Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Serbia glorifikoi Mlladiqin, Vuçiqi viktimizohet pas reagimit të BE-së

The Geopost September 9, 2026 3 min read
Share the news

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Evropian pas funeralit të Ratko Mlladiqit në Beograd, duke e zhvendosur vëmendjen nga glorifikimi publik i një të dënuari për gjenocid te ajo që ai e paraqiti si presion ndaj Serbisë.

Mlladiqi, i dënuar me burgim të përjetshëm nga mekanizmi gjyqësor i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u varros të hënën në Beograd në një ceremoni ku u shfaqën elemente të qarta nderimi ndaj tij. Ai njihet gjerësisht si “Kasapi i Ballkanit”.

Funerali nxiti reagim të ashpër nga krerët e dy institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Të dy i cilësuan “shokuese” pamjet nga funerali dhe shprehën keqardhje për praninë e disa zyrtarëve serbë, duke e lidhur këtë me dështimin e Serbisë për t’u përballur me të kaluarën e saj dhe me vlerat evropiane drejt të cilave pretendon të ecë.

“Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve serbë në varrim është për keqardhje të thellë”, thanë Von der Leyen dhe Costa në deklaratat e tyre.

Në vend që të përqendrohej te kritikat për mënyrën se si u përcoll Mlladiqi, Vuçiqi zgjodhi të sfidojë vetë reagimin evropian.

Në një prononcim për RTS, presidenti serb tha se ka respekt për Von der Leyen dhe Costan, duke i cilësuar ata si persona që, sipas tij, “kanë qenë gjithmonë në anën e Serbisë”.

Por, duke komentuar reagimin e tyre për funeralin e Mlladiqit, Vuçiqi pyeti:

“Si mendoni t’u përcaktoni njerëzve se kush mund të shkojë në funeral dhe kush jo, e pastaj të tronditeni nga pamjet nga Beogradi?”

Me këtë deklaratë, Vuçiqi e zhvendosi debatin nga çështja kryesore – glorifikimi i një figure të dënuar për gjenocid – te e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në funeral.

Megjithatë, kritika e udhëheqësve evropianë nuk lidhej thjesht me pjesëmarrjen e qytetarëve në funeral. Në fokus ishte mënyra se si një person i dënuar për gjenocid u përcoll me nderime dhe, veçanërisht, prania dhe mbështetja e elementeve zyrtare serbe.

Pas kësaj, Vuçiqi e zgjeroi retorikën edhe në çështjen e sigurisë, duke thënë se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për “fuqinë e saj” dhe raportin e saj me Evropën.

Ai pretendoi gjithashtu se Serbia po përballet me krijimin e “aleancave ushtarake” në rajon.

“Ata kanë krijuar aleanca ushtarake! Kroacia, Prishtina dhe Tirana, jo ne! Dhe tani thonë: Serbia po armatoset?”, deklaroi Vuçiqi.

Presidenti serb tha se vendi i tij do të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin, të përparojë dhe të forcojë ushtrinë.

Kështu, reagimi i Vuçiqit pas kritikave të BE-së ndjek një narrativë të njohur të Beogradit: në vend që debati të përqendrohet te përgjegjësia për mënyrën se si Serbia e trajton trashëgiminë e luftërave të viteve ’90 dhe figurat e dënuara për krime, vëmendja zhvendoset te pretendimet për kërcënime ndaj Serbisë dhe te viktimizimi i saj përballë Perëndimit.

Funerali i Mlladiqit e riktheu në qendër të vëmendjes pikërisht këtë kontrast: ndërsa institucionet evropiane kërkuan që një person i dënuar për gjenocid të mos glorifikohet, nga Beogradi u panë skena nderimi dhe prani zyrtare.

Dhe pas reagimit të Brukselit, Vuçiqi nuk dha llogari për këtë kontrast, por e paraqiti Serbinë si palë të kërcënuar dhe nën presion.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq BE Serbia

Continue Reading

Previous: Serbë nga fronti në Ukrainë me mesazhe kërcënuese për Kosovën (Video)
Next: “Ka ardhur koha për masa më të ashpra”: Picula kërkon fundin e tolerancës së BE-së ndaj Serbisë dhe Vuçiqit

Shiroka-Pula u bën thirrje shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë të votojnë në zgjedhjet në Serbi 1 min read
  • Ballkan
  • News

Shiroka-Pula u bën thirrje shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë të votojnë në zgjedhjet në Serbi

The Geopost October 24, 2026
Stradner akuzon regjimin e Vuçiqit për propagandë dhe sulme ndaj saj dhe dy kongresistëve amerikanë 2 min read
  • Ballkan

Stradner akuzon regjimin e Vuçiqit për propagandë dhe sulme ndaj saj dhe dy kongresistëve amerikanë

The Geopost October 23, 2026
KE-ja e mbron delegacionin vëzhgues të zgjedhjeve të PE-së të cilin e kundërshton Serbia 3 min read
  • Ballkan
  • News

KE-ja e mbron delegacionin vëzhgues të zgjedhjeve të PE-së të cilin e kundërshton Serbia

The Geopost October 23, 2026
Vuçiqi përballet me sfidën më të madhe politike, zgjedhjet nën hijen e dyshimeve për manipulim 6 min read
  • Ballkan
  • News

Vuçiqi përballet me sfidën më të madhe politike, zgjedhjet nën hijen e dyshimeve për manipulim

The Geopost October 23, 2026
“Marshim taktik nga Udbina deri te Kalaja e Kninit”, FSK dhe ushtarët e rajonit përmbyllin trajnimin në Kroaci – nuk merr pjesë vetëm Serbia 2 min read
  • Ballkan
  • News

“Marshim taktik nga Udbina deri te Kalaja e Kninit”, FSK dhe ushtarët e rajonit përmbyllin trajnimin në Kroaci – nuk merr pjesë vetëm Serbia

The Geopost October 23, 2026
Shqiptarët dëshirojnë katër mandate të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi 2 min read
  • Ballkan
  • News

Shqiptarët dëshirojnë katër mandate të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi

The Geopost October 23, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.