Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit

The Geopost August 5, 2026 3 min read
Share the news

Një grup prej rreth 30 personash të armatosur, të identifikuar si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska, thuhet se hyri në territorin e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pa njoftuar institucionet kompetente të sigurisë, duke ngritur pikëpyetje serioze për respektimin e procedurave të sigurisë dhe rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas portalit investigativ Istraga.ba, grupi u vu re në afërsi të Bugojnos, ku po qëndronte delegacioni i Republikës së Serbisë dhe i Republikës Srpska, i kryesuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik.

Sipas planit zyrtar të sigurisë, mbrojtja e delegacionit ishte paraparë të realizohej nga Drejtoria për Koordinimin e Trupave Policore të Bosnje dhe Hercegovinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe strukturat policore lokale në zonat ku lëvizte delegacioni.
Megjithatë, grupi i armatosur i vërejtur në territorin e e Bosnjës Qendrore nuk figuronte në planin e miratuar të sigurimit.

Sipas Istraga.ba, personat lëviznin me katër furgonë të MPB-së së Republikës Srpska, dy automjete të kompanisë private EuroExpress dhe tre mjete të tipit ATV, ndërsa disa prej tyre nuk mbanin uniforma apo shenja identifikuese policore.

Policia ndërhyri në terren

Raportohet se pjesëtarët e Policisë së Bosnjës Qendrore e identifikuan grupin në një zonë pyjore brenda perimetrit të zgjeruar të sigurisë rreth delegacionit.

Kur policët kërkuan shpjegime për praninë e tyre, personat e armatosur thanë se ndodheshin “në zbulim”. Megjithatë, sipas burimeve të Istraga.ba, numri i tyre, pajisjet dhe automjetet nuk përputheshin me të dhënat zyrtare të personelit të autorizuar për sigurimin e vizitës.

Pas verifikimeve fillestare, në vendngjarje u dërgua Njësia Speciale e Policisë.

Sipas raportimit, grupi u largua nga zona pas mbërritjes së njësisë speciale dhe më vonë u pa duke lëvizur drejt Donji Vakufit, ndërsa në fund u urdhërua të largohej nga territori i Federates në drejtim të Kupresit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bosnjës Qendrore konfirmoi për Istraga.ba se incidenti është regjistruar, duke theksuar se gjatë ndërhyrjes nuk pati përdorim armësh dhe as përplasje mes forcave policore.
Implikime për sigurinë dhe rendin kushtetues
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të koordinimit të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas legjislacionit të Bosnje dhe Hercegovinës, strukturat policore të një entiteti nuk mund të kryejnë aktivitete operative në territorin e entitetit tjetër pa koordinim dhe autorizim paraprak nga institucionet kompetente.

Nëse pretendimet e publikuara nga Istraga.ba konfirmohen, rasti mund të përbëjë një shkelje të procedurave të sigurisë dhe të ngrejë shqetësime për funksionimin e koordinimit ndërinstitucional gjatë vizitave të nivelit të lartë.

Incidenti ndodhi gjatë vizitës së Aleksandar Vuçiqit në Bosnje dhe Hercegovinë, ku ai vizitoi edhe fshatin Çipuljiq pranë Bugojnos, vendlindjen e familjes së tij.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për të sqaruar pretendimet lidhur me përbërjen e grupit, arsyen e pranisë së tij në territorin e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës apo nëse ai ishte pjesë e ndonjë operacioni të autorizuar.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të tensionuar politike në Bosnje dhe Hercegovinë, ku veprimet e strukturave të sigurisë të Republikës Srpska dhe raportet ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre të entitetit mbeten objekt i vëmendjes së vazhdueshme të aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

/The Geopost/

Continue Reading

Previous: Sondazhi i IRI: 46% e qytetarëve në Serbi do ta mbështesnin listën e studentëve
Next: Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s

Nga nacional-populizmi i Vuçiqit te integralizmi i Lomparit: A rrezikon lëvizja studentore të humbasë karakterin e saj qytetar? 11 min read
  • Analiza

Nga nacional-populizmi i Vuçiqit te integralizmi i Lomparit: A rrezikon lëvizja studentore të humbasë karakterin e saj qytetar?

The Geopost August 7, 2026
Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit 8 min read
  • Analiza
  • Lajme

Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit

The Geopost August 6, 2026
SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi 4 min read
  • Botë
  • Lajme

SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi

The Geopost August 6, 2026
Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina

The Geopost August 6, 2026
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj 4 min read
  • Analiza
  • Lajme

Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj

The Geopost August 6, 2026
Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman 5 min read
  • Botë
  • Lajme

Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman

The Geopost August 6, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.