Përfaqësuesi i Listës Studentore në Serbi, Nemanja Karoviq, është vënë në qendër të kritikave pas një interviste në televizionin shtetëror serb, ku, sipas gazetarit Georgios Konstandi, ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Konstandi, përmes një reagimi në platformën X, ka kritikuar qëndrimet e Karoviqit, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Listës Studentore për t’u shkëputur nga politikat dhe narrativat nacionaliste që kanë karakterizuar skenën politike serbe.
“Njihuni me Nemanja Karoviqin: një përfaqësues i Listës Studentore, i cili në këtë intervistë në televizionin shtetëror serb mohon gjenocidin në Srebrenicë, ku 8.372 boshnjakë u vranë nga Ushtria e Republikës Srpska, e udhëhequr nga Ratko Mlladiq”, ka shkruar Konstandi.
Ai ka theksuar se Karoviq mohon gjithashtu lidhjen e themelimit të Republikës Srpska me krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas Konstandit, qëndrimet e tilla shpërfillin dëshmitë historike dhe dokumentimin e fushatave të spastrimit etnik të kryera nga forcat serbe gjatë krijimit të këtij entiteti.
Gazetari ka përmendur dëshmitë filmike të gazetarëve britanikë dhe gjetjet mjekoligjore nga varrezat masive të civilëve boshnjakë, duke argumentuar se krimet janë dokumentuar gjerësisht.
Gjenocidi në Srebrenicë, i kryer në korrik të vitit 1995, është konfirmuar me vendime të gjykatave ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në reagimin e tij, Konstandi i ka bërë thirrje Listës Studentore që të distancohet nga deklaratat e Karoviqit dhe të dënojë publikisht mohimin e gjenocidit.
“Nëse Lista Studentore është serioze për shkëputjen nga Serbia e Vuçiqit, dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe, atëherë nuk duhet të ketë asnjë hezitim për ta përjashtuar Karoviqin nga lëvizja dhe për ta dënuar mohimin e gjenocidit”, ka shkruar ai.
Konstandi e ka përfunduar reagimin me fjalët “Të shohim”, duke lënë të hapur çështjen se si do të reagojë Lista Studentore ndaj deklaratave të përfaqësuesit të saj.
Deklaratat e raportuara të Karoviqit dhe reagimi i Konstandit rikthejnë në vëmendje qëndrimet e përfaqësuesve të lëvizjes studentore ndaj së kaluarës së luftërave në ish-Jugosllavi, në një kohë kur kjo lëvizje është bërë faktor i rëndësishëm në politikën serbe.
The GeoPost
Meet Nemanja Karović: a Student List representative who, in this interview on Serbian state TV, denies the Srebrenica Genocide, in which 8,372 Bosniaks were murdered by Ratko Mladić’s Republika Srpska Army.
Karović also denies that the Republika Srpska was founded on genocidal atrocities, despite the military campaign of “ethnic cleansing” Serb forces (trained/sponsored by Belgrade) committed in N/E Bosnia during the entity’s inception, filmed by British journalists and confirmed by forensics at the mass graves of Bosnian civilians.
If the Student List is serious about making a break with Vučić’s Serbia (and that’s a big if), they will have no qualms about expelling Karović from the movement and condemning his genocide denial.
Let’s see.
— Georgios Konstandi (@kongeorgios) October 26, 2026

Filipoviq paralajmëron për orientimin e Listës Studentore në Serbi
Kandidati i Listës Studentore për kryeministër: Kosova është pjesë e Serbisë, nuk do të biem dakord me kroatët për vitet ’90
Sllovenia vendos kusht për përparimin e Serbisë drejt BE-së: Kërkon arkivat e shërbimeve sekrete
Mediat ruse e paraqesin humbjen e Vuçiqit si pasojë të ndikimit perëndimor
Lista Studentore e mposhti Vuçiqin, por a do të ndryshojë politika e Serbisë ndaj Kosovës?
Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?