
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditët e fundit ka shtuar koordinimin e aktiviteteve me Federatën Ruse, me fokus të veçantë në koordinimin e përpjekjeve për destabilizimin në veri të Republikës së Kosovës.
Efektet e marrëveshjes Rusi-Serbi e nënshkruar në OKB – kërkesa për kthimin e ushtrisë në Kosovë
Më 23 shtator 2022, një marrëveshje midis Rusisë dhe Serbisë u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së OKB-së, e cila synon të koordinojë politikën e jashtme, shkruan The Geopost.
Në këtë kontekst, pas konsultimeve ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, kjo e fundit ka vendosur t’i drejtohet NATO/KFOR-it në Kosovë, me kërkesë për kthimin e forcave ushtarake.
Ambasadori rus në Beograd Alexander Bocan Kharchenko shprehu menjëherë mbështetjen e Rusisë për kërkesën e Serbisë për “kthimin e një pjese të personelit ushtarak serb në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244”, duke zbuluar bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Rusisë lidhur me kërkesën.
Emërimi i Aleksandër Vulin për Drejtor të BIA-s
Emërimi i Aleksandër Vulin si drejtor i BIA-s ka hapur dyert për rritjen e mëtejshme të ndikimit rus brenda shërbimit serb, bazuar në lidhjet e ngushta të Vulin me strukturat e larta politike dhe të sigurisë së Rusisë.
Operacionet subversive serbo-ruse në rajon tani janë më evidente se kurrë. Për këtë mund të përdoret edhe “Qendra Humanitare Ruso-Serbe”. Vulin është i njohur jo vetëm për lidhjet e tij të drejtpërdrejta me Rusinë, por edhe për promovimin e projektit rajonal të destabilizimit “Bota Serbe”.
Organizata paraushtarake Wagner hap një përfaqësi në Serbi
Në kohën kur Serbia synon të përshkallëzojë situatën e sigurisë në rajon, duke filluar nga veriu i Kosovës, një degë e organizatës paraushtarake ruse Wagner, e njohur për mizoritë e kryera në Ukrainë, ka hapur përfaqësinë e saj në Serbi.
Wagner ka bërë të ditur se ka hapur një “qendër kulturore dhe informative” në Beograd. Në njoftim thuhet: “Kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë zyrën e re të Qendrës PMC-Wagner “Qendra Kulturore dhe Informative Serbo-Ruse për Miqësi dhe Bashkëpunim Orly”, përfaqësues i së cilës është Aleksander Lisov.
Aktiviteti kërcënues i organizatave ekstremiste ruso-serbe po rritet
Organizatat ekstremiste nacionaliste serbe dhe ruse po rrisin bashkëpunimin me organizatat ekstremiste ruse në Rusi, duke përfshirë grupin Wagner. Disa nga këto organizata nga Serbia, si “Patrullat e Popullit”, “Aksioni serb”, “E djathta serbe”, kanë vizituar Rusinë, duke përfshirë qendrat e trajnimit të grupeve ekstremiste ruse, duke ofruar mbështetje si dhe duke marrë mbështetje për avancimin e qëllimeve të ekstremistëve serbë në rajon.
Këto grupe avokojnë për “denazifikimin dhe çmilitarizimin e Ballkanit nga Serbia” / “Bota Serbe” sipas modelit “Bota Ruse”.
Grupet shoviniste serbe dhe ruse po thërrasin dhe po mbajnë protesta mobilizuese në Serbi dhe më gjerë, me qëllim që të sulmojnë Kosovën, NATO-n, SHBA-në dhe BE-në.
Këto grupe kanë thirrur një protestë që do të mbahet më 18 dhjetor 2022 në Jarinje, me mesazhin: “Nuk ka kufij, Kosova është Serbi”.
“Ujqërit e natës” (“Wolves of the Night”) shfaqen në veri të Kosovës
Më 15 dhjetor, grupi paraushtarak Ujqërit e Natës, i cili ka lidhje të drejtpërdrejta me Putinin dhe mbështetet financiarisht nga ai, publikoi një video kërcënuese në veri të Kosovës në mbështetje të Serbëve dhe barrikadave.
Grupet paramilitare serbe të financuara dhe të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës kanë humbur mbështetjen e serbëve vendas që po përballen me jetë të vështirë, presion nga grupet kriminale, sulme, djegie makinash, vrasje (Oliver Ivanoviq), bllokadë të rrugëve, instrumentalizimin dhe presion sistematik.
Hey @markodjuric, “Night Wolves” of #Russia 🇷🇺are at the barricades of Serbs 🇷🇸in Rudare – #Kosovo 🇽🇰. Is this video another propaganda of Kosovo ?! #Serbia 🇷🇸and Russia🇷🇺 are investing heavily in the destabilization of Kosovo🇽🇰 and 🇧🇦🇲🇪🇲🇰🇦🇱! pic.twitter.com/ZrEyjqZXAM
— Agim Musliu (@agim_musliu) December 16, 2022
Për arsyet e mësipërme, serbët vendas hezitojnë të shkojnë në barrikada. Ata që bëhen pjesë e strukturave të barrikadave ose paguhen ose kërcënohen.
Serbia, në këtë rast Vuçiq, për të rritur presionin ndaj Kosovës, NATO-s, SHBA-së dhe BE-së, ka shtuar koordinimin e aktiviteteve me Rusët, të cilët tani janë të pranishëm në barrikada, duke bërë fushata propagandistike, duke organizuar protesta dhe ndoshta duke përgatitur sulme terroriste në bashkëpunim me organizatat paraushtarake dhe shtetërore serbe./The Geopost