Ajo që nuk mund të pranohet është që një shtet tjetër t’i përdorë qytetarët si mjet presioni politik dhe t’i mbajë peng për interesa shtetërore dhe elektorale,” tha Musliu.
Në fund, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, duke shtuar se, pavarësisht presionit të lartë, serbët lokalë po përpiqen t’i rezistojnë, por ende nuk kanë guxim t’i raportojnë rastet./TheGeoPost.

Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve
Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit
Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi
Hulumtuesi kroat zbulon lidhjet e errëta të Veselinoviqit me Vuçiqin dhe Dodikun
Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc
FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën