Në shenjë rezistence ndaj thirrjeve perëndimore për të zgjedhur mes Moskës dhe Perëndimit, presidenti serb Aleksander Vuçiç tha se marrëdhëniet vëllazërore të vendit të tij me Rusinë nuk mund të shkatërrohen dhe Beogradi nuk do t’i nënshtrohej kurrë presionit gjatë një takimi me Turko Daudov, një këshilltar i liderit kontrovers çeçen Ramzan Kadyrov.
Vuçiq u takua me Daudov në Beograd dhe madje pozoi për foto me veshje tradicionale çeçene që mori si dhuratë.
“Për ne, populli rus është populli ynë vëlla dhe historia shekullore e ka dëshmuar herë pas here. Prandaj, marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të shkatërrohen nga asnjë lloj presioni”, tha Vuçiq.
Komentet vijnë një ditë pasi diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell tha se Brukseli ishte “shumë i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor”, duke shtuar se “tensionet e panevojshme dhe kundërproduktive” midis Kosovës dhe Serbisë po arrinin “një nivel shumë shumë të rrezikshëm” dhe paralajmëroi : “Fatkeqësisht jemi në prag të një krize tjetër”.
Daudov tha se situata aktuale në botë është “e vështirë”, por Rusia qëndron fort në mbrojtje të vlerave shpirtërore, tradicionale dhe familjare dhe ka hedhur poshtë “ideologjinë e huaj” të Perëndimit.
“Me gjithë vështirësitë dhe presionin e jashtëzakonshëm të ushtruar nga Evropa, lidershipi dhe populli i Serbisë jo vetëm që nuk e kundërshtuan Federatën Ruse, por edhe e mbështetën atë”, tha Daudov.
Serbia është kritikuar ashpër për mospërputhjen me sanksionet dhe politikën e jashtme të BE-së dhe për ruajtjen e marrëdhënieve të forta miqësore me Moskën.
Në shtator, ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç u detyrua të mbronte marrëveshjen për konsultimet për periudhën 2023-2024 që nënshkroi me homologun e tij rus Sergej Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Pankartat me fytyrën e presidentit rus Vladimir Putin dhe flamujt rusë shfaqen shpesh gjatë protestave në Serbi.
Lidhjet e Beogradit me Moskën vazhdojnë të shqetësojnë kryeqytetet perëndimore. Në fillim të këtij muaji, Gjermania paralajmëroi Serbinë kundër kultivimit të marrëdhënieve më të thella me Rusinë, duke paralajmëruar se ajo mund të pengojë përpjekjen e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, por pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilën nuk e njeh si shtet të pavarur, perspektivat e saj vlerësohen si të zymta.
Situata në veri të Kosovës është bërë gjithnjë e më e pasigurt javët e fundit, pasi anëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqjen nga institucionet e vendit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj rregullit të qeverisë që të gjitha veturat në pronësi të qytetarëve kosovarë duhet të kenë targa kosovare.
Analistët e sigurisë kanë paralajmëruar për një mobilizim të konsiderueshëm të serbëve më 21 nëntor, kur Prishtina do të fillojë të zbatojë rregullin, me plane për të synuar institucionet e boshatisura dhe për të bllokuar rrugët.