
Ish-ministri i Jashtëm britanik paralajmëron: Tingëllon dramatike, por urgjentisht duhen vendosur trupa në Brcko dhe në aeroportin e Tuzlës, Dodik po i afrohet shkëputjes, duhen vendime dhe veprime urgjente!
Perëndimi duhet të shikojë në sytë e ftohtë të Vladimir Putin dhe të përballet me taktikat e tij. Ballkani është një vend kyç për të filluar zbatimin e kësaj, thotë William Hague.
Ish-sekretari i shtetit i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore William Hague, në një artikull autorial për The Times, iu referua situatës në BeH dhe theksoi se tensionet mund ta shtyjnë të gjithë Evropën në krizë.
Në fillim të tekstit, Hague u referohet marrëdhënieve aktuale midis vendeve evropiane dhe Rusisë, duke theksuar se Gjermania është një nga vendet që ka rënë nën ndikimin rus.
“Dy gjëra nuk i kam harruar kurrë në takimin tim të parë me Putinin. Njëri ishte se ai kishte sytë më të ftohtë që kisha parë ndonjëherë dhe tjetri ishte se ai thjesht donte të na shiste shumë benzinë. Disa nga aleatët tanë nuk ishin rezistentë ndaj kësaj strategjie. Gjermania ka lejuar ndërtimin e Nord Stream 2, dhe koalicioni që duhet të formojë qeverinë e re është në vështirësi në negociata edhe për këtë çështje.
Sapo Berlini të bjerë dakord, Ukraina dhe të tjerët do të jenë më të ekspozuar ndaj Putinit duke reduktuar presionin mbi tubacionet nga të cilat varen shtetet. Çdo pikë e dobët e vendeve perëndimore është duke u shfrytëzuar. Polonia, e larguar nga partnerët e saj në BE, po përballet me një krizë mizore refugjatësh. Hungarisë i mungojnë miqtë në Bruksel, por i gjen në Moskë. Dhjetëra mijëra ushtarë rusë po mblidhen në kufirin afër Ukrainës dhe ne duhet të pyesim veten se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”, shkruan Hague.
Ish-diplomati theksoi se për secilin prej këtyre kërcënimeve ka përgjigje që Perëndimi mund t’i përdorë kundër Rusisë. Megjithatë, zona kryesore për Perëndimin, një rajon në të cilin është e nevojshme të kundërshtohet prishja e stabilitetit, është Ballkani.
“Historia ka treguar shumë herë se ne i shpërfillim rreziqet në Ballkanin Perëndimor, i cili ishte fokus i vatrave të luftës nw vitin 1914 dhe skena e luftërave më të përgjakshme në Evropë gjatë viteve 1990.
Këtu, Rusia është përpjekur të pengojë aspiratat e miliona njerëzve për të jetuar në shtete të qëndrueshme dhe me orientim perëndimor. Tentativë për grusht shteti në Mal të Zi, ndërhyrje në referendumin në Maqedoninë e Veriut dhe presion në rritje në jetën politike dhe biznesore në Serbi. Për
të përfunduar kaosin, BE-ja ka mbyllur dyert e saj për zgjerimin e mëtejshëm dhe Britania e Madhe ka humbur ndikimin përmes Brexit”, thuhet në tekst.
Hague deklaroi se Perëndimi, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk e ka luksin të injorojë ngjarjet në Ballkan.
“Milorad Dodik ka vite që minon shtetin e Bosnjë-Hercegovinës me mbështetjen aktive të Rusisë dhe Serbisë. Për Moskën, kjo i shërben qëllimit të bllokimit të integrimit euroatlantik. Bosnja do të ishte si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, një vend që nuk ka aftësinë të anëtarësohet në NATO ose të funksionojë ndonjëherë si një vend normal. Javët e fundit situata është bërë serioze. Dodik po i afrohet shkëputjes. Ai tha se do të ngrejë një ushtri të serbëve të Bosnjës, pikërisht ushtrisë përgjegjëse për gjenocidin e Srebrenicës. Ai po përpiqet të përdorë dobësinë e Perëndimit për të përshpejtuar krizën që çon në ridefinimin e hartave, me territorin që do t'i aneksohej Serbisë, sipas ish-diplomatit.
Ai thekson se kërcënime të tilla paraqesin një sfidë të drejtpërdrejtë për Marrëveshjen e Dejtonit.
“Nwse dikush mund të lëvizë sërish kufijtë e shteteve në baza etnike, ka shumë më tepër pakica, vendndodhja e të cilëve mund të përdoret si justifikim për të lëvizur disa kufij të tjerë. Askush nuk duhet të dyshojë se e gjithë kjo përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e fqinjësisë evropiane. Derisa po e shkruaj këtë, ministrat e jashtëm të BE-së së paku po diskutojnë situatën (teksti i shkruar para takimit të Brukselit, op. Cit.). Javën e kaluar, Kristian Shmidt paralajmëroi se BeH përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial dhe se konfliktet janë një mundësi realiste.
Paraardhësi i tij Paddy Ashdown bëri një punë të shkëlqyer 20 vjet më parë dhe ka treguar se devijimi nga Dejtoni nuk do të tolerohet. Ai kishte mbështetjen e fortë të vendeve perëndimore. Në vitet që pasuan, BE zgjodhi ‘dialogun’, që do të thotë qetësim dhe dobësi”, thuhet në tekstin e Hague.
Në fund të tekstit, ish-kreu i Partisë Konservatore iu referua edhe njoftimeve se ministrja e Jashtme britanike Liz Truss do të fokusojë punën e saj edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ministria e Jashtme njoftoi se Liz Truss do t’i ngrejë këto çështje në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga muajin e ardhshëm. Megjithatë, nevojiten disa vendime dhe veprime urgjente. Britania dhe BE-ja duhet t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në vendosjen e sanksioneve ndaj të gjithë atyre që minojnë Dejtonin. Perëndimi duhet të riafirmojë mbështetjen e tij për Përfaqësuesin e Lartë, duke mbështetur autoritetin e tij ligjor për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të mbrojtur integritetin e vendit, tha Hague.
Në përfundim, ai iu referua gjithashtu domosdoshmërisë së dërgimit të trupave të NATO-s në BeH.
“Forcat e vogla ushtarake evropiane, të njohura më mirë si EUFOR, duhet të përforcohen me trupa të NATO-s të dislokuara në zona të rëndësishme strategjike, si Brcko dhe aeroporti në Tuzla. Kjo tingëllon dramatike, por vetëm forca dhe vendosmëria do të na largojnë nga telashet e mëdha. Kolapsi në Afganistan tregon se çfarë ndodh kur Perëndimi humbet vëmendjen. E njëjta gjë nuk mund të lejohet të ndodhë brenda kontinentit evropian. Perëndimi duhet të shikojë në sytë e ftohtë të Vladimir Putin dhe të përballet me taktikat e tij. Ballkani është një vend i pwrshtatshwm për të filluar zbatimin e kësaj”, përfundoi Hague.