
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një konferencë shtypi në të cilën i bëri thirrje Perëndimit që t’i dërgojë avionë luftarakë.
“Nëse nuk keni fuqinë për të mbyllur qiellin [të impononi një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë], atëherë më jepni aeroplanë”, tha ai.
“Nëse nuk do të jemi më, Zoti na ruajt, të radhës do të jenë Letonia, Lituania, Estonia,” tha ai.
Këto vende baltike janë pjesë e aleancës së NATO-s, që do të thotë se nëse Rusia do të pushtonte një të tillë, do të ishte në luftë me të gjithë anëtarët.
Zelenski tha gjithashtu se bisedimet e drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin ishin “mënyra e vetme për të ndaluar këtë luftë”.
“Ne nuk po sulmojmë Rusinë dhe nuk planifikojmë ta sulmojmë atë. Çfarë dëshironi nga ne? Lëshojeni vendin tonë,” tha ai.
“Ulu me mua [Putin]. Vetëm jo 30 metra larg si me [presidentin francez Emmanuel Macron],” shtoi ai, duke iu referuar bisedimeve midis presidentit francez me atë rus në një tryezë të gjatë në Moskë muajin e kaluar.
Shtatë ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, një milion njerëz janë larguar dhe sulmet po intensifikohen në qytetet kryesore – edhe pse vetëm një qytet i madh ka rënë.