Negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, të rifilluara pas një pauze nëntëmujore, kanë dëshmuar edhe një herë dy gjëra: se nuk do të ketë paqe në Ukrainë pa pëlqimin e vetë ukrainasve, ashtu siç nuk mund të ketë marrëveshje për arkitekturën e ardhshme të sigurisë së Evropës pa pjesëmarrjen e vetë evropianëve.
Nga Dragan Shormaz
Pavarësisht paralajmërimeve optimiste të Donald Trumpit se paqja në Ukrainë është shumë pranë, që nga fillimi ishte e qartë se premisat mbi të cilat mbështetej ky optimizëm nuk të çonin veçanërisht larg. Besimi se paqja mund të arrihet duke treguar mirëkuptim për synimet e paligjshme dhe kriminale të diktatorit të Kremlinit, nuk është vetëm naiv, por edhe i rrezikshëm për paqen dhe rendin ndërkombëtar.
Impulsi i ri negociues erdhi pasi strategët në Moskë kuptuan se marrja e Slovianskut dhe Kramatorskut, qyteteve ku në vitin 2014 filloi lufta në rajonin e Donjeckut, nuk është më një objektiv që mund të realizohet në një të ardhme të parashikueshme. Këto qytete prej kohësh janë shndërruar në simbole të qëndresës së demokracisë dhe shtetit ukrainas ndaj ambicieve perandorake të rizgjuara të Kremlinit.
Ndërkohë, në anën tjetër të Atlantikut ndodhi një lloj tërmeti politik. Rendi i lëvizjes MAGA është tronditur seriozisht, ndërsa Trumpi është gjendur në një pozitë ku dy vitet e mbetura të mandatit mund t’i reduktojë në një politikë bllokimi dhe vetoje, pa kapacitet real për të ndërmarrë iniciativa të rëndësishme ndërkombëtare.
Përballë kësaj realiteti, Putini u përpoq të shfrytëzonte dobësitë e diplomacisë transaksionale amerikane. Ai ofroi një lëshim të rremë, një gatishmëri të pretenduar për të hequr dorë nga Sloviansku dhe Kramatorsku, por në këmbim të përmbushjes së kërkesave të tjera ruse, shumë më të mëdha. Ndër të tjera, ato kanë të bëjnë me tërheqjen e NATO-s nga Evropa Lindore, por edhe me heqjen e sanksioneve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Rusisë.
Me fjalë të tjera, Rusia ofron atë që nuk e ka, qytete që nuk ka arritur t’i pushtojë, në këmbim të heqjes së sanksioneve evropiane, dhe atë nga ana e një Unioni me të cilin Moska, të paktën zyrtarisht, nuk dëshiron as të negociojë. Në të vërtetë, Putini po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin për heqjen e sanksioneve të vendosura nga Brukseli, duke e bindur botën se është e mundur që njëra palë të vendosë për masat e palës tjetër, pa pëlqimin e kësaj të fundit.
Edhe pse absurditeti i një konstrukti të tillë është i qartë, autokrati i Moskës llogarit në çorientimin e përkohshëm strategjik të Uashingtonit zyrtar. Një administratë që gjithnjë e më shumë merret me përplasjet me aleatët e vet, ndërsa ndaj rivalëve strategjikë shfaq një shkallë joproporcionale të lartë nënshtrimi dhe mirëkuptimi, për Kremlinin përfaqëson një mundësi që nuk dëshiron ta humbasë.
Megjithatë, ky ekuacion nuk mund të çojë drejt zgjidhjes që dëshiron Moska. Sanksionet evropiane nuk do të hiqen mbi bazën e një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Putinit dhe Trumpit. Që të zhduken arsyet për të cilat janë vendosur ato, Rusia do të duhet të eliminojë shkaqet që i kanë nxitur, gjë që nënkupton tërheqjen e plotë nga territoret ukrainase, madje edhe nga territoret në Moldavi dhe Gjeorgji. Përndryshe, sanksionet mund të shndërrohen në një realitet të përhershëm politik dhe ekonomik, edhe pas përfundimit eventual të konfliktit të armatosur.
Metodat e njohura të diplomacisë ruse, e cila përmes ngritjes së vazhdueshme të nivelit të kërkesave jorealiste synon të përfitojë sa më shumë në tryezën e negociatave, vështirë se mund të kenë sukses përballë diplomacisë evropiane, tradicionalisht të kujdesshme dhe të mbështetur në institucione. Aq më pak mund të kenë sukses përballë ukrainasve, të cilët e kanë mësuar në kurrizin e tyre t’i njohin të gjitha truket dhe manipulimet e Kremlinit.
Në një konstelacion të tillë gjeopolitik, vështirë se mund të pritej që negociatat në Abu Dabi të sillnin ndonjë rezultat të rëndësishëm. Paqja në Ukrainë do të jetë më afër vetëm atëherë kur Putini ta kuptojë se Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë nuk do të lodhen duke i bërë rezistencë agresionit rus. Ndërsa në këtë përfundim ai nuk do të arrijë derisa i gjithë Perëndimi politik të mos i dërgojë një mesazh të unifikuar dhe të qartë, pa devijime të Uashingtonit nga qëndrimi i përbashkët.
