Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se Lista Studentore në Serbi mund të ndjekë një politikë të jashtme edhe më konfrontuese sesa ajo e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht se qeveria e re ende nuk është formuar.
Në një analizë të publikuar të hënën, Fetoshi ka vlerësuar se presionet politike ndaj Listës Studentore po shfaqen që në fazën e parë të konfigurimit të pushtetit të ri, duke përmendur kërkesën e Këshillit Nacional Serb (SNV) për rikthimin e “Ministrisë për Kosovën dhe Metohinë”.
Sipas Fetoshit, kjo organizatë, e cila e ka mbështetur Listën Studentore gjatë zgjedhjeve, po e arsyeton kërkesën me nevojën për të ngritur nivelin e mbrojtjes së integritetit territorial të Serbisë.
Ai ka theksuar se SNV-ja udhëhiqet nga Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë ushtarake të Korpusit të Prishtinës gjatë viteve 1996-1999 dhe ish-drejtor i inteligjencës ushtarake të Serbisë (VBA), në vitin 2004. Fetoshi ka përmendur gjithashtu akuzat për përfshirjen e Stojanoviqit në krime lufte në masakrën e Mejës, më 27 prill 1999.
Sipas tij, kërkesa për rikthimin e kësaj ministrie nuk duhet parë vetëm si një kalkulim për riorganizimin institucional të pushtetit në Serbi, por si presion politik për të legjitimuar një qasje edhe më kërcënuese ndaj Kosovës dhe pretendimeve territoriale të Serbisë.
Fetoshi ka ndërlidhur këtë zhvillim edhe me qëndrimet e mëhershme të Këshillit Nacional Serb, i cili, së bashku me organizatën SNF dhe Lëvizjen “Otadžbina”, kishte paraqitur kallëzim penal ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, si dhe zyrtarëve Petar Petkoviq dhe Goran Rakiq.
Kallëzimi, i paraqitur nën pretendimin për dëmtimin e interesave të Serbisë në Kosovë, sipas Fetoshit, përputhet me zotimet e Listës Studentore për ndjekjen penale të përfaqësuesve të pushtetit aktual, të cilët, sipas programit të saj, kanë arritur dhe zbatuar marrëveshje antikushtetuese në dëm të Serbisë.
Në analizën e tij, Fetoshi ka tërhequr paralele edhe me zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë, duke përmendur kërcënimet e liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për bllokimin e vendimmarrjes institucionale.
Dodik kishte reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, e cila e kishte shpallur të pavlefshme veton e anëtares serbe të Presidencës, Zhelka Cvijanoviq, lidhur me emërimet në Komisionin për Ruajtjen e Monumenteve Kombëtare.
“Pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme, Bosnjë-Hercegovina vdiq sot. Gjykata Kushtetuese e gjymtuar dhe jolegjitime, i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”, kishte shkruar Dodik në platformën X, duke paralajmëruar se i kishte ardhur fundi durimit të tij.
Fetoshi e ka cilësuar këtë retorikë si kërcënim ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe e ka interpretuar si pjesë të një klime politike që mund të shërbejë për të arsyetuar një qasje më konfrontuese të pushtetit të ri në Serbi.
Sipas tij, përputhja e qëndrimeve të Dodikut me programin e Listës Studentore, veçanërisht në kundërshtimin e kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar dhe përdorimin e vetos si instrument bllokimi institucional, sinjalizon mundësinë e vazhdimësisë së politikave që sfidojnë Perëndimin.
Në përfundim, Fetoshi ka paralajmëruar se këto zhvillime mund të kenë pasoja për sigurinë rajonale, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
The GeoPost

Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rus
Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it
Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia, analistët paralajmërojnë për rrjetet politike dhe kriminale
Trump paralajmëron sulme të reja të mëdha ndaj Iranit pas Vitit të Ri nëse dështon diplomacia
Bakiqi në Kuvendin e Serbisë akuzon ish-pushtetin për lidhje me krimin e organizuar, përmend Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Belivukun
Lista e Studentëve vazhdon narrativën e Vuçiqit për Kosovën, kundërshton projektligjin për trashëgiminë kulturore