Diplomacia ruse po përdor sërish trashëgiminë e luftërave të ish-Jugosllavisë për promovimin e narrativës së saj gjeopolitike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, duke komentuar reagimet evropiane ndaj varrimit të Ratko Mlladiqit, përpiqet ta paraqesë kritikën ndaj Bashkimit Evropian si sulm ndaj popullit serb, ndërsa në të njëjtën kohë pothuajse tërësisht anashkalon faktin se Mlladiqi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë për gjenocid dhe krime të tjera lufte.
Zaharova e paraqet Perëndimin si hipokrit dhe armiqësor, Serbinë si viktimë të tij, ndërsa Rusinë e pozicionon si mbrojtëse të serbëve dhe të narrativës së tyre historike.
Nga përgjegjësia për krimet te “faji kolektiv”
Një nga elementet kryesore propagandistike të deklaratës së Zaharovës është bashkimi i qëllimshëm i dy çështjeve krejtësisht të ndryshme – përgjegjësisë së Ratko Mlladiqit dhe identitetit kolektiv të popullit serb.
Kritika evropiane ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake për Mlladiqin nuk është kërkesë që populli serb të shpallet kolektivisht fajtor për luftërat e viteve ’90. Bëhet fjalë për kritikën ndaj glorifikimit të një individi, i cili me një aktgjykim të formës së prerë të një gjykate ndërkombëtare është shpallur përgjegjës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gjykata ndërkombëtare konfirmoi në vitin 2021 dënimin e përjetshëm të Mlladiqit, përfshirë përgjegjësinë e tij për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të rënda.
Megjithatë, Zaharova nuk e përmend këtë fakt në deklaratën e saj dhe në vend të tij ofron një konstruksion politik për një përpjekje të pretenduar të Perëndimit për ta “thyer” Serbinë.
Moska hesht për atë që u konstatua në Hagë
Zaharova flet për një “qëndrim kanibal” ndaj Mlladiqit, por nuk shpjegon pse një aktgjykim i formës së prerë i një gjykate ndërkombëtare duhet të trajtohet si persekutim politik.
Mlladiqi nuk është dënuar sepse ishte serb, as për shkak të përkatësisë së tij politike. Ai është dënuar mbi bazën e përgjegjësisë së përcaktuar gjatë një procesi gjyqësor.
Pikërisht ky është fakti që propaganda ruse përpiqet ta shtyjë në plan të dytë: kur flitet për Mlladiqin, tema nuk është faji kolektiv i serbëve, por përgjegjësia individuale e një njeriu që komandonte forcat përgjegjëse për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kosova si element shtesë i matricës propagandistike ruse
Zaharova e përfshin në të njëjtën narrativë edhe Kosovën, duke pretenduar se BE-ja gjoja hesht ndërsa ushtrohet presion ndaj serbëve.
Në këtë mënyrë, Moska përpiqet t’i lidhë çështje të ndryshme, Mlladiqin, Serbinë, Kosovën dhe politikën evropiane – në një histori të vetme për një të ashtuquajtur “persekutim perëndimor të serbëve”.
Një konstruksion i tillë ka një funksion të qartë politik.
Rusia paraqitet si e vetmja fuqi e madhe që gjoja mbron në mënyrë të vazhdueshme interesat serbe, ndërsa Bashkimi Evropian paraqitet si aktor armiqësor.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Serbia përpiqet të balancojë mes integrimit evropian dhe marrëdhënieve me Moskën.
Moska e përdor çështjen e trashëgimisë së luftërave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës si instrument të një konflikti më të gjerë gjeopolitik me Bashkimin Evropian.
Në këtë konstruksion propagandistik, Mlladiqi shndërrohet nga një kriminel lufte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë në simbol të një rezistence të pretenduar ndaj “diktatit perëndimor”.
Në të njëjtën kohë, çdo kritikë evropiane përpiqet të paraqitet si sulm ndaj serbëve.
/The Geopost/

Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina
Nga Moska në Beograd: Lufta e narrativave dhe rreziku i manipulimit të informacionit në Kosovë
Lista Studentore e mposhti Vuçiqin, por a do të ndryshojë politika e Serbisë ndaj Kosovës?
Nga propaganda e Millosheviqit te 14 vjet në pushtet: Historia politike e Aleksandar Vuçiqit
Sheshi i mbushur me studentë dhe qytetarë: ‘Studentët fitojnë’, mesazhet kundër pushtetit jehojnë në Beograd
Zgjedhjet nën hijen e Kremlinit: Vuçiq përballë studentëve, Uashingtonit dhe Brukselit