Screenshot
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, u përfshi në një përplasje të ashpër me një gazetare të Euronews gjatë një bisede për Rusinë, sanksionet dhe Kosovën, ndërsa deklaratat e tij ngritën pyetjen se sa e varur është në të vërtetë Beogradi nga Moska.
Daçiq e ndërpreu disa herë gazetaren, e cila po përpiqej ta pyeste pse Serbia vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe nëse një politikë e tillë është vërtet në interes të Serbisë.
Gjatë bisedës, Daçiq e ndërpreu disa herë gazetaren, duke i thënë: “Duhet t’ju ndërpres. Do të dal nga studioja nëse më ndërprisni”.
Kur gazetarja insistoi që t’i lejohej ta bënte pyetjen, Daçiq iu përgjigj: “Mos flisni në mënyrë urdhëruese”.
Pjesa më e diskutueshme erdhi kur Daçiq u përpoq ta zhvendoste pyetjen për politikën shtetërore te vetë gazetarja.
“Le të themi se jeni ju ministre e Punëve të Jashtme. Çfarë do të bënit?”, e pyeti Daçiq.
Kur gazetarja u përgjigj se ajo është gazetare dhe se nuk është aty për të udhëhequr politikën e jashtme të Serbisë, pasoi komenti: “Nuk do të bëheni kurrë”.
Gazetarja iu përgjigj se nuk kishte ambicie të bëhej ministre dhe se roli i saj ishte të bënte pyetje.
Debati më pas kaloi te çështja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe arsyet për të cilat Beogradi refuzon t’i bashkohet politikës së Bashkimit Evropian ndaj Moskës.
Daçiq hodhi poshtë pretendimet se po mbron interesat ruse.
“Unë këtu nuk jam në anën e Rusisë, jam në anën e Serbisë”, u shpreh ai.
Megjithatë, shpjegimi i tij i mëtejshëm tregoi se pikërisht mbështetja ruse për Beogradin në lidhje me Kosovën është një nga arsyet kryesore përse Serbia nuk dëshiron t’i ndërpresë lidhjet me Moskën.
“Na duhet një dorë tjetër. Na duhen miq që do ta zëvendësojnë Rusinë”, tha Daçiq, duke shpjeguar nevojën e Serbisë për të ruajtur aleatët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se fuqitë e mëdha i bazojnë veprimet e tyre kryesisht në interesat e tyre, duke theksuar se kështu veprojnë si Rusia, ashtu edhe Perëndimi.
Gazetarja, megjithatë, këmbënguli në pyetjen se cili është interesi afatgjatë i Serbisë dhe nëse ruajtja e marrëdhënieve të ngushta me Moskën mund të jetë pengesë për rrugën evropiane të vendit.
Në debat, kështu, sërish doli në plan të parë çështja e Kosovës, të cilën Beogradi e përdor si një nga argumentet kryesore për ruajtjen e lidhjeve politike me Rusinë.
Përgjigjet e Daçiqit treguan se për Beogradin zyrtar, mbështetja ruse mbetet një faktor i rëndësishëm në betejën ndërkombëtare për Kosovën, ndërsa në të njëjtën kohë Serbia deklarativisht angazhohet për integrimin evropian.
Përplasja me gazetaren, në vend që të sillte një përgjigje për pyetjen mbi sanksionet, hapi një dilemë shumë më të gjerë: sa gjatë mund të insistojë Serbia në rrugën evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë refuzon ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian dhe e mban Moskën si partner kyç.
The GeoPost

Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës?
Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina