Photo: EPA
Liria e shprehjes dhe liria e medias janë të kufizuara në vendet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në raportin më të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.
Në raportin që është për vitin 2024, thuhet po ashtu se presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska, Milorad Dodik, po minonte rendin kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës përmes sulmeve të intensifikuara verbale dhe ligjore.
Raporti mbi vendet e Ballkanit Perëndimor potencon gjithashtu problemet që janë regjistruar në raportet e mëparshme – dështimin për të ndjekur penalisht krimet e luftës.
Në seksionin mbi BeH-në, raporti i parë i Departamentit të Shtetit nën administratën e re të Presidentit Donald Trump thotë se
“Autoritetet e Republikës Srpska kanë ndërmarrë aktivitete që kanë dobësuar institucionet shtetërore, kanë rritur tensionet ndëretnike dhe kanë kufizuar lirinë e shprehjes.”
Sipas raportit, problemet kryesore të të drejtave të njeriut në BeH përfshinin kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirive të medias, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve, si dhe praninë e konsiderueshme të formave më të këqija të punës së fëmijëve.
Raporti thekson gjithashtu se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar ose ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Raporti përmend gjithashtu problemin e pandëshkueshmërisë për krimet e luftës.
“Pengesat kryesore për kryerjen e gjyqeve për krime lufte ishin kalimi i kohës, dështimi për të përcaktuar përparësitë e rasteve më komplekse me autorët më përgjegjës, menaxhimi dhe shpërndarja joefektive e rasteve dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm rajonal. Edhe pse ekzistonte një mekanizëm ligjor për këtë, viktimat u përballën me pengesa në marrjen e kompensimit në procedurat penale për shkak të dështimit të prokurorëve për të marrë dhe paraqitur prova në emër të tyre dhe ngurrimit të gjykatave për të vendosur mbi këto pretendime”, thuhej në të.
Ndërkaq për Serbinë, theksohen raportet për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë kundër gazetarëve dhe persekutimi i pajustifikuar i gazetarëve, si dhe trafikimi i qenieve njerëzore, duke përfshirë punën e detyruar.
Sulmet ndaj gazetarëve, mungesa e transparencës në pronësinë e medias dhe roli i tepërt i shtetit në sektorin e medias ishin disa nga të gjeturat.
“Autoriteti Rregullator për Median Elektronike (REM) i dha një licencë transmetimi rajonal Informer TV pa një konkurs publik në fund të vitit 2023, duke ngritur shqetësime në lidhje me lidhjet e ngushta të stacionit me partinë në pushtet”, thuhet aty.
/TheGeopost

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999