Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Intervista

Profesori universitar flet për rrezikun e dezinformimit në epokën e AI dhe propagandën ruso-serbe

The Geopost March 6, 2026 4 min read
Share the news

Profesori universitar Dren Gërguri, i ftuar në episodin e radhës të podcastit “The Geotalks”, ka folur për narrativat propaganduese, çrregullimet e informacionit dhe mënyrën se si këto përdoren për të manipuluar publikun dhe për të arritur grupe të caktuara interesi.

Gërguri, i cili prej vitesh merret me studimin e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe deepfake-ve, tha se sfidat për identifikimin e informacionit të vërtetë kanë ndryshuar ndër vite, por sot ato janë bërë edhe më të ndërlikuara për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale.

“Besoj se në periudha të ndryshme vështirësitë kanë qenë të ndryshme. Ajo që e kemi sot si sfidë kryesore lidhet shumë me inteligjencën artificiale dhe me nivelin e përsosjes së materialeve që gjenerohen prej saj. Kjo e bën shumë të vështirë për publikun e gjerë që të identifikojë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo”, tha ai.

Sipas tij, studimet tregojnë se njerëzit gjithmonë kanë pasur dilema për të dalluar të vërtetën nga manipulimi, por shpeshherë faktori emocional dhe paragjykimi i konfirmuar ndikojnë më shumë sesa analiza racionale e informacionit.

“Ngandonjëherë aspekti emocional apo paragjykimi i konfirmuar ndikojnë më shumë në mënyrën se si ne e gjykojmë një përmbajtje sesa analiza e saj me qetësi dhe duke parë burime të ndryshme”, theksoi Gërguri.

Ai shtoi se manipulimi i informacionit arrin shpesh edhe te njerëzit me nivel të lartë arsimimi.

“Studimet tregojnë se, pavarësisht dallimeve mes grupacioneve në shoqëri, informacioni i manipuluar arrin deri te një masë edhe te ata që nuk do ta prisje. Edhe përgatitja profesionale apo arsimore nuk është gjithmonë garanci se dikush do ta analizojë informacionin me ftohtësi”, tha ai.

Gërguri foli edhe për mënyrën se si propaganda ndërton narrativat e saj, duke synuar grupe të caktuara të audiencës.

Sipas tij, në rastin e Kosovës një nga fushat më të shpeshta të dezinformimit është marrëdhënia ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Në rastin e Kosovës shohim shpesh dezinformata që targetojnë marrëdhëniet ndëretnike. Edhe kur nuk ka asgjë të vërtetë, krijohen narrativa nga zeroja, ose merret një pjesë e realitetit dhe pastaj hiperbolizohet dhe manipulohet me elemente të tjera”, tha ai.

Ai solli si shembull një rast të disa viteve më parë në Pejë, ku një infermiere shqiptare kishte keqtrajtuar një të moshuar shqiptare, ndërsa në disa media serbe ngjarja u paraqit si keqtrajtim i një të moshuare serbe nga një punëtore shqiptare.

“Ky është një shembull se si merret një ngjarje dhe manipulohet për të krijuar një narrativë tjetër”, tha Gërguri.

Profesori universitar theksoi se propaganda serbe dhe ruse prej dekadash përpiqet të përhapë narrativa që vënë në dyshim funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Këto narrativa përsëriten vazhdimisht. Strategjia është pikërisht përsëritja, sepse çdo gjeneratë e re që nuk ka qenë e ekspozuar më herët ndaj tyre, mund t’i marrë si të mirëqena”, u shpreh ai.

Sipas Gërgurit, një nga shembujt më të qartë të manipulimit është propaganda që lidhet me bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Ai përmendi një rast të manipulimit të një fotografie të një refugjateje shqiptare nga Bllaca.

“Është marrë fotografia e një refugjateje shqiptare që ushqen foshnjën e saj dhe është ndryshuar prapavija, duke u vendosur para një ndërtese të shkatërruar me mbishkrimin ‘E mbijetuara nga bombardimi i NATO-s’. Ndërkohë ajo ishte refugjate që po largohej nga Kosova”, tha ai.

Sipas tij, materiale të tilla shpesh shpërndahen edhe në vende që nuk e njohin Kosovën, duke krijuar perceptime të rreme për situatën në vend.

