Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Shormaz: Nga frika e humbjes së pushtetit Vuçiq është kthyer tek rrënjët-politika radikale, agresive dhe kërcënuese ndaj fqinjëve

The Geopost August 9, 2025 6 min read
Share the news

Shkrim autorial i Dragan Sormaz për The Geopost

 

Po bëhet gati një vit që më 28 shtator, u publikua analiza ime, ku paralajmërova se Vuçiç do ta humbte pozitën e tij në politikën e jashtme dhe se deri në fund të vitit 2025 do ta humbiste edhe pushtetin ekzekutiv! Atëherë Biden ishte ende president i Amerikës dhe unë e shkrova tekstin një muaj para tragjedisë së madhe në Novi Sad, rënies së çatisë që shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe e lëndoi rëndë një nënë të re me duke e bërë me aftësi të kufizuara . Si arsye kisha përmendur se politika e tij e balancimit nuk do të tolerohej më, se sistemi i tij klientelist e korruptiv po shkakton gjithnjë e më shumë pakënaqësi në Serbi, se komisioni i ri, këshilli dhe parlamenti i BE-së do të duhet ta ushtrojnë presion mbi Serbinë për ndryshime për shkak të planit për zgjerim deri në vitin 2030 (me Vuçiçin nuk ka reforma), për shkak të marrëdhënies së tij me Rusinë dhe VEÇANËRISHT për shkak të Dodikut dhe Kosovës! Ato ditë kanë ardhur tashmë dhe ne po i jetojmë!

I frikësuar për fatin e tij personal dhe për fatin e regjimit që udhëheq, Aleksandar Vuçiç është kthyer plotësisht tek rrënjët e tij – politika radikale e viteve ’90. Kështu, retorika agresive, dashakeqe dhe kërcënuese ndaj fqinjëve është bërë pjesa dominuese e narrativës së tij, dhe në këtë drejtim e ndjek besnikërisht e gjithë makineria politike e mediatike që e mbështet.

Ashtu si në vitet ’90, objektivat kryesore të retorikës nxitëse neoradikale janë dy pikat kyçe dhe të ndjeshme në rajon – Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. Duke u përpjekur që me retorikë ksenofobe të dëshmojë se është më nacionalist se oponentët e tij të rinj pro-rusë – Lompara, Kusturica, Danica Grujiçiç, Sharoviq, Kavçiç, Koviç – Vuçiçi dhe ministrat e tij kanë filluar hapur të heqin dorë nga Marrëveshja e Brukselit, duke akuzuar BE-në dhe liderët e shqiptarëve të Kosovës se e kanë mashtruar Serbinë. Në të njëjtën kohë, Vuçiç me mjeshtëri hesht faktin se me Marrëveshjen e Brukselit, Beogradi zyrtar në thelb është zotuar të përmbushë atë që ishte i detyruar të bënte më herët sipas Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes Ushtarako-teknike të Kumanovës. Në këmbim, Prishtina është zotuar të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – gjë që është vënë seriozisht në pikëpyetje pas daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe pas incidentit të dështuar terrorist në Banjskë.

Duke pasur parasysh se Kosova ndodhet para zgjedhjeve të reja parlamentare dhe lokale, vakuumin e krijuar Vuçiçi po e shfrytëzon për të ashpërsuar retorikën ndaj Prishtinës, duke e çuar Serbinë në prag të një distancimi të hapur nga BE-ja dhe të një ndërprerjeje zyrtare të procesit të integrimeve evropiane.

Megjithatë, po ndodhin gjëra me të cilat opinioni publik në Serbi nuk është mësuar. Serbët, të akuzuar nga prokuroritë e Kosovës për arsye të ndryshme, gjithnjë e më shumë po arrijnë marrëveshje me sistemin e drejtësisë dhe po e pranojnë fajësinë e tyre. Kështu, kemi rastin e një serbi që pranoi se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it në maj të vitit 2023 dhe u pajtua me dënimin prej 5 vitesh burg. A mund të dijë ndokush në Serbi se çfarë po zbulojnë këta të akuzuar serbë para prokurorisë së Kosovës, kur tashmë po e pranojnë fajin?! Kush i ka nxitur, organizuar, financuar…?!

Është edhe rasti i një zyrtari të qeverisë së Serbisë që pranoi se kishte përhapur urrejtje etnike!!! Mësohet se, gjatë hetimeve, autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova se i njëjti zyrtar, për vite me radhë, ka regjistruar bisedat e delegacioneve në Bruksel, madje edhe ato pas dyerve të mbyllura, dhe ia ka dërguar BIA-s! Ai hyri në Kosovë si diletant!

Të gjitha këto fakte inkriminuese për Vuçiçin tani i kanë edhe pjesëmarrësit në dialog – BE, SHBA, NATO! Pas zgjedhjeve të planifikuara më 12 tetor, Kosova do të nisë menjëherë procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kështu Marrëveshja e Brukselit do të përmbyllet! Serbët do të jenë të orientuar institucionalisht drejt Prishtinës, ndërsa Kosova do të ecë pa pengesa drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare!

