Anëtari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe profesori i Fakultetit të Kimisë në Universitetin e Beogradit, Radomir Saiçiq, ka akuzuar autoritetet serbe se po përpiqen ta kriminalizojnë lëvizjen studentore për shkak të rritjes së mbështetjes që ajo po fiton në opinionin publik.
Në një intervistë për agjencinë Beta, Saiçiq tha se qeveria, e përballur me rënien e vazhdueshme të popullaritetit të saj, synon t’i shpallë studentët një organizatë terroriste për t’i penguar të marrin pjesë në zgjedhje.
“E frikësuar nga rënia e vazhdueshme e vlerësimit të saj dhe rritja krahasuese e lëvizjes studentore, qeveria dëshiron t’i shpallë studentët organizatë terroriste dhe të parandalojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje”, deklaroi ai.
Akademiku serb u ndal edhe te protesta e 15 marsit në Beograd, duke pretenduar se autoritetet përdorën një armë zanore të paligjshme kundër studentëve dhe qytetarëve të mbledhur. Sipas tij, pretendimet se përdorimi i armës sonike ishte inskenuar nga protestuesit janë “të pakuptimta”.
Saiçiq tha se atë ditë ishte një nga koordinatorët e sigurisë për studentët e Fakultetit të Kimisë dhe se prioriteti kryesor ishte mbrojtja e jetës dhe sigurisë së tyre.
Ai kritikoi edhe veprimet e prokurorisë dhe policisë, duke i akuzuar se, në vend që të hetojnë përdorimin e dyshuar të armës zanore, po ndjekin penalisht studentët dhe protestuesit.
“Veprimet aktuale të prokurorisë dhe policisë tregojnë se sa i korruptuar dhe i çoroditur është ky sistem. Në vend që të hedhin dritë mbi përdorimin e armëve zanore, ata akuzojnë viktimat, njoftojnë arrestime dhe kryejnë kontrolle, ndërsa televizioni shtetëror përhap narrativa që inkriminojnë studentët dhe qytetarët”, u shpreh ai.
Sipas Saiçiqit, qeveria po përpiqet gjithashtu të largojë vëmendjen e opinionit publik nga rastet e korrupsionit dhe zhvillimet në Kosovë, të cilat ai i përshkroi si tema që po shkaktojnë pakënaqësi në opinion.
Në fund, ai bëri të ditur se komuniteti akademik ka hartuar një letër drejtuar Prokurorisë së Lartë Publike, ku një numër i madh profesorësh dhe akademikësh deklarojnë se ndaj qytetarëve është përdorur armë zanore.
“Nëse ky qëndrim konsiderohet bazë për hetime apo procedime penale, atëherë edhe nënshkruesit e kësaj letre duhet të merren në pyetje”.
The GeoPost

Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë
Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji
Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur”
“Tela me gjemba inteligjentë”: Kurthi i ri i Ukrainës për dronët
Sulmet ruse godasin Kievin gjatë vizitës së kancelarit Merz – publikohen pamjet e sulmit ndaj një prej urave kryesore të kryeqytetit ukrainas
Shefi i NATO-s: Jemi më të fortë se Rusia