“Edhe sot takojmë njerëz në Evropë që na pyesin për sigurinë në Kosovë, ndërsa kur vijnë në Prishtinë e kuptojnë që realiteti është krejt ndryshe nga perceptimi që kanë krijuar”, theksoi ai.

Gërguri paralajmëroi se në epokën e informacionit të tepërt qytetarët shpesh lodhen nga fluksi i madh i lajmeve dhe nuk i analizojnë më ato me kujdes.

“Një nga arsyet mund të jetë hiper-informacioni. Njerëzit bombardohen nga shumë përmbajtje dhe lodhen nga analiza e tyre”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët duhet të zhvillojnë kulturën e verifikimit të informacionit.

“Duhet të dimë gjithmonë se kush është autori i një informacioni, nga cili burim vjen dhe cilat janë faktet që e mbështesin. Nuk mjafton të thuash ‘e kam lexuar në internet’ apo ‘në Facebook’. Interneti është një det informacioni”, u shpreh Gërguri.

Ai theksoi se edukimi medial duhet të fillojë që nga niveli i shkollës fillore, pasi shoqëria kosovare ende ka mangësi në këtë drejtim.

“Nëse një shoqëri ka nivel të ulët të edukimit medial, atëherë bëhet terren shumë i përshtatshëm për manipulim”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet globale dhe konfliktet aktuale, Gërguri paralajmëroi se situata të tilla shpesh shfrytëzohen për të krijuar narrativa të reja propaganduese.

Ai gjithashtu theksoi rrezikun që paraqesin modelet e inteligjencës artificiale si burime informacioni për qytetarët.

“Shumë njerëz tashmë nuk shkojnë në media për të marrë informacion, por pyesin modele si ChatGPT, Grok apo Gemini. Problemi është se këto modele ndonjëherë riprodhojnë edhe dezinformata që ekzistojnë në internet”, tha ai.

Sipas tij, kjo mund të bëhet një nga sfidat më të mëdha të së ardhmes në luftën kundër dezinformimit./TheGeopost.

Tags: Dezinformimi Intelegjenca Artificiale

Continue Reading

Previous: A duhet të shqetësohet Serbia për “aleancën ushtarake” të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës?
Next: Kush është “Sedi” – lidhja kryesore midis kokainës, trafikantëve të arrestuar dhe ambasadës serbe në Lisbonë?

Serbia mes Brukselit, Moskës dhe Uashingtonit: Po ngushtohet hapësira për “balancimin” e Vuçiqit 7 min read
  • Ballkan

Serbia mes Brukselit, Moskës dhe Uashingtonit: Po ngushtohet hapësira për “balancimin” e Vuçiqit

The Geopost April 23, 2026
Raportime për dhunë ndaj qytetarëve në Serbi që kritikojnë regjimin e Vuçiqit 2 min read
  • Ballkan

Raportime për dhunë ndaj qytetarëve në Serbi që kritikojnë regjimin e Vuçiqit

The Geopost April 22, 2026
Dronët kinezë dominojnë qiellin mbi Bosnjë dhe Hercegovinë 6 min read
  • Ballkan

Dronët kinezë dominojnë qiellin mbi Bosnjë dhe Hercegovinë

The Geopost April 22, 2026
Rrjeti i lidhur me Vuçiqin dhe Veselinoviqin nën hetim nga FBI për pastrim parash në SHBA 4 min read
  • Ballkan

Rrjeti i lidhur me Vuçiqin dhe Veselinoviqin nën hetim nga FBI për pastrim parash në SHBA

The Geopost April 21, 2026
Si po përpiqet Rusia të ndikojë në Bosnje përmes Republikës ‘Srpska’ 6 min read
  • Ballkan

Si po përpiqet Rusia të ndikojë në Bosnje përmes Republikës ‘Srpska’

The Geopost April 21, 2026
Gazetari kroat: Vuçiq dhe Veselinoviq në rrjetin kriminal me miniera ilegale të qymyrit në Bukova Kosa 3 min read
  • Ballkan

Gazetari kroat: Vuçiq dhe Veselinoviq në rrjetin kriminal me miniera ilegale të qymyrit në Bukova Kosa

The Geopost April 21, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.