Nga ana tjetër, sa i përket krizës më të fundit në Bosnje dhe Hercegovinë, në prag të shënimit të 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, regjimi i Vuçiçit e ka futur Serbinë në pozitën e pengut të politikës destruktive dhe të dëmshme të Milorad Dodikut dhe regjimit të tij kleptokratik në Banjallukë. Megjithëse Beogradi zyrtar nuk ka as të drejtë ligjore dhe as legjitimitet për të kundërshtuar vendimet gjyqësore të formës së prerë të një shteti fqinj sovran, pikërisht kjo ishte përfundimi kryesor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilin e kryesonte Vuçiçi.

Rikthimi në rrugën pa krye të Slobodan Millosheviçit është bërë shprehje simbolike e kthimit të Vuçiçit në fillimet e tij radikale, ndërsa Serbia që ai udhëheq po hyn në një fazë të re të izolimit politik dhe në një zonë rreziku për të ardhmen e vendit. Makroni, me një telefonatë, dhe Meloni, me një vizitë disaorëshe, ia kanë bërë, jam i sigurt, të qartë Vuçiçit se nuk duhet t’i ofrojë asnjë ndihmë Dodikut, sepse vendimet gjyqësore nuk vihen në diskutim në botën demokratike! Por Vuçiçi nuk njeh, e as nuk i intereson demokracia – vetëm integralizmi serb, në kuadër të të cilit mund të vazhdojë të bëjë gjithçka që dëshiron!

Me vendimin e KQZ-së në Sarajevë, Dodiku, nga ana formale-juridike, nuk është më president i entitetit Republika Srpska! Mbetet që në ditët në vijim të shohim nëse Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që mund ta zbatojë vendimin gjyqësor dhe ta dërgojë Dodikun në burg, si dhe të organizojë zgjedhje për presidentin e entitetit.

Paralelisht me ashpërsimin e retorikës ndaj fqinjëve, retorika antievropiane në Serbi këto ditë ka arritur përmasa të një histerie të përgjithshme. Një pasqyrë e shkurtër historike ofron një vështrim të qartë se retorika kundër BE-së, në një formë apo tjetër, ka qenë gjithmonë e pranishme gjatë gjithë sundimit të Vuçiçit. Megjithatë, derisa BE-ja nuk tregonte një qëllim serioz për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, kjo retorikë ecte me ritëm të ngadaltë. Nga momenti kur Brukseli arriti marrëveshjen për zgjerimin në rajonin tonë, në Beograd ka mbizotëruar paniku i përgjithshëm dhe histeria antievropiane është futur në marshin e pestë.

Kjo me të drejtë na vë të gjithëve para dilemës nëse regjimi i Vuçiçit e ka braktisur zyrtarisht integrimin evropian si objektiv strategjik të Serbisë? Kjo është shndërruar në pyetjen e të gjitha pyetjeve, përgjigjja e së cilës do ta nxjerrë përfundimisht në shesh Vuçiçin e lëkundshëm dhe politikën e tij dyfytyrësh, të cilën e kishte fshehur nën maskën e politikës së “4 shtyllave”. Neutraliteti është një kurth rus në mbarë botën, veçanërisht në hapësirën e ish-BRSS-së dhe në Ballkan. Ukraina dhe Moldavia e kanë braktisur këtë politikë, Gjeorgjia ndodhet në një situatë të ngjashme me Serbinë, ndërsa Azerbajxhani dhe Armenia po i kthejnë gjithnjë e më shumë shpinën Rusisë!

Ne, si shtet dhe si komb, e humbëm mundësinë që e kishim në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar! Jemi bërë LITERALISHT ajo që na kishte parashikuar Ante Markoviçi – pozicioni ynë sot është i tillë që jemi periferi e largët e Evropës, të varfër dhe me shpirt të helmuar! Tani kemi mundësinë të përmirësojmë gjendjen e kombit dhe të shtetit, të zëmë më në fund vendin tonë në botën euroatlantike! Për ne është më mirë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi, sepse vetëm budallai pengohet dy herë në të njëjtin gur!

Continue Reading

Previous: Bllokada e simuluar kineze e Tajvanit zbulon Singaporin si litar shpëtimi
Next: Dinosha: Mali i Zi nuk do të pranojë të udhëhiqet nga mbështetës të bashkëpunëtorëve të fashizmit

Ambasadori Hamilton: Rusia po përdor dezinformimin për destabilizim në Ballkan 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Ambasadori Hamilton: Rusia po përdor dezinformimin për destabilizim në Ballkan

The Geopost May 22, 2026
Çështja e Iranit, si vepruan presidentët amerikanë në luftëra të mëparshme për autorizim të Kongresit? 3 min read
  • Lajme

Çështja e Iranit, si vepruan presidentët amerikanë në luftëra të mëparshme për autorizim të Kongresit?

The Geopost May 4, 2026
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit 3 min read
  • Lajme
  • Siguri

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit

The Geopost April 5, 2026
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë 11 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë

The Geopost March 27, 2026
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit 3 min read
  • Lajme

Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

The Geopost March 26, 2026
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

The Geopost January 30, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.