Një vendim i Gjykatës së Lartë në Beograd në një rast përdhunimi gjatë luftës në Vukovar ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe grupet që mbështesin viktimat e dhunës seksuale, pasi gjykata e lidhi besueshmërinë e dëshmisë së viktimës me faktin se ajo nuk kishte kërkuar kompensim financiar nga autori i krimit.
Ish-anëtari i Mbrojtjes Territoriale Serbe, Jovan Radan, u dënua në mesin e qershorit me shtatë vjet burg për përdhunimin e një gruaje tri herë gjatë rrethimit të Vukovarit në vitin 1991.
Në arsyetimin e vendimit, Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd theksoi se dëshmia e viktimës ishte e besueshme edhe për shkak se ajo nuk kishte paraqitur kërkesë për kompensim pasuror.
“Dëshmia e saj nuk është e anshme dhe e motivuar nga dëshira për hakmarrje apo ndonjë përfitim material, duke pasur parasysh se pala e dëmtuar deklaroi se nuk po kërkon asgjë në lidhje me të drejtat pronësore”, thuhet në vendim.
Ky arsyetim ka nxitur kritika të forta nga ekspertët ligjorë dhe organizatat që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Jovana Kolarić nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Serbi tha se ky është rasti i parë në të cilin një gjykatë e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë besueshmërinë e viktimës me ushtrimin ose jo të së drejtës së saj për të kërkuar kompensim.
Sipas saj, një qasje e tillë është veçanërisht problematike në rastet e dhunës seksuale, ku viktimat përballen me traumë, stigmatizim dhe paragjykime.
“Kjo krijon përshtypjen se dëshmia e viktimës është më e besueshme vetëm nëse ajo heq dorë nga një e drejtë e garantuar me ligj. Një mesazh i tillë është i rrezikshëm dhe mund të dekurajojë viktimat që të kërkojnë drejtësi”, tha Kolariq.
Gjykata e Lartë në Beograd nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar këtë pjesë të arsyetimit.
Organizatat: Viktimat nuk duhet të heqin dorë nga të drejtat për t’u besuar
Qendra Kroate për Gratë Viktima të Luftës “Rosa” vlerësoi se besueshmëria e një viktime nuk mund të kushtëzohet me faktin nëse ajo kërkon apo jo kompensim.
Edhe Shoqata e Grave Viktima të Luftës nga Sarajeva paralajmëroi se vendime të tilla u dërgojnë mesazhe të gabuara viktimave.
“Një qasje e tillë mund të krijojë përshtypjen se viktimat duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre për t’u konsideruar më të besueshme, gjë që mund të dekurajojë raportimin e krimeve dhe kërkimin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), theksoi se drejtësia për viktimat nuk nënkupton vetëm dënimin e autorit.
“Drejtësia përfshin edhe rehabilitimin, kompensimin e drejtë, njohjen e dëmit të shkaktuar dhe garancinë se krime të tilla nuk do të përsëriten”, tha Rushiti.
Ajo shtoi se shumica e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës përballen me trauma të thella, stigma dhe mungesë mbështetjeje, gjë që e bën procesin gjyqësor po aq të vështirë sa vetë krimin.
Vetëm pak raste janë gjykuar
Sipas Qendrës për të Drejtën Humanitare, deri më tani në Serbi janë përpunuar vetëm 13 raste që lidhen me dhunën seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë pasur si objekt ekskluzivisht krimet e dhunës seksuale.
Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është miratuar kërkesa e viktimave për kompensim në kuadër të procedurës penale.
Organizatat theksojnë se praktika e referimit të viktimave në procese civile për të kërkuar dëmshpërblim i ekspozon ato ndaj traumave të reja dhe shpesh i dekurajon të vazhdojnë procedurat.
Dënimet konsiderohen të ulëta
Rasti i Jovan Radanit është një nga pesë rastet e dhunës seksuale gjatë luftës që janë gjykuar në Beograd. Sipas organizatave monitoruese, dënimet në këto raste kanë qenë vazhdimisht pranë minimumit ligjor prej pesë vitesh.
Një tjetër e mbijetuar e përdhunimit në Vukovar, e identifikuar vetëm me inicialet S.M., deklaroi se autorët e përdhunimit të saj u dënuan me gjashtë vjet burg, por nuk e vuajtën kurrë dënimin pasi u mbrojtën në liri dhe më pas vdiqën.
Megjithatë, ajo u bën thirrje grave që të mos heshtin.
“Ato duhet ta nxjerrin nga vetja atë që kanë përjetuar. Heshtja na ha nga brenda, na sëmur dhe shkatërron familjet”, tha ajo.
Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, për çdo rast të raportuar të përdhunimit gjatë luftës ekzistojnë nga 10 deri në 20 raste që nuk raportohen, kryesisht për shkak të frikës, traumës dhe stigmës sociale.
Dekada pas luftërave në ish-Jugosllavi, shumë viktima vazhdojnë të mbeten pa drejtësi, ndërsa një numër autorësh nuk janë ndëshkuar.
Edhe Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku drejtësia për viktimat mbetet ende e kufizuar.
Sipas Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), rreth 20 mijë persona besohet se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Megjithatë, më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, numri i rasteve të përfunduara me vendim gjyqësor mbetet shumë i vogël.
Rreth 100 raste të dhunës seksuale gjatë luftës janë nën hetim në Kosovë, ndërsa deri më tani janë dhënë vetëm katër aktgjykime, prej të cilave vetëm një është i formës së prerë.
Mbi 1.600 persona ende figurojnë të zhdukur
Ndërkohë, plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura edhe për shkak të fatit të personave të zhdukur.
Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, mbi 1.600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me forcë që nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të presin zbardhjen e fatit të më të dashurve.
Lufta në Kosovë la pas mbi 13 mijë të vrarë, kryesisht civilë shqiptarë, ndërsa qindra masakra dhe krime lufte të kryera nga forcat serbe mbeten ende pa u ndëshkuar.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë theksuar vazhdimisht se mungesa e përgjegjësisë për krimet e luftës dhe vonesat në proceset gjyqësore pengojnë pajtimin dhe lënë mijëra viktima pa drejtësi.
Në këtë kontekst, kritikët e vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd paralajmërojnë se çdo arsyetim gjyqësor që vë në dyshim të drejtat e viktimave, në vend që t’i mbrojë ato, rrezikon të dekurajojë raportimin e krimeve dhe të dëmtojë më tej besimin në sistemin e drejtësisë.

Marton: Vuçiq po abuzon me Ushtrinë Serbe, po rikthen simbolet e politikave të Millosheviqit
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Demokratët Evropianë kundër deklaratave të Vuçiqit për Kosovën: E ardhmja evropiane nuk ndërtohet me narrativa nacionaliste
Petkoviq me narrativa propaganduese, përdor ceremoninë fetare në Prizren për sulme politike ndaj Kosovës
“Banjska nuk ndodhi pa dijeninë e Beogradit”, Janjiq: Nëse Radoiçiq flet, Vuçiq mund të përballet me pasoja
Mesazh kërcënues nga Beogradi: Vuçiq para ushtarëve me retorikë të rrezikshme ndaj Kosovës