Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën

The Geopost January 30, 2026 4 min read
Share the news

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqen kudo në botë ku ka nevojë, duke komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump, në kuadër të planit për rindërtimin e Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta.

Sipas Kurtit, përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar përfaqëson vazhdimësinë e angazhimit të saj në përpjekjet globale për paqe dhe stabilitet.

Përmes Bordit të Paqes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të ndërmjetësojnë dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e konflikteve globale, përfshirë situatën në Gazë.

Duke folur për herë të parë publikisht për këtë bord, Kurti theksoi se pjesëmarrja e Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me kontributin e saj në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, ku Kosova ka qenë e angazhuar përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai përmendi në veçanti rolin e komandantit të FSK-së, gjeneral-lejtnant Bashkim Jashari, duke nënvizuar kapacitetet profesionale të kësaj force.

“FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se përvoja e Kosovës në misione të tilla e bën atë një partnere të besueshme në iniciativa ndërkombëtare të paqes.

Kryeministri në detyrë iu referua gjithashtu pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të mbajtur në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, ku u diskutua formimi dhe funksionimi i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë Kurti, duke lënë të kuptohet se Kosova synon të ketë rol aktiv jo vetëm në terren, por edhe në proceset politike që lidhen me paqen dhe stabilitetin.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese dhe plani për Gazën

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese parashihet të jetë një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe, me mandat të Kombeve të Bashkuara, e cila do të formohet në bazë të planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për paqe në Gazë.

Ky plan, sipas burimeve ndërkombëtare, është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore – në tetor të vitit 2025.

Megjithëse detajet për mandatin dhe përbërjen e kësaj force ende nuk janë bërë publike në tërësi, besohet se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese do të ketë përgjegjësi për ofrimin e sigurisë dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se komandanti i kësaj force është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë amerikane, Jasper Jeffers, i cili aktualisht shërben si komandant i operacioneve speciale të SHBA-së.

Kurti ka theksuar se një ndër arsyet kryesore pse Kosova po angazhohet në iniciativa të tilla ndërkombëtare është përvoja e saj historike si vend përfitues i paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”, ka deklaruar ai.

Bordi i Paqes dhe roli i Kosovës

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicrës, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, dhe synon të mbikëqyrë udhëheqjen dhe tranzicionin politik të Rripit të Gazës në periudhën pas konfliktit. Kosova në këtë ngjarje është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka nisur në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 persona në Izrael dhe mori qindra pengje.

Si kundërpërgjigje, operacionet ushtarake izraelite në Gazë kanë shkaktuar mijëra viktima, krizë të thellë humanitare dhe shkatërrime të mëdha të infrastrukturës.

Në këtë kontekst, autoritetet kosovare vlerësojnë se angazhimi në Bordin e Paqes dhe në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese përbën një kontribut të drejtpërdrejtë të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe rindërtim pas konfliktit.

The Geo Post

Tags: Bordi i Paqes Donald Trump FSK Gaza Kosova SHBA

Continue Reading

Previous: Der Standard: Vuçiq synon ta vendosë drejtësinë serbe nën kontroll të drejtpërdrejtë politik
Next: Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc

Skandali i Serbisë në Mal të Zi, si po zhduket mbështetja edhe nga njerëzit e afërt të Vuçiqit në Podgoricë 6 min read
  • Ballkan

Skandali i Serbisë në Mal të Zi, si po zhduket mbështetja edhe nga njerëzit e afërt të Vuçiqit në Podgoricë

The Geopost June 16, 2026
Vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim i pasurisë dhe spastrim etnik – Dosja e PSRK-së ndaj 5 të arrestuarve për masakrën e Reçakut 7 min read
  • Ballkan

Vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim i pasurisë dhe spastrim etnik – Dosja e PSRK-së ndaj 5 të arrestuarve për masakrën e Reçakut

The Geopost June 16, 2026
A e di Antonio Costa kush është Aleksandar Vuçiq? 3 min read
  • Ballkan

A e di Antonio Costa kush është Aleksandar Vuçiq?

The Geopost June 16, 2026
Mali i Zi i kundërpërgjigjet Vuçiqit për ‘luftë hibride’: Akuzat e Serbisë intensifikohen sa herë që afrohemi drejt BE-së 2 min read
  • Ballkan

Mali i Zi i kundërpërgjigjet Vuçiqit për ‘luftë hibride’: Akuzat e Serbisë intensifikohen sa herë që afrohemi drejt BE-së

The Geopost June 15, 2026
Pesë të arrestuarit për krime lufte ishin të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut 4 min read
  • Ballkan

Pesë të arrestuarit për krime lufte ishin të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut

The Geopost June 14, 2026
Pesë persona arrestohen në operacionin për hetimin e krimeve të luftës në rastin “Reçaku II” 2 min read
  • Ballkan
  • News

Pesë persona arrestohen në operacionin për hetimin e krimeve të luftës në rastin “Reçaku II”

The Geopost June 14, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.