Analisti malazez Ljubomir Filipoviq ka ngritur shqetësime lidhur me orientimin e politikës së jashtme të përfaqësuesve të Listës Studentore në Serbi, pas fitores së saj në zgjedhjet parlamentare dhe humbjes së pushtetit nga Aleksandar Vuçiq.
Në një reagim në platformën X, Filipoviq ka vënë në pikëpyetje pritshmëritë e analistëve perëndimorë për një ndryshim të shpejtë të kursit politik të Serbisë, duke tërhequr vëmendjen te raportet e përfaqësuesve të lëvizjes studentore me median shtetërore ruse RT dhe qëndrimet e tyre ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
“Shenja e parë shqetësuese: media e preferuar e udhëheqësve të Listës Studentore është RT-ja, ndërsa mesazhi i tyre kryesor për politikën e jashtme nuk është zotimi për vazhdimin e integrimit në BE, por premtimi për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë”, ka shkruar Filipoviq.
Ai ka përmendur veçanërisht Jovo Bakiqin, të cilin e përshkruan si një nga figurat udhëheqëse të krahut të majtë të lëvizjes studentore.
Filipoviq ka drejtuar gjithashtu një mesazh për analistët dhe komentuesit politikë perëndimorë, duke kërkuar që fitorja e studentëve të mos interpretohet automatikisht si garanci për një orientim më të fortë proevropian të Serbisë.
“Një mesazh për analistët perëndimorë: Po, largimi i Vuçiqit është një gjë e mirë për demokracinë, por përmbajeni entuziazmin”, ka shkruar ai.
Reagimi i Filipoviqit ngre çështjen nëse ndryshimi i pushtetit në Beograd do të shoqërohet edhe me ndryshim të politikës së jashtme, veçanërisht në raport me Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Evropian.
Megjithëse Lista Studentore ka ndërtuar mbështetjen e saj mbi kërkesat për luftimin e korrupsionit, forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e standardeve demokratike, qëndrimet e përfaqësuesve të saj për çështje të politikës së jashtme mbeten objekt diskutimi.
Vlerësimet e Filipoviqit janë një paralajmërim se largimi i Vuçiqit nga pushteti nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputjen e Serbisë nga marrëdhëniet e saj tradicionale me Moskën.
The GeoPost
The first worrying sign: the student list leaders’ media outlet of choice is RT, and their main foreign policy message is not a commitment to continuing EU integration, but a promise not to impose sanctions on Russia.
And this guy, Jovo Bakic, is considered to be the leader of the leftist part of the movement.
A message to Western pundits: Yes, ousting Vucic is a good thing for democracy, but curb your enthusiasm.
— Ljubomir Filipović 🇲🇪🇺🇸 (@ljubofil) October 26, 2026

Kandidati i Listës Studentore për kryeministër: Kosova është pjesë e Serbisë, nuk do të biem dakord me kroatët për vitet ’90
Përfaqësuesi i Listës Studentore në Serbi mohon gjenocidin në Srebrenicë, reagime pas deklaratave të tij
Sllovenia vendos kusht për përparimin e Serbisë drejt BE-së: Kërkon arkivat e shërbimeve sekrete
Mediat ruse e paraqesin humbjen e Vuçiqit si pasojë të ndikimit perëndimor
Lista Studentore e mposhti Vuçiqin, por a do të ndryshojë politika e Serbisë ndaj Kosovës?
Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?