Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Botë
  • Lajme

Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s

The Geopost August 6, 2026 3 min read
Share the news

Avionët luftarakë të Polonisë kanë interceptuar një avion rus të zbulimit mbi Detin Baltik, në atë që Varshava e ka cilësuar si një tjetër provokim pranë kufijve të NATO-s dhe një përpjekje të Moskës për të testuar reagimin e aleancës.

Ministri polak i Mbrojtjes, Wladysław Kosiniak-Kamysz, njoftoi se dy avionë luftarakë polakë F-16, të angazhuar në mision patrullimi, interceptuan një avion rus të tipit Il-20M në veriperëndim të qytetit bregdetar Koszalin, rreth 56 kilometra larg bregdetit të Polonisë.

Sipas autoriteteve polake, avioni rus nuk kishte hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe kishte qëndruar në zonën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik.

“Rusia po zhvillon sërish aktivitete provokuese pranë kufijve të shteteve anëtare të NATO-s, duke testuar vigjilencën dhe gatishmërinë e sistemeve mbrojtëse të aleancës”, shkroi Kosiniak-Kamysz në platformën X.

Avioni Il-20M është një mjet ushtarak zbulues i përdorur nga Rusia për mbledhjen e të dhënave mbi radarët, komunikimet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Incidenti i dytë brenda një jave

Ky ishte incidenti i dytë brenda pak ditësh që përfshiu një avion rus të këtij lloji mbi Detin Baltik.

Një avion tjetër rus Il-20 u interceptua nga avionët polakë një ditë më herët, rreth 60 kilometra në veriperëndim të qytetit Leba. Sipas Varshavës, ai po fluturonte pa plan të regjistruar fluturimi dhe me transponder të fikur.

Një tjetër avion rus zbulues ishte interceptuar edhe javën e kaluar, ndërsa në muajin korrik avionët polakë u përballën me disa avionë rusë zbulues dhe avionë luftarakë Su-30 në të njëjtën zonë.

Fluturimet ruse pa identifikim rrisin shqetësimet në NATO

Avionët ushtarakë rusë shpesh operojnë mbi Detin Baltik pa sinjal aktiv identifikimi dhe pa plane fluturimi të deklaruara, duke krijuar vështirësi për kontrollin civil të trafikut ajror.

Sipas mediave ndërkombëtare, ekspertët vlerësojnë se këto manovra i japin Moskës mundësi të testojë kohën e reagimit dhe kapacitetet mbrojtëse të NATO-s, ndërsa rrisin tensionet në një rajon strategjik për sigurinë evropiane.

Në raste të tilla, avionët luftarakë polakë dhe aleatë ngrihen në ajër për të vendosur kontakt vizual me avionët rusë, për t’i monitoruar dhe, nëse është e nevojshme, për t’i shoqëruar jashtë zonës.

Aktiviteti ajror rus në Baltik monitorohet edhe përmes misionit të NATO-s Baltic Air Policing, ku avionët e vendeve aleate patrullojnë hapësirën ajrore të shteteve baltike.

Rriten shqetësimet pas shkeljeve pranë territorit të NATO-s

Incidentet e fundit kanë marrë vëmendje të shtuar pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga një raketë ruse Kh-101 gjatë një sulmi masiv ndaj Ukrainës perëndimore javën e kaluar.

Raketa u rrëzua pranë Tarnawa-Kolonia, në lindje të Polonisë, rreth 80 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Autoritetet polake thanë se ajo mbante një sasi të konsiderueshme materiali shpërthyes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi këtë si një tjetër “akt të papërgjegjshëm” të Rusisë, duke paralajmëruar për rritjen e rrezikut që lufta e Moskës kundër Ukrainës të prekë gjithnjë e më shumë territorin e vendeve aleate.

/TheGeopost

Continue Reading

Previous: Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit
Next: Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina

The Geopost August 6, 2026
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj 4 min read
  • Analiza
  • Lajme

Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj

The Geopost August 6, 2026
Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman 5 min read
  • Botë
  • Lajme

Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman

The Geopost August 6, 2026
Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit

The Geopost August 5, 2026
Sondazhi i IRI: 46% e qytetarëve në Serbi do ta mbështesnin listën e studentëve 2 min read
  • Analiza

Sondazhi i IRI: 46% e qytetarëve në Serbi do ta mbështesnin listën e studentëve

The Geopost August 5, 2026
Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride 1 min read
  • Analiza
  • Lajme

Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride

The Geopost August 5, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.