Sepse shpresa e fundit e Putinit nuk qëndron në bindjen se Rusia mund ta mposhtë Ukrainën në fushëbetejë. Edhe ai vetë është i vetëdijshëm se, në raportin aktual të forcave, një fitore e tillë është e pamundur dhe e paarritshme. Karta e tij e vërtetë janë përçarjet brenda bllokut perëndimor, dobësimi i aleancës transatlantike dhe përhapja e dyshimit nëse Rusia mund të mposhtet ndonjëherë në Ukrainë.
Prandaj, Putini nuk ka nevojë ta mposhtë Perëndimin në frontin e luftës. Atij i mjafton ta bindë Perëndimin në iluzionin se mposhtja e Rusisë është e pamundur. Strategjia e tij nuk mbështetet aq shumë në fuqinë e ushtrisë ruse, sa në dobësinë e unitetit politik perëndimor. Përderisa beson se mund ta tejkalojë vendosmërinë e kundërshtarëve të tij, Kremlini nuk do të ketë ndonjë arsye serioze për të hequr dorë nga kërkesat e tij maksimaliste.
Pikërisht për këtë arsye, negociatat më të rëndësishme për paqen në Ukrainë ndoshta sot nuk po zhvillohen në Abu Dabi, por brenda vetë Perëndimit, ndërmjet atyre që e kuptojnë se paqja duhet të mbështetet në fuqinë parandaluese të agresionit dhe në parime, dhe atyre që janë të gatshëm ta blejnë atë përmes lëshimeve ndaj agresorit. Kjo është e vetmja mënyrë se si Perëndimi mund ta humbasë këtë betejë, ndërsa Putini të marrë atë që nuk arriti ta pushtojë me luftë.
Megjithatë, disa sinjale të ditëve të fundit tregojnë se edhe kjo strategji e Kremlinit do të shembet, ashtu siç është drejt kolapsit edhe pushtimi ushtarak. Vazhdimi i sulmeve ukrainase në thellësi të territorit rus, shkatërrimi i rafinerisë e cila, siç thuhet, ishte përgatitur për t’u blerë nga ana e Kushnerit, shkatërrimi i urës së Krimesë… dëshmojnë se Ukraina është e vendosur ta vazhdojë luftën dhe nuk do të lëshojë pe përballë presioneve të administratës Trump.
Nga ana tjetër, administrata e përmendur është gjithnjë e më e dobët pas humbjes që republikanët pësuan më 3 nëntor. Prandaj, mund të pritet që gjatë vitit të ardhshëm Ukraina të marrë mbështetje shumë më të madhe nga SHBA-ja, me gjasë përmes rivendosjes së marrëdhënieve normale dhe aleate ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit.
Në fund të fundit, vetë Evropa i ka përballuar të gjitha presionet që i ka ushtruar Trumpi, ka vazhduar të blejë armatime amerikane për nevojat e Ukrainës, ka vazhduar të financojë shtetin dhe qytetarët ukrainas dhe, deri më sot, buxheti i saj ka arritur të ketë një suficit prej 12 miliardë eurosh. Ajo ka dëshmuar se BE-ja e bashkuar përfaqëson fuqinë e dytë botërore dhe se këtë realitet duhet ta pranojnë si Kina, ashtu edhe Amerika.
Evropa ia ka bërë të qartë Rusisë se për anëtarësimin e Ukrainës në BE vendos vetë BE-ja dhe se për këtë çështje nuk ka negociata. Më pas, se për anëtarësimin e Ukrainës në NATO vendos vetë Aleanca dhe se as për këtë çështje nuk ka negociata. Po ashtu, për mbrojtjen e kufijve të saj do të vendosë Ukraina, e jo Rusia.
BE-ja, me një dozë të kuptueshme ironie, refuzoi madje të bisedojë me Rusinë për rendin evropian të sigurisë, pasi ky rend mbështetet pothuajse tërësisht në marrëdhëniet e Evropës me Rusinë.
Këto ditë, Brukseli miratoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, e cila përfshin plot 140 lista sanksionesh dhe që do të godasë rafineritë, tregtinë elektronike, bankat, por edhe kompanitë nga Lindja e Mesme që mbështesin të ashtuquajturën “flotë të fshehtë” ruse. Gjithashtu, janë duke u përgatitur masa që do ta ashpërsojnë politikën e vizave të Evropës ndaj Rusisë.
Putini, por edhe Trumpi, kanë llogaritur gabimisht në lodhjen e Ukrainës dhe të Evropës. Bashkëpunimi i të gjithë botës demokratike me BE-në – Kanadasë, Australisë, Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Norvegjisë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar… – ka dëshmuar drejtësinë e politikës së Brukselit ndaj Rusisë dhe epërsinë e saj morale në botë!
Kjo betejë do të vazhdojë edhe për disa vite, por fitorja me siguri do të jetë në anën e Evropës dhe të Ukrainës!
The GeoPost

Fetoshi: Lista Studentore në Serbi po përballet me presione për një qasje më konfrontuese ndaj Perëndimit dhe Kosovës
Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rus
Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it
Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia, analistët paralajmërojnë për rrjetet politike dhe kriminale
Trump paralajmëron sulme të reja të mëdha ndaj Iranit pas Vitit të Ri nëse dështon diplomacia
Bakiqi në Kuvendin e Serbisë akuzon ish-pushtetin për lidhje me krimin e organizuar, përmend Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Belivukun